20,000 sindikalistë kroatë ultimatum qeverisë

Gjatë protestës së sotme në Zagreb, në të cilën morën pjesë rreth 20,000 qytetarë e sindikalistë, përfaqësuesit e sindikatave të Kroacisë kërkuan nga qeveria që urgjentisht të ndërrojë drejtimin e politikës ekonomike, ose do të përballet me zgjedhje të jashtëzakonshme, menjëherë pas hyrjes së vendit në BE, më 1 korrik.
Tubimit i parapriu marshimi protestues nga sheshi i Republikës së Francës e deri tek sheshi Ban Jelacic, pjesë e të cilit, sipas mediave, ishin mbi 15,000 njerëz. Marshimi dhe tubimi protestues u organizua nga pesë sindikata kroate, me moton “Ndryshojeni drejtimin”, ndërsa në Zagreb kishin ardhur sindikalistë nga gjithë Kroacia.
"Po ju ofrojmë shansin e fundit që të ndërroni drejtimin, të nxisni prodhimin, të hapni vende të reja pune dhe të solidarizoheni. Në të kundërtën, qeverinë e presin zgjedhje të parakohshme’, porositi para punëtorëve dhe qytetarëve të mbledhur në sheshin qendror zagrebas Ban Jelacic, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kroacisë, Mladen Novosel.
Fjalime rasti mbajtën edhe krerët e tjerë të sindikatave, të cilët nënvizuan se qeveria e qendrës së majtë i ka tradhtuar idetë dhe vlerat që i përfaqëson.
Ndryshe, tubimin e madh sindikal e mbështetën edhe partitë opozitare kroate, shumë shoqata qytetare dhe OJQ, shoqatat e shumta të veteranëve të luftës dhe Kisha Katolike e Kroacisë./Indeksonline./