Kryeministri Berisha, mesazh ngushëllimi Presidentit Obama, për ndarjen nga jeta të Ambasadorit Holbrooke
Kryeministri Berisha i dërgoi dje një mesazh ngushëllimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Zotit Barack Obama, për ndarjen nga jeta të Ambasadorit Richard Holbrooke, në të cilin shprehet: “I dashur zoti President, Ndarja nga jeta e të dërguarit Tuaj të posaçëm në Afganistan dhe Pakistan, diplomatit të shquar amerikan, por edhe mikut të çmuar të Shqipërisë e të kombit shqiptar, Ambasadorit Richard Holbrooke, ishte një lajm shumë i hidhur, jo vetëm për bashkëshorten dhe familjen e tij, për Ju, për qeverinë Tuaj dhe kombin amerikan, por edhe për të gjithë miqtë e tij të shumtë, anembanë botës. Richard Holbrooke u nda nga jeta para kohe, duke pikëlluar thellë, por edhe i lenë krenarë të gjithë ata që patën fatin të njohin nga afër personalitetin dhe cilësitë e tij të rralla. Në memorien time dhe të kombit tim, Ambasadori Richard Holbrooke, kontributi i jashtëzakonshëm që ai dha si i Dërguari i Posaçëm i Presidentit Clinton për Ballkanin, do të mbeten përgjithmonë të gjalla dhe do të nderohen gjithnjë me mirënjohje të thellë. Në këtë çast dhimbjeje e hidhërimi të thellë për Ju, zoti President, për qeverinë Tuaj, për bashkëshorten e familjen Holbrooke, më lejoni t’Ju shpreh, në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, ngushëllimet më të sinqerta, si dhe t’u bashkohem lutjeve Tuaja që, shpirti i njërit prej yjeve më të shndritshëm, personaliteteve më të shquara të diplomacisë së vendit tuaj, mikut të madh të shqiptarëve, Ambasadorit Richard Holbrooke, të gjejë paqen e merituar. Me sigurimet e respektit dhe të konsideratës më të lartë!”
Topi: Hollbruk, një trashëgimi e veçantë për gjithë shqiptarët/Presidenti Topi, përmes një mesazhi të veçantë ka ngushëlluar familjarët e diplomatit amerikan, Riçard Hollbruk, për ndarjen e tij nga jeta. “Me hidhërim të thellë mësova lajmin e ndarjes nga jeta të diplomatit të shquar amerikan, zotit Riçard Hollbruk. Në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, ju shpreh ngushëllimet më të thella dhe më të sinqerta!”, shkruan ai. Duke shtuar vlerësimin më të lartë për zotin Hollbruk, për përvojën e aktivitetin e tij të gjithanshëm, si dhe veçanërisht për rolin pozitiv në arritjen e paqes në konfliktin e Kosovës, duke lënë një trashëgimi të veçantë për të gjithë shqiptarët. “Gjithashtu, dëshiroj të kujtoj dhe arritjen e tij më të shquar në arenën ndërkombëtare, “Marrëveshjen e Dejtonit”, duke kontribuar kështu dhe në procesin e paqes në rajonin e Ballkanit e më gjerë”, e përfundon mesazhin e tij, Bamir Topi.