E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati i Popullit, Ndregjoni: S’kam aplikuar, PS: E përfshimë në mirëbesim

TIRANE - Deputetja e PS-së Eglantina Gjermeni reagoi në lidhje me deklaratën e kryetarit të shoqatës së të përndjekurve politikë, për përfshirjen e tij në listën e kandidatëve për Avokatin e Popullit.

Menjëherë pas shpalljes së listës së PS-së për Avokatin e Popullit, e përzgjedhur përmes aplikimeve online, Besim Ndregjoni deklaroi se ishte përfshirë në listë pa bërë asnjë aplikim online.

Përmes një deklarate për mediat, Eglantina Gjermeni deklaroi në emër të Komisionit Përzgjedhës të PS-së për Avokatin e Popullit, se emri i Ndregjonit u përfshi në listë në mirëbesim, pasi ky i fundit kishte shprehur dëshirën për të kandiduar për këtë post.

“Zoti Ndregjoni dëshironte të konkuronte dhe këtë ma shprehu drejtëpërdrejt. Duke qenë se zoti Ndregjoni nuk e kishte depozituar aplikimin ende dhe biseda jonë e fundit u bë ditën e fundit, në respekt të asaj çka zoti Besim Ndregjoni përfaqëson si drejtues i një organizate të të përndjekurve politikë po edhe të historisë së tij personale e familjare, dhe sigurisht mbi fjalën e tij se donte të futej në garë ne vendosëm ta përfshijmë në listë në mirëbesim”- theksohet në deklaratën e Gjermenit.

Ndërkohë Gjermeni shprehu keqardhje për prononcimin e zotit Ndregjoni, që sipas saj nuk përputhet aspak me të vërtetën.

“Shpresojmë që ky të jetë thjesht një keqkuptim dhe shpresojmë që zoti Ndregjoni të shkojë deri në fund të garës, duke e rigarantuar atë dhe të gjithë kandidatët dhe kandidatet në konkurim se përzgjedhja do të jetë e pandikuar nga asgjë tjetër përveç paraqitjes së secilit.”- perfundon deklarata e Gjermenit.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera INTERVISTA/Ndregjoni: S’kam aplikuar për Avokatin e Popullit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›