E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poezia e verës, në pranverën italiane

Në kuadër të aktiviteteve nën siglën e Italia-Shqipëria 2010 ...dy Popuj, një Det, një Miqësi të cilët përfshijnë periudhën mars-qershor 2010, do të vijë për publikun shqiptar në formën e një turneu  kulturor e promovues, eventi më i ri Poezia e Verës-Poesia del Vino.

Është një nismë e Ambasadës së Republikës së Italisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Kujdesit të Konsumatorit si dhe Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve; në bashkëpunim me shoqatat kulturore Syri Blu, Poeteka e La Casa nel Cuore, e cila do të ngrejë dollinë në Tiranë, Durrës, Shkodër e Berat. Janë Qendra Tregtare City Park, Galeria Nacional (ish-Kinema 17 Nëntori), Muzeu Kombëtar  Historik e Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Tiranë; Galeria Lear në Berat etj. Do të jenë gjithsej 12 kantina, nga të cilat 5 shqiptare dhe 7 italiane. Kantinat shqiptare do të përfaqësohen nga kantina e pijeve Gjergj Kastrioti-Skënderbeu Durrës, Kantina Çobo Berat, Kantina Kallmeti, Kantina Korça dhe Kantina Shahinaj, kurse kantinat italiane do të përfaqësohen nga Azienda Agricola Vinicola Bruni, Azienda Agricola Enzo Carmignani, Azienda Agricola Enzo Cosimi me verën e tyre Poggio dellAquila, Fattoria del Buonamico, Azienda Agricola Casalvento di Baronti Aldo, Azienda Agricola  Poggio Cocco dhe Cantina viticoltori senesi-aretini. Një muzikë e zgjedhur do të jetë live përgjatë gjithë eventeve të Poezia e Verës. Nuk mund të mos ishte prezente në këtë seri eventesh edhe piktura, me telajot e të mirënjohurit Kostandin Taso, në një cikël prej 20 kompozimesh të titulluara Wine Day. Poezinë e verës do ta pasurojë edhe një konferencë e organizuar nga Instituti Italian për Tregtinë e Jashtme, e cila do të zhvillohet të shtunën datë 20 mars në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. Në këtë aktivitet do të marrin pjesë, mes të tjerëve, Ambasadori i Republikës Italiane, Shkëlqesia e tij, z. Saba D'Elia, i cili do të mbajë edhe fjalën e rastit, si dhe autoritete të tjera duke përfshirë drejtorin e Institutit italian te Tregëtise se Jashtme, dott. Francesco Vitulli, përfaqësues të jetës politike e ekonomike të Shqipërisë, përfaqësues të kantinave pjesëmarrëse, artistë etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›