Berisha: Kontrabandisti Nard Koka pagëzoi aleancën PS-LSI
Kryeministri Sali Berisha ndërsa inauguroi përfundimin e rikonstruksionit të shkollës, 9-vjeçare Meleq Gostinishti, në Përmet sulmoi sërish koalicion PS-LSI dhe akuzoi opozitën se me veprimet dhe qëndrimet e saj ka mbetur 100 vite mbrapa.
Akuzat
Pasi preu shiritin për nisjen e punimeve për rikonstruksionin e rrugës, Picar-Golem, me një gjatësi prej katër kilometrash, shefi i ekzekutivit komentoi me ironi marrëveshjen, PS-LSI. Sipas kryeministrit Berisha kjo aleancë u krijua me ndërmjetësimin e një kontrabandisti. Para 2-3 javësh bëri një aleancë me ndërmjetësinë e kryekontrabandistit të vendit. Pasi ia mbyllëm kanalet e kontrabandës dhe e patën arrestuar atë 6-7 vjet më parë, Nard Koka u fut në aleancë. Në rregull, nuk ka asgjë. Normale, forcat politike bëjnë zgjidhjen e tyre. Po tani u thoshte të tjerëve se duhet të marrim edhe Ilirianin se jemi në qeveri. Po nuk mund të jesh edhe qeveri edhe opozitë. Ose je qeveri ose je opozitë. Kjo është logjika. Se kush është qeveri dhe kush është opozitë, atë e ka përcaktuar Kushtetuta. Disa ditë më parë i deklarova se ngjalat e Nard Kokës do të ngelin në fyt, i ngeli e para. Prisni se ju jap fjalën e nderit që një e nga një gjithsecila, deklaroi kryeministri Berisha.
Arsimi
Gjatë vizitës së tij në Gjirokastër, kreu i qeverisë zhvilloi edhe një bashkëbisedim me studentë të Universitetit të Gjirokastrës. Duke folur para tyre, kryeministri premtoi rritje të cilësisë së arsimit dhe punësim për të rinjtë që diplomohen në universitetet shqiptare. Për sa i përket cilësimit se mësuesit tanë qenkan më të padijshëm se ata që ne kemi pasur 100 vjet më parë, të bësh një deklaratë të tillë do të thotë se të ka mbetur ora 100 vjet mbrapa dhe jo vetëm të fyesh mësuesit e sotëm, por të fyesh edhe ata që themeluan me vuajtje e sakrifica të mëdha arsimin tonë, tha kryeministri Berisha. Duke u ndalur tek alternativa e propozuar nga socialistët, kryeministri e quajti atë të gënjeshtërt, ndërsa renditi disa prej arritjeve të qeverisë gjatë këtyre tetë viteve të qeverisjes së demokratëve.