20-vjetori i demokracisë, pa gra...
Sot është 20-vjetori i demokracisë shqiptare... Guxoj ta quaj kështu, sepse demokracinë në Shqipëri më shumë se sa zgjedhjet, e sollën të rinjtë. E sollën ata të rinj që u pagëzuan dhe hynë në histori si Studentët e Dhjetorit. Ata që guxuan të vinin jetën në rrezik, duke u përballur me forcën e pamëshirshme të regjimit. Ata që rrezikuan, me bindjen e plotë se ajo që po bënin në fundshekullin e 20-të për Shqipërinë, ia vlente. Sakrifica e atyre mijëra vajzave dhe djemve që po ulnin siparin e vuajtjes së tre milion shqiptarëve. Prandaj, ishin të shumtë burrat dhe gratë që u dolën në krah ato ditë të lagështa dhe të zymta dhjetori.
Po ç'ndodhi nga ai moment e deri më sot? Kush fitoi dhe kush u harrua në rrugëtimin e gjatë 20-vjeçar të përshtatjes me ndryshimin?
Në vitin 1990-të filloi një ndryshim historik në Shqipëri: Përmbysja e regjimit socialist dhe hyrja në ekonominë e tregut të lirë. Çdo gjë që më parë dukej e ndaluar, tashmë ishte e arritshme. Pjesë e këtij ndryshimi ishin edhe vajzat dhe gratë që vendosën t'i bashkangjiten përpjekjeve për demokraci. Disa prej tyre ishin akademike, të përfshira në protestat e dhjetorit, të tjera ishin intelektuale që mendonin për krijimin e shoqërisë civile për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të grave. Shumë prej tyre morën pjesë në themelimin e partive të reja opozitare, duke kontribuar drejtëpërsëdrejti në krijimin e pluralizmit partiak në Shqipëri. Kjo lëvizje spontane e grave pati ndikim në të gjitha fushat e jetës politike dhe qytetare. Shoqatat e para të pavaruara të grave filluan të punojnë për krijimin e një imazhi të ri të grave: Intelektuale, të zgjuara dhe të zonjat.
Ndikimi i lëvizjes feministe u ndie edhe në krijimin e shërbimeve të reja për gratë (si strehëza dhe qendra këshillimi) si dhe në lindjen e shtypit për gruan, si revista të përmuajshme në të cilat gratë gjetën vendin për t'u shprehur në sferën publike, në media dhe letërsi. Prej punës së shoqatave të grave u krijua legjislacioni në mbrojtje të grave nga dhuna në familje, mbrojtjen e fëmijëve nga abuzimi, për nxitjen e punësimit të grave dhe të të rinjve si mënyra më e mirë për pavarësi dhe vetëmjaftueshmëri ekonomike, për ngritjen e shërbimeve për gratë dhe fëmijët, ndalimin e trafikimit të qënieve njerëzore dhe mbrojtjen e viktimave të trafikut njerëzor.
Gjithsesi, edhe pse pati një aktivizim të madh të grave në angazhimin qytetar, në politikë pjesëmarrja e tyre sa vinte e mpakej. Zgjedhjet e njëpasnjëshme politike dhe administrative shënuan një tkurrje të përfaqësimit femëror në politikë dhe u duk sikur gratë kishin falimentuar në ndërmarrjen politike për vetëpërfaqësim. Roli i grave shihej kryesisht i lidhur me sferën private dhe funksionet riprodhuese. Ndikimet e stereotipeve gjinore për gratë ushtroheshin si në plan personal, ashtu edhe atë shoqëror, duke i shndërruar në grup minoritar. Po ashtu edhe kërkesat e tyre për përfaqësim u nënvlerësuan dhe nuk u promovuan mjaftueshëm nga partitë politike. Atyre iu pamundësua angazhimi publik dhe iu përforcua (vet)identifikimi kolektiv si shtresë shoqërore e nënrenditur. Prandaj gratë gjetën angazhimin qytetar si formën më të mundshme për vet[organizim. Megjithatë, në kushtet e mosfinancimit të shoqërisë civile, ku peshën më të madhe e zinin organizatat e grave, edhe puna advokuese e grave për vetpërfaqësim politik dhe pjesëmarrje në vendimmarrjen publike, u vështirësua. Po të mos kishte qenë për financimin e donatorëve të huaj, shoqëria civile në Shqipëri nuk do të kishte ekzistuar fare. Mungesa e qëndrueshmërisë së fondeve për angazhim qytetar përmes shoqërisë civile ka bërë që edhe zëri i grave për më shumë hapësirë në politikë të jetë relativisht i dobët. Këtij problemi i shtohet edhe mungesa e kulturës demokratike dhe dobësia e demokracisë së brendshme në strukturat partiake.
