E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu takim me përfaqësues të USAID

Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Fatmir Mediu, ka zhvilluar ditën e sotme një  takim pune me përfaqësues të USAID.

Objekti i këtij takimi ishte diskutimi lidhur me kuadrin ligjor dhe bashkepunimin për energjitë e pastra dhe efiçencën e energjisë, si dhe bashkërendimi me donatorët e interesuar  për investime në këtë fushë.

Përfaqësuesit e USAID, kishin si synim kryesor të informohen nga MMPAU  mbi situatën, problemet dhe nevojat në sektorët e energjisë dhe mjedisit, duke i dhënë prioritet energjive të rinovueshme dhe efiçencës së energjisë.

Po ashtu interes në takim kishte edhe për njohjen e angazhimeve  që ka Shqipëria, prioritetet e Ministrisë dhe nevojat për zhvillimin, monitorimin dhe përmbushjen e detyrimeve që ka Shqipëria për Energjinë e rinovueshme dhe Efiçencën e energjisë.

Ministri Mediu, pasi informoi përfaqësuesit e USAID për hapat e ndërmarrë nga Shqipëria, u përqëndrua në nevojat që ka vendi ynë lidhur me:

1.            Vlerësimin e impaktit në mjedis të sektorit të energjisë me qëllim të një vlerësimi në nivel kombëtar ose mbi bazën e baseneve të lumenjëve për impaktin në mjedis të veprave hidrike dhe ndërmarrjes së masave për minimizimin e tyre;

2.            Vlerësimin dhe implementimin e përvojave më të mira rajonale dhe ndërkombëtare për hidroenergjinë;

3.            Vlerësimin dhe implenetimin e projekteve për rritjen e efiçencës së energjisë. Shqipëria ka shumë rezerva në këtë drjetim dhe për rrjedhojë ajo përbën dhe prioritet të politikave tona. Energjia diellore dhe energjia e erës janë me rëndësi.

4.            Një tjetër drejtim mbetet edhe vlerësimi i kontributit të sektorit të energjisë në emetimin e gazeve me efekt sere dhe ndërmarrjen e masave në këtë drejtim. Unë e vlerësoj dhe shpresoj shumë së bashkëpunimi në kuadër të memorandumit të përbashkët me USAID, do të na ndihmojë në këtë drejtim.

5.            Menaxhimi i integruar i mbetjeve dhe përdorimi i tyre si burim i energjive të rinovueshme ishte një tjetër drejtim për bashkëpunim.

6.            Po ashtu Shqipëria është e gatshme të jetë pjesë e shumë iniciativave rajonale për bashkërendimin dhe kordinimin në kuadër të promovimit dhe zhvillimit të investimeve në fushën e energjisë së rinovueshme dhe të efiçencës së energjisë.

Nga ana e tij, Jonathan Hale, përfaqësues i lartë i USAID, për rajonin e Europës dhe euroazisë, vlerësoi hapat e ndërmarra nga Shqipëria në këtë drejtim. Po ashtu ai vlerësoi politikat dhe hapat e ndërmarra nga Minstria e Mjedisit në drejtim të mbrojtjes së mjedisit dhe përdorimit efiçent të burimeve natyrore si dhe të promovimit dhe të mbështetjes ndaj investimeve në këtë fushë.

Palët ranë dakort të konkretizojnë hapat e mëtejshme nëpërmjet një programi bashkëpunimi të detajuar dhe konkretizimi me zyrën e USAID në Shqipëri si dhe në përmbushje të aktiviteteve të parashikuara në memorandumin e përbashkët të nënshkruar në Janar të vitit 2013.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›