200 mbështetës të PD-së i bashkohen PS-së, Rama: Hap emancipues
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka zhvilluar një takim me një grup prej 200 ish-mbështetësish të së djathtës në Burrel, të cilët kanë vendosur ti bashkohen Partisë Socialiste. Kreu i PS-së, Edi Rama e ka cilësuar si një hap emancipues vendimin e ish-mbështetësve të PD-së për tju bashkuar programit të opozitës. Shqipëria ka nevojë për më pak tifozllëk për partitë dhe për më shumë qytetarë që kudo ku banojnë në qytet apo në fshat votën e tyre nuk e lidhin me besnikërinë e verbër ndaj partisë, por e lidhin me nevojën për të ndryshuar jetën e tyre. Përgjegjësi më i madh për këtë përçarje të madhe mes shqiptarëve është kryetari i PD-së, i cili të gjithë instrumentet e luftës së klasave, e luftës me armikun e brendshëm i mori dhe i vuri në përdorim në kohën e demokracisë, duke e kthyer PD-në nga një parti e shpresës së madhe në një parti familjare që sot nuk ofron asgjë tjetër, përveç gënjeshtrave dhe dasisë. Juve bëni një hap që është shumë emancipues, bëni një hap që është shumë qytetar. Bëni një hap që është vërtet hapi i një rilindjeje, jo në kuptimin e votës në 23 qershor për PS-në, por në kuptimin e kapërcimit të kufirit që mban njerëzit ndarë në emër të partisë dhe i mban të varfër, i mban të papunë, i mban pa shërbime, i mban pa shpresë me atë idenë që puna jonë u pa, por të na rrojë partia, tha Rama.