E Shtunë, 31 Tetor 2026

200 të dënuar kërkojnë amnisti

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Rreth 200 të dënuar presin lirimin me rastin e festave të fundvitit. Kërkesat për amnisti janë dorëzuar në Presidencë dhe mbetet në dorë të Kreut të Shtetit të firmosë ose jo lirimin e tyre. Edhe pse ligji për faljen e të dënuarve pritet të ndryshojë, duke përcaktuar të tjera kritere për përfitimin, të dënuarit kanë dorëzuar kërkesat për të lënë qelitë para përfundimit të dënimit.

Kërkesat

Të dënuarit kanë plotësuar formularin e detyrueshëm dhe i janë drejtuar Kreut të Shtetit për të përfituar nga amnistia e fundit të vitit. Një vit më parë, Kreu i Shtetit fali disa të dënuar më 8 mars duke kompensuar faktin se me rastin e festave të fundvitit nuk fali asnjë të dënuar. Tashmë janë përcaktuar kategoritë që mund të lënë qelitë para përfundimit të dënimit dhe priten verifikimet e dosjeve për të vendosur më pas në lidhje me faljen.

Afatet për kthimin e përgjigjes

Në rekomandimin e tij për një ligj të ri “për faljen”, Avokati i Popullit sugjeronte vendosjen e një afati kohor për dhënien e përgjigjes për miratimin apo jo të faljes, të përcaktohet shprehimisht në ligj. “Mendojmë që të vendoset një afat kohor i arsyeshëm për dhënien e një përgjigjeje që mund të jetë jo më shumë se gjashtë muaj nga data e aplikimit”,- thuhej në rekomandim. Sipas AP-së, ky afat është parë si më se i mjaftueshëm edhe për shqyrtimin e kërkesave për informacione shtesë që mund të kërkojë institucioni i Presidencës nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Dobjani i ka radhitur në rekomandimin e dërguar të gjitha elementet, që duhet të përfshihen në ligjin e ri. Sipas Avokatit, subjektet që do të kenë të drejtën të bëjnë propozim për faljen e dënimit duhet të jenë nga ata persona që janë më afër problemeve të popullit. Me këtë Dobjani nënkupton kryetarët e bashkive dhe komunave ku ka vendbanimin i dënuari, deputeti i zonës elektorale, Avokati i Popullit, organizatat joqeveritare në mbrojtje të të drejtave të njeriut, që ushtrojnë aktivitet human dhe jofitimprurës, shërbimi i provës etj. Në kriteret që një i dënuar duhet të plotësojë për të marrë të drejtën e faljes, AP-ja rekomandon se veç llojit të veprës penale duhen pasur parasysh edhe profili i tij personal, përfshi këtu edhe sjelljen e tij në burg, gjendjen shëndetësore, gjininë, moshën dhe rrethanat familjare. Në rekomandim, Dobjani saktësonte edhe dokumentacionin që duhet të plotësojë organi që ka të drejtën e propozimit të faljes.

Ligji

Pak kohë më parë është hartuar një projektligj, sipas të cilit, pritet të ndryshojnë edhe procedurat për falje. Ministria e Drejtësisë bën të ditur se po shihet mundësia që ky ligj të ndryshojë kështu që duhet të ngrihet një grup pune në këtë institucion për të arritur në ndryshimet e këtij projektligji. Ndërsa presidenti Bamir Topi ka pohuar dy ditë më parë se do të ketë falje, por nuk ka dhënë një afat të përcaktuar.
Dikasteri i Drejtësisë është duke verifikuar të gjitha kërkesat e dërguara nga Presidenca për të dënuarit. Ndërkohë deri tani kanë pasur prioritet minorenët, femrat, ata që janë mbi moshën 60 vjeç, të sëmurët kronikë si dhe ata që kanë edhe pak vite burg për të vuajtur.

