E Diel, 1 Nëntor 2026

20 vjetori i PBDNJ, Dule: Ftoj të larguarit të kthehen

TIRANE- Në kongresin e Partisë e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ), me rastin e 20- vjetorit të themelimit të saj kreu i kësaj partie Vangjel Dule kujtoi me nderim kryetarin e parë të kësaj partie zotin Vasil Melo ndërsa theksoi vlerat e rralla dhe që vijon ti ruajë, PBDNJ.

Dule theksoi se PBDNJ është parti e të gjitha minoriteteve politike, ndërsa shtoi se kjo parti është një hap pranë Europës, pasi është një parti multikulturore.
"PBDNJ nuk është vetëm një formacion politik që lufton për minoritetet, por në përbërjen dhe funksionimin e saj ajo është një miniaturë e realiteteve europiane, është një parti multietnike dhe multifetare, që rrezaton në shoqëri bashkëjetesën dhe respektin e ndërsjellë", tha ai.

Dule tha se PBDNJ ka qenë pjesë e qeverisë dhe nuk është përfolur asnjëherë për afera korruptive. Më tej Dule shtoi se ‘PBDNJ ka qenë dhe mbetet e orientuar drejt dimensionit human dhe këtë e ka treguar me mbështetjen e dhënë ndaj minoriteteve’.

"Minoriteti grek ka marrëdhënie të privilegjuar me spektrin politik të Greqisë, të cilin e kemi përdorur për të garantuar një status më cilësor të të drejtave të minoritetit grek dhe minoriteteve të tjera, për të motivuar konsolidimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë, për të nxitur mirëkuptimin, bashkëpunimin, sigurinë. I kemi përdorur këto marrëdhënie që faktori grek me një zë të përfillshëm të ushtrojë avokatinë e tij, siç ndodhi me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, dhe po ashtu dhe me procesin e integrimit në BE", tha ai.

Duke theksuar vlerat e PBDNJ, Dule vuri në duje se mosmarrja e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria për në BE do të thotë se në vend mbetet ende shumë për t’u bërë.

"Fakti që Shqipërisë iu refuzua statusi për të dytën herë radhazi, tregon se ka shumë punë për të bërë. Duhet të punojmë ende për legjislacionin, për reformat dhe për arritur atë ndërgjegjësim për çfarë përmban nocioni Europë dhe evropianizim". nënvizoi kryetari i PBDNJ-së.

Dule u bëri thirrje të larguarve të kthehen sërish në parti ndërsa shtoi se PBDNJ do të jetë parti e një qeverie të susksesshme që do ta cojë vetëm përpara vendin.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera 20 vjet PBDNJ, Rama: Dule s'rend pas karrigeve. Koalicioni ynë i patrazuar Topalli inkurajon të rinjtë të rrisin interesin për matematikën

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›