E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi takon deputetët e PE: Perspektiva europiane, çelësi i dialogut politik

TIRANE - Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot delegacionin e deputetëve të Parlamentit Europian, që ndodhet në Tiranë, në kuadër të takimit të 4-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, BE-Shqipëri. Në takim ishte i pranishëm edhe Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në vendin tonë, Ettore Sequi.
Zyra e shtypit e Presidencës bëri të ditur se gjatë këtij takimi, kreu i shtetit shprehu mirënjohjen për vëmendjen e veçantë dhe asistencën e plotë që Bashkimi Evropian i jep Shqipërisë.

“Ne e konsiderojmë procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si një proces të bazuar tërësisht në performancë dhe meritë, i cili nëpërmjet realizimit të reformave është në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë”, - u shpreh Presidenti Topi gjatë bisedës.

Kryetari i Shtetit vuri në dukje se dhe kjo vizitë e eurodeputetëve krijon bindjen se angazhimi, vullneti dhe përkushtimi që klasa politike shqiptare pritet të dëshmojë, do të ndikojnë pozitivisht procesin e marrjes së statusit të vendit kandidat nga Shqipëria.

Presidenti Topi vlerësoi se “pas dy vjetësh ngërçi politik, perspektiva evropiane ka treguar se është një mjet bashkimi dhe tejet i rëndësishëm për ndërtimin e konsensusit ndërmjet klasës politike në vend”.

Presidenti i Republikës theksoi faktin se Raporti i Progresit i Komisionit Evropian është kthyer në një program pune për institucionet shqiptare, për të avancuar më tej agjendën europiane.

Kryetari i Delegacionit për Marrëdhëniet me Evropën Juglindore, Eduard Kukan dhe eurodeputetët e tjerë të delegacionit të Parlamentit Europian, vlerësuan rolin institucional, neutral dhe ekuilibrues të presidentit Topi, si dhe apelet e vazhdueshme në funksion të zgjidhjes së ngërçit politik mes palëve.

Eurodeputetët ndanë me Kryetarin e Shtetit të njëjtin mendim sa i përket bashkëpunimit politik mes palëve, për të cilin thanë se shpresojnë që të japë rezultatet e duhura në funksion të aspiratave të qytetarëve shqiptarë dhe Shqipërisë.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Topalli siguron eurodeputetët: Do mbështesim draftin e OSBE/ODIHR Takimi BE-Shqipëri, Kukan dhe Fajon në Tiranë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›