E Diel, 1 Nëntor 2026

20 familje më Tepelenë braktisin banesat, shkak rrëshqitja e dheut

Shemben banesat në fshatin Ballaxhiaj të Komunës Luftinjë në Tepelenë. Shirat e rrëmbyeshëm ditët e fundit, kanë bërë të pabanueshme katër banesa në fshatin kodrinor, pak km larg qytetit të Memaliaj. Sipas njërit prej banorëve, i cili është detyruar të largohet për të mos ta zënë shtëpia nën vete, Etem Ballaxhia, bazamenti i shtëpisë ka pësuar rënie disa cm

dhe muret mbajtës të tij, janë përkulur në mënyrë harkore çka krijon rrezikshmëri për jetën e banorëve të familjes së tij. Shirat e shumta të rëna gjatë ditëve të fundit, kanë shkaktuar rrëshqitje të dheut në pjesën lindore të fshatit i cili ka vetëm 20 shtëpi. Familjet, të nxitura nga paniku për rënien e banesave të tyre, janë larguar në drejtime të ndryshme për të jetuar. Tre prej familjeve janë strehuar në shtëpitë e të afërmve të tyre në këtë fshat, ndërsa një familje në fshatin Danaj rreth 3 km në veri të komunës. Banorët e dëmtuar, ndonëse kanë lajmëruar autoritetet e qeverisë vendore dhe qendrore në Gjirokastër, atyre nuk u ka shkuar askush për të identifikuar rastet nga afër dhe rrjedhimisht për të marrë masat e nevojshme për strehimin e tyre. Koha e keqe ndërkaq, ka nxjerrë jashtë përdorimit edhe ujësjellësin e fshatit Izvor po në këtë komunë ku të gjithë banorët e këtij fshati të madh, kanë apeluar për ndihmë. Dje ka qenë dita e tretë ku banorët e Izvorit, kanë ndjerë mungesën e ujit të pijshëm dhe për ta rikuperuar këtë gjendje, ata kanë siguruar lëngun jetësor disa kilometra larg duke vënë në përdorim kafshët e punës. Të premten Shtabi i Emergjencave në Prefekturën e Gjirokastrës, siguroi se nuk ekziston asnjë lloj anomalie në zonat e banuara në të gjithë territorin e qarkut pas situatës së shirave të rrëmbyeshëm, por rasti në fjalë, tregon më së miri mungesën e informacionit të kësaj strukture nga zonat e largëta.

T. Hoxha

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›