E Shtunë, 31 Tetor 2026

2 prilli, kujtohen 4 dëshmorët e demokracisë

03/04/2009  Ceremoni përkujtimore në sheshin kryesor të Shkodrës. Vizitat edhe në familjet e të vrarëve

SHKODER- Plot 18 vjet pas rënies së katër dëshmorëve të demokracisë në Shkodër ende nuk janë vënë gjetur e dënuar vrasësit e tyre, ndonëse më 2 prill 1991 dhanë jetën e tyre në shërbim të lirisë dhe demokracisë. Megjithatë, e rëndësishme është se katër dëshmorët e demokracisë; Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka kanë mbetur në mendjen dhe zemrat e të gjithë popullit të Shkodrës e Shqipërisë.

2 prilli

Tashmë 2 prilli përkujtohet çdo vit si data e kthesës së madhe të demokracisë, ku Shkodra si gjithmonë pararojë e ndryshimeve të mëdha sakrifikoi 4 jetë rinore të saj. Banorët e Shkodrës nuk përkujtojnë vetëm martirët e demokracisë dhe së bashku me ta qindra të tjerë të keqtrajtuar nga policia, por edhe e festojnë këtë datë si një prelud i fitores së demokracisë, pavarësisht se pas ‘90-s u bë pak për zonën e tyre dhe dënimin e krimeve të komunizmit. Gjatë paradites së djeshme, shoqata “2 Prilli” së bashku me Bashkinë e Shkodrës, organizuan në sheshin me të njëjtin emër ceremoninë përkujtimore të kësaj dite të dhimbshme, por edhe të shënuar, pasi tronditi përfundimisht themelet e sistemit të vjetër. Nën tingujt e bandës së qytetit, pranë përmendores së ngritur në kujtim të këtyre martirëve dhe të kësaj date u vendosën kurora me lule nga drejtuesit e shoqatës “2 Prilli”, Bashkisë, qarkut, familjarë të martirëve, deputetët e zonës së Shkodrës, të komuniteteve fetare etj. Më pas u organizuan vizita në familjet e katër të vrarëve si dhe u vendosën kurora me lule edhe në varrezat ku prehen trupat e 4 martirëve të demokracisë. Në fund të ditës së djeshme, në teatrin “Migjeni” u organizua një aktivitet në shenjë vlerësimi për 4 martirët e demokracisë dhe në shenjë shprese për ndryshime të mëdha, të cilat duket se kanë nisur këto dy vitet e sidomos ditët e fundit. Pikërisht këto ndryshime ishin dhe aspiratat e katër të rinjve shkodranë, që dhanë jetën e tyre, të ushqyer dhe nga ëndrrat e gjithë popullit të Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë. Çdo vit të gjithë shkodranët nuk harrojnë të kujtojnë bijtë e tyre, të cilët u vranë pabesisht në sheshin kryesor të Shkodrës në demonstratat për rrëzimin e regjimit komunist. Katër të rinjve iu shua jeta vetëm sepse donin një jetë ndryshe dhe lirinë për të folur jetuar dhe ëndërruar. Ndërsa sot pas 18 vjetësh opinioni shkodran dhe ai mbarë shqiptar ende ka një peng: zbardhjen e plotë të asaj ngjarjeje makabër. Pak kohë pas vrasjes u zhvillua një gjyq për këtë çështje ku dhe dikush u dënua, por ende pamja është e turbullt për shumëkënd. Kush qëlloi, kush dha urdhër, a u përzgjodhën 4 të rinjtë për t’u vrarë, a janë dënuar fajtorët e vërtetë apo ata ende bëjnë demagogji në emër të demokracisë. Gjithsesi populli ka mënyrën e tij për të dënuar, nuk harron asnjëherë ata që qenë në ballë të ndryshimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›