Ndarja me nobelistët
Një datë jo e mbarë për fushën e letrave dhe të mendimit, 4 janari. Në një distancë prej 5 vitesh, ndahen nga jeta dy nga emrat më të mëdhenj të letërsisë dhe mendimit kritik e filozofik, Alber Kamy dhe Tomas Eliot. Dy njerëz që sollën një frymë të re në letërsinë e kohës kur jetuan. Dy fitues të Çmimit "Nobel". I klasifikuan dhe i renditën në lëvizje të ndryshme letrare, për të cilat jo rrallë herë ata vetë kishin kundërshti. Çka mbetet është emri dhe vepra e madhe. Të dy "të dënuar" në Shqipëri, të papërkthyer deri në vitin 1990.
Thomas Stearns Eliot u lind më 26 shtator 1888 dhe vdiq më 4 janar 1965, poet, dramaturg dhe kritik letrar. Lindi në Amerikë, por u zhvendos në Britaninë e Madhe në vitin 1914 në moshën 25-vjeçare, por u bë shtetas britanik vetëm në moshën 39-vjeçare. Mori Çmimin Nobel në vitin 1948. Shkroi poemat "Kënga e dashurisë së J. Alfred Prufrok", "Toka e shkretë", "Katër kuartetet", dramat "Vrasje në katedrale", "Kokteil parti". Vepra me të cilën u prezantua në shqip pas periudhës së ndalimit, madje në dy variante përkthimi nga Rudolf Marku dhe Ukë Buçpapaj, është "Tokë e shkretë", që për herë të parë do të botohej në vitin 1922. Ishte periudhë e vështirë në jetën personale, martesa mund të quhej e dështuar dhe vuante nga kriza nervore. "Toka e shkretë" është lexuar shpesh si një vepër që shpreh zhgënjimin e pasluftës. Kohë përpara se vepra të botohej në formën e librit, Eliot e distancoi veten nga vizioni i dëshpëruar i poemës. "Toka e shkretë", nuk është një nga ato vepra që mund të lexohen pa një sfond leximi paraprirës mbi fenë, qytetërimin, historinë etj. Mes vargjesh këmbehen folësit, vendet, kohët, kulturat. Konsiderohet si një plotësim në vargje i "Uliksit" të James Joyces, që doli në të njëjtin vit. Ndër frazat më të famshme të tij janë "Prilli është muaji më mizor", "Do ta shoh frikën tënde në një grusht pluhur".
Alber Kamy u lind më 7 nëntor të vitit 1913 dhe vdiq më 4 janar 1960. Shkrimtar dhe filozof francez, fitues i Çmimit "Nobel" në vitin 1957. I klasifikuar përkrah Zhan Pol Sartrit si një autor që ngriti një vepër të tërë mbi frymën e ekzistencializmit, ai vetë do ta refuzonte këtë etiketë. "Jo, nuk jam një ekzistencialist. Sartri dhe unë jemi befasuar gjithnjë kur kemi parë emrat tanë në këtë listë". Megjithatë në veprat e tij ndihet prirja ndaj filozofisë dhe nihilizmit. Një nga shprehjet e tij të famshme është: "Të gjithë ne, gjatë rrënimit, përgatisim një rilindje përtej kufijve të nihilizmit. Por pak nga ne e dinë këtë". Kamyja preferonte të bëhej i njohur më shumë si njeri dhe si mendimtar, sesa si anëtar i një shkolle apo ideologjie. Kur mori çmimin "Nobel" ai u bë i dyti nobelist në moshë të re, pas Kiplingut, por në të njëjtën kohë afrikani i parë (vendi i lindjes Algjeria) që merrte këtë çmim. Vdiq vetëm 3 vjet pas marrjes së çmimit, në një aksident automobilistik. Në Shqipëri është i njohur me të famshmen ese "Miti i Sizifit", romanet "I huaji", "Murtaja" e "Rënia".