20-vjetori i partisë që hoqi vizat për shqiptarët
15 dhjetori është dita e shënuar për shqiptarët, shënon përmbushjen e aspiratës historike të lëvizjes së lirë. “E duam Shqipërinë si dhe gjithë Europa” u bë realitet në sajë të kontributit 20-vjeçar të Partisë Demokratike, forcës politike që shembi diktaturën dhe udhëhoqi kursin më të gjerë të reformave drejt integrimit në hapësirat euroatlantike
Berisha: Themelimi i PD-së, një rilindje e dytë kombëtare, një triumf i shqiptarëve mbi tradhtinë
Në 20 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, lideri i saj Sali Berisha, vlerësoi lart veprën e çmuar të të rinjve të Lëvizjes së Dhjetorit, të cilët realizuan ëndrrën e Shqipërisë dhe shqiptarëve për liri, edhe pse vendi ndodhej nën protektoratin e pushtetit komunist eksperimental. Festa e organizuar dje pasdite në Pallatin e Kongreseve përkujtoi lëvizjet e para të studentëve dhe të rinjve, në përpjekjet e tyre heroike për liri dhe pluralizëm politik. Duke përkujtuar organizatorin e lëvizjeve demonstrative, ku pjesë e së cilës u bënë jo vetëm studentët dhe të rinjtë, por edhe pedagogë nga i gjithë vendi, Azem Hajdari, kryetari i PD-së, Berisha premtoi realizimin e idealit të tij, idealit evropian të Shqipërisë dhe shqiptarëve. “Jemi mbledhur sot për të kremtuar së bashku 20 vjetorin e themelimit të pluralizmit politik dhe njëherazi të partisë parë opozitare në historinë e vendit, Partisë Demokratike të Shqipërisë, ngjarjen më të madhe në historinë e lirive dhe të drejtave të njeriut të shqiptarëve, pas shpalljes së pavarësisë së vendit. Më datën 8 Dhjetor në darkë, studentët e universitetit të Tiranës, nën udhëheqjen e Tribunit legjendar Azem Hajdarit, do të nisnin Lëvizjen Studentore dhe të mbështetur nga intelektualë, qytetarët e Tiranës, do të mbushnin rrugët dhe sheshet e kryeqytetit, në një betejë legjendare, që të kujton betejën e Davidit me Golian, do të detyronin klikën në pushtet të firmoste më 11 Dhjetor, kapitullimin e saj, dhe po me datë 11 Dhjetor ora 23.00 të darkës, do të themelonin pluralizmin politik, Partinë Demokratike të Shqipërisë, Partinë e parë opozitare në historinë e vendit. Nder për jetë studentëve liberatorë dhe atyre që themeluan pluralizmin në Shqipëri! Azem – Ti je gjallë!”- u shpreh kryeministri Berisha.
Shefi i ekzekutivit kritikoi sistemin komunist, duke e cilësuar atë si eksperimentin më të shëmtuar. “Aleanca e Atlantikut të Veriut dhe pathyeshmëria e saj, prosperiteti i botës së lire dhe dështimi i plotë i doktrinës marksiste të ekonomisë, Akti i Helsinkit, ishin faktorët më madhorë që përcaktuan agoninë dhe më pas falimentimin e pashmangshëm të sistemit socialist, eksperimentit më tragjik të njerëzimit, sistemit skllavo-pronar të shekullit të 20-të në Europë”- theksoi kryeministri. Berisha uroi çdo qytetar shqiptarë për ditën e lirisë dhe pluralizmit. “PD u themelua si parti e interesit kombëtar të tradhtuar. Si parti e popullit të lirë”- tha Berisha. Ndryshimet rrënjësore të fill viteve ‘90-të, kryeministri tha se ndodhën falë rolit të 3 personaliteteve më të mëdha botërore, presidentit Ronald Regan, Papa Gjon Pali II dhe presidenti i ish- BS, Mihail Gorbaçov. “Në këtë proces të pashmangshëm ndërrimit të sistemeve, tre personalitete botërore luajtën rolin më të veçantë: Presidenti Ronald Regan, që me 12 qershor të vitit 87 do t’ju deklaronte berlinezëve dhe botës së çështja e lirisë gjermane është çështje e lirisë së njerëzimit dhe do t’i drejtonte apelin e madh të lirisë, Mihail Gorbaçov “tear doën that ëall …..”, Papa i Lindjes, Papa Vojtila që do ta shndërronte Kishën Katolike në Evropën ish komuniste, në strehën dhe djepin e mendimit të lirë e qëndresës paqësore antikomuniste. Presidenti Gorbaçov që, me një guxim mbinjerëzor, do të zëvendësonte doktrinën famëkeqe Brezhneviane me perestrojken dhe glaznostin. Këta faktorë dhe këta burra të mëdhenj, ndikuan dhe nxitën popujt e shtypur të vendeve ish komuniste Polonisë, Gjermanisë Lindore, Çekisë, Hungarisë, Rumanisë, Bullgarisë të ngriheshin me trimërinë, vendosmërinë e paparë, të shembnin Murin e Berlinit, Perden e hekurt dhe të përmbysnin gjatë fundvitit të viteve ’80-të sistemin totalitarist në vendet e tyre. Por, çështja e lirisë Gjermane triumfoi dhe së bashku me të, liria në botë, mori përmasa të tjera sepse Presidentit Xhorxh Bush dhe Kancelari Helmut Kohl, qëndruan në zenitin e horizontit të ri të lirisë”- u shpreh kryeministri i vendit Sali Berisha, duke shtuar se “Shqipërinë hoxhiste këto ngjarje do ta gjenin të zhytur në varfërinë dhe mjerimin më të tejskajshëm, në izolimin më të thellë, shtypjen dhe represionin më të egër të planetit, monizmin më totalitar, në vetë-harresën dhe harresën ekstreme”. “Në vitet e përmbysjes së sistemit në Evropën ish-komuniste, të dukej se Shqipëria ishte dënuar për të mbetur e burgosura e kontinentit, në bunkerin e regjimit të vet, muzeu i socializmit totalitar”- tha kryeministri. Kreu i qeverisë, në fund të fjalës se tij deklaroi se Shqipëria do të vijojë rrugëtimin drejt konsolidimit të aspiratës së saj evropiane. Në përfundim, kryeministri solli në vëmendje se 20 vjet më parë populli shqiptar ishte kombi më i copëtuar dhe i nëpërkëmbur ndër dekada me radhë. Por, tha Berisha, 20 vjet më pas, shqiptarët kanë marrë solidaritetin dhe mbështetjen më të madhe ndërkombëtare. “Ne, 20 vjet më parë ishim kombi më i copëtuar, i zhytur në horrin e historisë. Njohëm në këto 20 vjet mbështetjen, solidaritetin dhe mbështetjen më të madhe të homologëve tanë ndërkombëtarë”- deklaroi kreu i qeverisë. Kryeministri cilësoi se qytetarët e Tiranës do të mbushnin sheshet dhe rrugët e Tiranës, për kapitullimin e regjimit të egër, për të themeluar pluralizmin politik, themelimin e Partisë Demokratike, të parës forcë politike opozitare në Shqipëri.