E Shtunë, 31 Tetor 2026

20 vjet PD në Elbasan, Berisha: Ndjehemi krenarë

Kështu u shpreh kryetari i Partisë Demokratike, njëherësh kryeministër i vendit, Sali Berisha, me rastin e 20-vjetorit të themelimit të PD-së në qytetin e Elbasanit. Duke e cilësuar si ditën e lirive dhe dinjitetit njerëzor, Berisha theksoi se themelimi i PD-së në kohën e totalitarizmit më të egër erdhi si rezultat i mençurisë, përkushtimit dhe trimërisë së treguar nga shqiptarët.

“20 vjet më parë ishim qeniet më të shtypura në Evropë. Sot jemi krenarë, pasi rikthyem vlerat hyjnore dhe njerëzore të individit dhe shoqërisë. Rikthyem besimin në fe dhe sot jemi krenarë për tolerancën fetare. Ky është mesazhi më i mirë që shqiptarët i japin mbarë Evropës dhe botës”, u shpreh kreu i Partisë Demokratike.

Duke u ndalur te zhvillimet pozitive që kanë ndodhur në vend gjatë 20 viteve të fundit, kryeministri nënvizoi faktin se sot në Shqipëri funksionon sistemi demokratik dhe liritë e gjithanshme të njeriut. “Sivjet shqiptarët e festuan Vitin e Ri si evropianë, të lirë për të lëvizur në mbarë Evropën. Shqipëria pati rritjen më të madhe ekonomike, kur bota ishte në mes të krizës”, tha Berisha.

Sipas tij, këtë vit Shqipëria shihet nga agjencitë më prestigjoze si një nga destibacionet më të preferuara turistike dhe për këtë merita kryesore është e shqiptarëve, mikpritjes dhe virtyteve të tyre. Duke kujtuar zgjedhjet e lira të 2007-ës dhe 2009-ës, kreu i ekzekutivit u zotua se shqiptarët do të votojnë të lirë edhe në maj të këtij viti.

Mandej Berisha u ndal tek investimet në infrastrukturë gjatë 5 viteve të fundit, duke premtuar për investime të mëtejshme në Qarkun e Elbasanit dhe në mbarë vendin. “Këtë vit nis ndërtimi i autostradës Tiranë-Elbasan”, shtoi kryeministri.

                                                                                             2011-01-07 18:22
  [ 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›