Që në fillesat e demokracisë, shqiptarët aspiruan ta shihnin Shqipërine si gjithë Europa. Kjo aspiratë ka qenë e njëjtë si për burrat, edhe për gratë: Për këto të fundit edhe më shumë, pasi me hyrjen e vendit në Europë, kanë dashur të zbusin elementet patriarkale të shoqërisë shqiptare. Sado të kenë dëshiruar gratë të jenë të pranishme në arenën politike, politika ka ngelur domen i burrave. Edhe pse me formim të mirë akademik, gratë ngelen të nënpërfaqësuara në procesin vendimmarrës.
Pengesat stereotipike janë përhapur në të gjithë strukturën dhe funksionet e shoqërisë dhe funksionojnë në mënyrë të dukshme dhe të fshehur, duke ushtruar shumë presion mbi burrat për të qenë me patjetër të suksesshëm, - edhe kur ata nuk munden dot, dhe mbi gratë,që të jenë të varura, - edhe kur ato nuk duan të jenë. Sigurisht, për shkak të veçantësive unike të personalitetit, të dallimeve individuale dhe diferencave të pushtetit, jo të gjithë burrat apo gratë përmbushin njësoj pritshmëritë shoqërore.
Besimet tradicionale të gjinizuara që diferencojnë gratë dhe burrat në pushtet, në role dhe status, nuk pajtohen lehtë me kërkesat socio-ekonomike të modelit bashkëkohor të 'dual worker and dual carer', (që të dy bashkëshortët punojnë dhe përkujdesen për familjen). Ky model imponon nevojën për përmbysje të normave kulturore të dala kohe, që kanë dëmtuar mundësitë e grave për zhvillim personal dhe kolektiv.
Pamundësia e normave të vjetra për të vënë rregull në një realitet të ri socio-ekonomik, rezulton në atë që Durkheim e quan 'anomi shoqërore'. Anomia shpesh përbën kërcënim për rendin shoqëror dhe nëse mendimi politik dështon të ndërhyjë në kohë për të parandaluar efektet shkatërrimtare të anomisë, ndodh ajo që Zbignijev Brzezinski e cilëson si 'krizë shoqërore'.
Në Shqipëri, megjithëse mungesa e grave në nivelet e larta vendimmarrëse nuk duket të shkaktojë ndonjë krizë shoqërore, në fakt ka shkaktuar një lloj tjetër krize,- atë të mospërfaqësimit politik. Në realitet, janë ndërmarrë disa hapa për të ndrequr mungesën e balancës së përfaqësimit gjinor në politikë, të cilat janë materializuar në ligje e strategji, si për shembull në Ligjin për Barazinë Gjinore (2008) dhe Strategjinë për Barazi Gjinore (2008). Megjithatë, mungojnë ndërhyrjet e mirëmenduara për ta përkthyer qëllimin e ligjit dhe të strategjisë, në platformë të zbatueshme. Buxhetimi i perspektivës gjinore dhe zbatimi i saj në të gjitha nivelet qeverisëse është sfida e radhës për çdo qeveri. Ndërsa objektivi strategjik i rritjes së pjesëmarrjes femërore në procesin vendimmarrës, është në dorë të partive politike, të cilat nuk do ta zbatojnë atë për sa kohë nuk do të ndërmarrin aksione afirmative të njëmendëta, pa i bërë hile ligjit. Gjithsesi, arritja e barazisë gjinore në vendimmarrjen publike kërkon edhe më shumë se kaq,- kërkon ndryshim mendësish.
