Tribunët e kutisë janë të humburit e lirisë
Lëvizja e lirë për shqiptarët nga sot është fakt i pakundërshtueshëm. Një premtim i realizuar. Padyshim qeveria ka një meritë të theksuar për përmbushjen e kritereve të domosdoshme për liberalizimin e vizave. Pjesa më e madhe e qytetarëve shqiptarë e kanë mirëpritën këtë ditë të bekuar me hare intime. Ndërsa një pjesë e vogël allasoj, me frymëzim e parime haxhi-qamiliste dhe me fytyrë socialiste i bënë pritë me protesta për kutinë e Ramës lëvizjen e lirë. Kësaj kutie që ka brenda humbjen e identitetin të një partie të shformuar padrejtësisht nga njerëz gjenetikisht të modifikuar nga regjimi stalinist. Kromozomi totalitar mbisundoi qenien. Me një llaf shpërdoroi një moment të mirë për të heshtur.
Sepse në prag të lëvizjes së lirë, kreu i Partisë Socialiste shtypi butonin e robotëve autistë që sillen e vardisen nëpër sheshe qytetesh pa pikë turpi. Këndojnë dhe kërcejnë jo për arritjen historike të shqiptarëve por për urinë e Egoarkut Rama për pushtet të pakufizuar. Kurthe, pusi, alibi pas alibish opozita e bashkuar soc-komuniste investohet të zhvlerësojë festën shumëpritur. Me tribunët e kutisë Tak Ngjela, Nar Ndoka, Job Veliaj, Ner Gjinushi e Milon protesta e Durrësit është në kundërthënie të paparë me Durrësin e dy dekadave më parë kur qytetarët e Shqipërisë drejtoheshin si drejt lirisë si klandestinë për në Perëndim. Sot qytetarët Durrsakë janë të lirë jo vetëm në shpirt e mendje por lëvizin të lirë në kontinentin europian. Rikthimi i shqipove në folenë e parë ka kuptim më shumë kur përpjekja ka qenë sa e vështirë aq e lodhshme. Natyrisht lehtësimi i barrës dhe barrierave përgjithësisht pritet me gëzim, por ndoca soc-monistë të orës së parë dhe të orës së fundit, renegatë të djathtë helmojnë banketin e demokracisë me helmin që vjen nga vezët e gjarprit.
Koha e tribunëve të kutisë dhe alibisë kanë humbur betejën me pavarësinë intelektuale sepse i paguhen prurësit më të parë. Hartimet bajate që u lexuan dje në Durrës nga pishtarët e mizorisë dëftenin një orientim lindor të opozitës të bashkuar në hidhërim. Koha e mushkës së Salarisë mori fund ditën kur u shemb regjimi vrastar. Metodat e policisë sekrete mbizotërojnë pilotimin e gënjeshtrës së përditshme të konferencave për shtyp.
Afërmendsh propaganda e sotme e çifligarëve socialistë për të përmbyturit në Veri të vendit tingëllon sa cinike aq dhe bolshevike. Ndonëse misioni i pashpallur i Ramës është diskreditimi i së majtës ideologjike sepse në shpirt ai është një reaksionar, i padisiplinuar me demokracinë dhe i pamësuar me lirinë e të tjerëve. Gjatë regjimit komunist ai ka njohur lirinë e pakufizuar sepse aurora e kristalit mbi nexhmijen ishte e atillë saqë çdo gjë i falej skulptorit të popullit socialist.
Sakaq sot dy dekada më pas ai është peng i orekseve ekzibicioniste me tipare krejt nihiliste. Denigron arritjet e tjerëve për të vetmen arsye pse nuk është ai protagonisti. Me nekro-politikën e vazhdueshme sikur tenton të jetë protagonist edhe në varrim. Organizimi i protestave në kushte të papërshtatshme për t’u dëgjuar mesazhi politik është prova se agjenda e tij është këmbora anti-perëndimore.
Sidoqoftë vetëm me forcën e shpirtit njeriu mposht obsesionet obskurantiste të specialistëve të gënjeshtrës, të profesionistëve të intrigës, të matrapazëve të kutisë. Sot në këtë ditë të bekuar duhet të kujtojmë të gjithë ato persona që i mbijetuan për dekada burgjeve pa dritë komuniste. Dhe aq sa them për burgun besoj se vlen për çdo traumë, humbje, dhimbje. Mësimi që na kanë dhënë ish-të përndjekurit politikë të persekutuar mizorisht është se nuk duhet të brengosemi, të dëshpërohemi, të trishtohemi sepse ligështimi është një drogë e tmerrshme, një flirt i rrezikshëm. Prania e tyre mes nesh, në këtë ditë të lëvizjes së lirë simbolizon një impuls jetik, dëshirën për të jetuar, për të mbrojtur veten, për të luftuar. Dhe na shtyjnë drejt së ardhmes për të një zgjidhje alternative.