E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një kalorës për Gjipalin

Tenori shqiptar interpreton në operën "Manon Lescaut" që hap sezonin operistik në Gjenovë
Njihet si historia e kalorësit De Grieux dhe Manon Lescaut. Pikërisht rolin e kalorësit De Grieux interpreton tenori Josif Gjipali në hapje të kalendarit operistik në Operën e Gjenovës. Në datën 10 janar, në skenën gjenoveze ngjitet një nga veprat më të mëdha të Puccinit, "Manon Lescaut". Është respektuar epoka si në skenografi, ashtu edhe në kostume. Manon interpretohet nga Micaela Carosi që dy vjet më parë fitoi çmimin "Abbiati" të Kritikës muzikore italiane, Lescaut nga Gabriele Viviani, Geronte nga Carlo Lepore, etj.
Katër shkrimtarë të mëdhenj të teatrit Giuseppe Giacosa, Luigi Illica, Domenico Oliva e Marco Praga, botuesi Giulio Ricordi dhe dy muzikantët, Ruggero Leoncavallo dhe vetë Puccini, u mblodhën kokë më kokë për të ndërtuar një libret të ri nga "Historia e vërtetë e kalorësit De Grieux dhe Manon Lescaut" shkruar nga Antoine-François Prévost. Vepër me të cilën Massenet triumfoi nëntë vjet më parë. Një operë që Puccini e njihte mirë dhe donte të matej. Në Torino në 1 shkurt 1893, triumfi i "Manon Lescaut" u bë suksesi i parë i vërtetë dhe bekimi i Giacomo Puccinit. Trajtimi i historisë është kompleks pasi duhet të kalosh situata të ndryshme për të arritur në fundin tragjik. Ndërsa muzika ndjek dashurinë e dy të rinjve, studentit Renato (Josif Gjipali) dhe 18-vjeçares Manon, që ishte nisur për në një manastir. Vepra ka arie të mrekullueshme si në momentet e dëshpërimit, ashtu dhe në ato të trishtimit. Vepra do të ngjitet në skenë deri në datën 20 janar.
Roli i radhës për tenorin shqiptar është ai i Rikardos në "Një ballo me maska" në muajin mars në Marsejë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›