Për sa i përket përfaqesimit të grave në nivelet drejtuese të shtetit dhe në poste të larta administrative, shifrat flasin negativisht. Megjithëse pati një rritje të përqindjes së grave, nga 7% në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005-së, në 15% në ato të vitit 2009-të, përsëri synimi i ligjit për prani të grave në parlament në masën prej 30%, nuk u arrit.
Gratë brenda politikës, të mbështetura nga gratë e shoqërisë civile, kanë artikuluar qartazi kërkesën për një pjesëmarrje të rritur të grave në të gjitha pozicionet drejtuese në sferën publike. Presioni që gratë kanë ushtruar ndaj politikës për të qenë pjesë e saj, është mbështetur kryesisht prej organizmave ndërkombëtare. Falë këtyre përpjekjeve, gjatë gjithë viteve të tranzicionit janë ndërmarrë shumë aksione për të ndryshuar disbalancën gjinore në vendimmarrje. Përpjekjet kanë kulmuar me Ligjin për Barazi Gjinore dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor për përfaqësim të balancuar gjinor të grave në listat e kandidateve për deputete dhe kryetare bashkish e këshilltare vendore. Por, në vend që Kodi ta sanksiononte detyrimin ligjor për hartimin e listave me 30% gra të shpërndara uniformisht në listë, e saboton atë duke vendosur lidhëzen dhe/ose. Partitë politike që hynë në garë zgjedhore vunë një grua në treshen e parë të emrave, ose një të dytë, dhe pastaj i vazhduan listat me burra në vendet e sigurta, dhe i mbyllën me gra. Kryesisht 30-shi i grave u reflektua në fund të listes. Domethënë, emrat e grave kandidate shërbyen për të mbushur listat e partive politike për zgjedhje. Dhe gratë në Shqipëri sot vazhdojnë të ndodhen të nënpërfaqësuara në të gjitha nivelet.
Si përfundim, nëse i referohemi fillesave të lëvizjes së gruas dhe kontributit të saj për një shoqëri të emancipuar dhe demokratike, shihet se apiratat e grave për të qenë pjesë e vendimmarrjes publike dhe e axhendës për ta çuar vendin drejt proceseve integruese europiane, ngelen të parealizuara. Duket paradoksale që në vend qe të kishin më shumë mundësi për përfaqësim, gjatë viteve të demokracisë, gratë humbën edhe atë nivel përfaqësimi që gëzonin para viteve '90. Pse gratë humbën politikisht në demokraci? Përse gratë u larguan nga arena politike dhe u kufizuan me shoqërinë civile? Gratë janë përpjekur të bëjnë në shoqërinë civile, atë revolucion emancipues të shoqërisë dhe politikës që duhej të kishin bërë brenda politikës. Kjo për arsyen e thjeshtë se, në këta 20 vite demokraci, atyre iu është mbyllur vazhdimisht dera e politikës dhe vetëm pas vitit 2008-të është hapur fare pak, 15%. I takon partive politike ta ndreqin këtë situatë të pakëndshme të krijuar më së shumti prej atyre vetë. Në radhë të parë, partitë politike kanë obligimin e madh moral të demokratizojnë qeverisjen e vendit duke përfshirë gratë në vendimmarrjen publike. Per të realizuar këtë qëllim, duhet ta nisin me demokratizimin e vetes (demokracine e brendshme). Në radhë të dytë, partitë politike kanë obligimin ligjor të zbatojne Ligjin për Barazinë Gjinore dhe të bëjnë ndryshimet përkatëse në Kodin Zgjedhor për realizimin e kuotës përfaqësuese për gratë prej 30%. Në Bashkimin Europian, drejt të cilit synojmë të shkojmë, nuk do hyjnë vetëm burrat, por edhe gratë, të cilat e kanë treguar tashmë se jo vetëm aspirojnë, por edhe kontribuojnë përditë në këtë proces.