Kërkesa

Avokati i Popullit e cilëson miratimin e ligjit të ri si bashkëkohor, do të ishte një hap i rëndësishëm, sidomos për të siguruar transparencën e duhur nga autoritetet përkatëse, për të mos u lënë vend edhe komenteve abuzive të përdorura vitet e fundit. Ligji aktual është i përbërë gjithsej me vetëm 5 nene dhe nuk përmban shumë elemente thelbësore që duhet të ketë një ligj i rëndësishëm për legjislacionin shqiptar. Në asnjë prej neneve të këtij ligji nuk përcaktohen kriteret që duhet të plotësojë çdo i dënuar për të pasur të drejtën e faljes, siç mund të jenë lloji i veprës penale, mosha, gjinia, gjendja shëndetësore, familjare etj. Avokati i Popullit mendon se një ligj i ri për faljen duhet të përcaktojë në mënyrë të detajuar shumë elemente të tjera. Aktualisht, rregullimi ligjor i së drejtës së ushtrimit të faljes bëhet nga neni 92/b i Kushtetutës së Republikës që përcakton se “Presidenti ushtron të drejtën e faljes sipas ligjit” si dhe nga neni 70 i Kodit Penal që përcakton se “Me aktin e faljes organi kompetent përjashton tërësisht apo pjesërisht personin nga vuajtja e dënimit të dhënë me një vendim gjyqësor ose bën zëvendësimin e dënimit me një lloj dënimi më të butë”, si dhe nga ligji nr. 6299.

Kriteret

Për të përfituar nga dekreti i Presidentit në fund të vitit, për të lënë qelinë para përfundimit të dënimit, duhen plotësuar një sërë kriteresh. Kreu i Shtetit informohet për dënimin dhe gjithë dosjen penale të kërkuesit para se të firmosë listën e amnistisë për të dënuarit. Drejtoria e Burgjeve njofton Presidentin në lidhje me sjelljen në institucionin e vuajtes së dënimit. Deri tani ka qenë Presidenti ai që jepte verdiktin e fundit mbi të burgosurit që përfitonin falje të dënimit. Sipas ligjit në fuqi, në vlerësimin e kërkesave apo propozimeve për falje, Presidenti gjykon nëse i dënuari e ka shlyer fajin, për të cilin shoqëria e ka dënuar, si dhe nëse i dënuari e ka arritur rehabilitimin e tij dhe është në gjendje të rikthehet në shoqëri me vlerat që ajo kërkon. Ky vlerësim bëhet në bazë të dokumenteve dhe informacioneve që vijnë edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, që së bashku me dokumentet që kërkon ligji sjell dhe një dinamikë të vuajtjes së dënimit, pra se sa është dënimi dhe sa mbetet për tu vuajtur, si dhe një karakteristikë për sjelljen e të dënuarit në institucionin e riedukimit. Kjo karakteristikë sqaron nëse i dënuari ka sjellje korrekte në burg, nëse ndaj tij është marrë ndonjë masë disiplinore, kontaktet dhe lidhjet e tij me familjen, angazhimi në punët e përgjithshme në burg, pra elemente që tregojnë nëse i dënuari e ka ndier fajin që ka kryer dhe është drejt rehabilitimit të tij social. Në vlerësimin e kërkesave për falje, Presidenti merr gjithashtu në konsideratë gjendjen shëndetësore të të dënuarit, gjendjen familjare të të dënuarit etj. Presidenti nuk ka kufizime në kohë për ushtrimin e së drejtës së faljes. Pra, kur Presidenti gjykon se mund ta ushtrojë këtë të drejtë, ai mund ta bëjë këtë. Duhet theksuar se faljet nuk janë fushata masive, por për shkak të një tradite. Faljet kanë përfshirë si faljen e tërë dënimit të mbetur, ashtu edhe një pjesë të dënimit. Kjo bëhet për tu treguar të dënuarve dhe të interesuarve të tjerë se autoritetet nuk i kanë harruar, por e kanë rehabilitimin e të dënuarve në vëzhgim dhe e vlerësojnë atëherë kur duhet.

Përfituesit
1. Minorenët
2. Femrat
3. Ata që janë mbi moshën 60 vjeç
4. Të sëmurët kronikë
5. Ata që kanë edhe pak vite burg për të vuajtur

Përjashtohen
1. Të dënuarit për vrasje
2. Për shfrytëzim prostitucioni
3. Trafikim të lëndëve narkotike
4. Ata që janë dënuar nga Krimet e Rënda

Ky lajm është publikuar: 15/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›