E Diel, 1 Nëntor 2026

Energjia, Drejtori i OSSH: “Qeveria e ka firmosur më parë rritjen e çmimit”

Autori i Lajmit: Silvana Balliu
Një ditë para publikimit nga Enti Rregullator, të tarifave të reja të energjisë, pronarët e rinj çekë të OSSH-së kanë paralajmëruar, se në rast se do të mbeten të pakënaqur nga rritja, ata mund ti drejtohen për zgjidhje Bankës Botërore, e cila ka dalë garant për këtë proces.
Banka Botërore ka ngurtësuar një fond, i cili do të përdoret vetëm në rast se qeveria shqiptare nuk rrit sa duhet tarifat e reja, të cilat janë parashikuar të jenë çdo vit 18% më të larta. Kjo do të thotë, se ky do të jetë niveli dysheme me të cilin do të përballen qytetarët, nga 1 janari i vitit të ardhshëm. “Kemi arritur marrëveshje me qeverinë që nga viti 2010 deri në 2014 energjia të rritet çdo vit me 15 % + normën e inflacionit. Kjo rritje do të na jepte ne garancinë për të vijuar me investimet. Enti Rregullator është i detyruar ta zbatojë këtë marrëveshje, pasi në të kundërt ne i drejtohemi Bankës Botërore. Ndaj enti duhet të reflektojë mbi dokumentin që ai vetë ka firmosur”- u shpreh Jozef Hejsek, Drejtori i Përgjithshëm i OSSH-së. Edhe pse kjo konferencë e parë për shtyp e pronarëve çek vjen një ditë para përcaktimit të tarifave, drejtuesit e kompanisë mohojnë që ajo të jetë një presion ndaj strukturave të shtetit.

Borxhet

Drejtori evidentoi një sërë institucionesh buxhetore dhe private që i kanë borxh OSSH-së, detyrime këto që arrijnë në 24 miliardë lekë. Një prej kompanive debitore është edhe rafineria e vetme e naftës në vend, e cila drejtohet nga biznesmeni Rezart Taçi. Drejtori i OSSH-së nuk preferoi ta bëjë publike emrin e rafinerisë, por ai deklaroi borxhin që ajo i ka. “15 milionë lekë na ka kjo rafineri. Ndërkohë që kompanitë e tjera na detyrohen në shumën prej 91 milionë lekë”- thotë Hejsek. E nëse kësaj situate do ti shtonim edhe humbjet teknike, atëherë bilanci do të përkeqësohej më tej. Por drejtori paralajmëroi se do të nisë një fushatë të ashpër për të arkëtuar çdo detyrim. Sipas tij i është dërguar shkresë zyrtare pushtetit lokal, ku kërkohet, që të paguajnë energjinë. Nëse këtë nuk e realizojnë do ti paralajmërojmë që ti ndërpritet energjia. E njëjta praktikë, tha drejtori është ndjekur edhe në Çeki dhe ka pasur rezultat. Sot Enti Rregullator pritet të publikojë tarifat e reja të cilat me sa duket nuk do të jenë të kënaqshme për pronarët e rinj çek. Në një deklaratë të posaçme për mediet, Heisek u lëshoi apel dhe konsumatorëve duke thënë se faturat e papaguara do të zgjidhen nëpërmjet gjykatës dhe nëse nuk paguhen brenda një afati kohor prej 10 ditësh do të ketë ndërprerje të energjisë. “Faturat e energjisë ne i kemi dërguar. Madje, kemi dërguar edhe letra, ku i kërkojmë debitorëve shlyerjen e faturave, por ata sërish nuk paguajnë. Ne këtë situatë nuk mund ta tolerojmë më, dhe nëse 17 % e debitit nuk paguhet brenda 10 ditëve, duke filluar nga sot do të ndërpresim energjinë. Gjithashtu ka pasur ndërhyrje dhe tek aparatet e energjisë elektrike nga konsumatorët mbase këta të ndihmuar dhe nga njerëzit tanë. Ne do ti ndëshkojmë ata me fakte duke i çuar në gjykatë”, ka përfunduar fjalën e tij drejtori Jozef Hejsek.

OSSH do të pushojë nga puna
450 punonjës në fund të vitit

Drejtori i Bordit Drejtues të OSSH-së, Josef Hejsek paralajmëroi edhe shkurtime të vendeve të punës në fund të këtij muaji, në përmbyllje të vitit. “Në mënyrë që të rrisim profesionalizmin, në fund të këtij viti do të OSSH-ja do të pushojë rreth 450 punonjës, të cilët nuk kanë specializimin e duhur. Në këto momente OSSH-ja ka probleme me faturimin dhe për këtë duhet që të punohet shumë që të përmirësohet”, tha Hejsek. Për sa i përket çmimit të energjisë, ai përsëriti se do të respektonin vendimin e ERE-s, megjithëse rritja është e domosdoshme në mënyrë që të rritet edhe korporata e OSSH-së.

Ky lajm është publikuar: 15/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›