Shqipëria, pa koment në Luce
Rreth 150 orë dokumentarë shqiptarë shërbehen on line nga dje në arkivin italian "Luce". Gjysmë shekulli Shqipëri u tregohet pa koment italianëve
Filma dokumentarë shqiptarë rreth 150 orë, ka dy ditë që janë hedhur on line në portalin e arkivave prestigjioze italiane, "Luce". Përkrah tyre edhe rreth 160 foto. Për të gjithë ata që njohin vlerën e një vepre arkivale dhe muzeale më në fund të hedhur në memorjen elektronike, ky do të ishte një lajm i mirë. Gati katër vjet pas fillimit të një projekti të përbashkët ndërmjet Institutit Luce dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit Shqiptar, koordinatori dhe iniciatori i këtij projekti, Roland Sejko, na tha se "ky shërbim u kryhet arkivave që janë të pasura në metrazh ose në numër orësh dhe që për buxhetet që kanë nuk janë në gjendje të ndjekin zhvillimet moderne të katalogimit, dixhitalizimit dhe teknologjisë, siç është vënia on line. Kjo është jo vetëm ndihmesë ekonomike, por me vendosjen pranë portalit të vetë arkivave nga më të mëdhenjtë në botë, ua jep këtë pasuri edhe italianëve". Për këtë frazë të fundit "ua jep këtë pasuri italianëve" kushedi çfarë reagimesh do të kishte sot drejtori i arkivave tona Artan Minarolli, nëse nuk sqarohet si duhet kjo punë. 150 orë filma dokumentarë që janë shumë më të kërkuar se filmat artistikë, janë hedhur në portalin e Luces në një format që i shërben kërkuesve vetëm për informacion. Pra nuk mund të piratohen. Mjaft të futesh on line të bësh kërkimin, dhe të zgjedhësh formatet quick time, real dhe windows media. Pas këtij informacioni kërkuesi është më i qartë për të bërë porosinë pranë Arkivit Shqiptar të Filmit, logon e të cilit mbajnë materialet. Minarolli thotë se deri dje ky arkiv ka pasur një shërbim fare lokal, madje të interesuarit kudo që të ishin duhej të vinin deri aty për të parë një material filmik. Ndërsa nga dje "ky shërbim on line nëpërmjet partneritetit të Luces, është me vlerë për hapjen e arkivave ndaj publikut, për ndërkombëtarizimin e tyre, është me vlerë për imazhin e vendit tonë dhe sigurisht edhe për buxhetin e arkivit", sqaron Minarolli.
Kërkimi në adresën Http/albania.archivioluce.com mund të bëhet me dy gjuhë, shqip dhe italisht, shumë shpejt edhe në anglisht. Në plan të parë të portalit është dokumentari "Aleksandër Moisiu" i vitit 1960. I kushtohet aktorit shqiptar të teatrit dhe aty mund të dëgjohet monologu i Hamletit me të cilin Moisiu u bë i njohur dhe veç kësaj gjen edhe një pjesë filmike të vitit 1935. I promovuar me të njëjtën dukje është edhe dokumentari "Shembja e idhujve", i vitit 1990 i realizuar si montazh dokumentarësh të AQSHF-së dhe ku shfaqet historia e Shqipërisë që nga pushtimi fashist deri në rënien e regjimit komunist. Është nga ata dokumentarë që përmban një pasuri filmike të dokumentarëve dhe kinoditarëve që mbulojnë harkun kohor ndërmjet viteve 1945 deri në ditët sot. Në AQSHF ndodhen rreth 5000 tituj të tillë. Të kësaj kohe, pra gjysmë shekulli, janë dokumentarët që gjen on line në www.archivioluce.it. Historia e pasluftës nis me dokumentarin "Shqipëria 1945" realizuar me ndihmën e operatorëve dhe montazhierëve sovjetikë, dhe vazhdon me dokumentarët dhe kinoditarët që do të relizohen sigurisht për qëllime propagandistike të regjimit komunist, qëllime për të cilat u hap edhe "Kinostudio Shqipëria e Re". Filmi i fundit që mbyll këtë histori është dokumentari "Alleluja" i vitit 1991.
Por brenda archivio luce.com, për Shqipërinë dhe shqiptarët e viteve 1920-1943, gjen dokumentarë të realizuar nga operatorët e vetë Luces, mjaft të kërkosh me "Albania".
Koordinatori i portalit të Luces, Roland Sejko dhe ish-drejtoresha e arkivit të filmit, Natasha Lako, na kthejnë 3-4 vjet pas kur lindi projekti 30 mijë euro. Në këtë investim ishte edhe kontributi i Rajonit të Lacios, ku përfshihej edhe një dokumentar për Shqipërinë. Sejko shpjegon se në vitin 2003 Instituti Luce po përpiqej të vendoste një bashkëpunim me vendet e Lindjes, "me qëllim kryesor për t'i konsideruar arkivat historikë si depozita të kujtesës vizive dhe që janë në gjendje të rindërtojnë të shkuarën dhe njëkohësisht të shërbejnë si material studimi për të parë se si diktaturat e kanë përdorur mjetin kinematografik për propagndë."
Për atë vit të fillimit të bashkëpunimit ish- drejtoresha Lako kujton se ishte një kohë kur arkivi me zor mbante një numër telefoni e jo më një kompjuter, pikërisht atëherë "ishte një iniciativë e guximshme për të thyer konceptin e arkivave të mbyllura. Në fakt kur shikon hartën e botës, vë re se vendet më të përparuara kanë modelet më të mira të arkivave. Tashmë arkivat e kanë ndërruar misionin e tyre klasik që do të thotë se nëse nuk shfrytëzohen s'ka kuptim vetëm ruajtja e asaj trashëgimie". Lako e quan mëse të suksesshme arritjen e kësaj dite kur përmes portalit të një arkivi kaq të rëndësishëm sa Luce, imazhi dhe njohja e Shqipërisë të vijë pa koment. "Ju nuk e dini se sa shumë kineastë të huaj janë të interesuar të shfrytëzojnë materialet tona arkivore. Tani duhet t'i falenderojmë të gjithë bashkëpunëtorët që ia dolën të mbyllin një punë kolosale",- përfundon Lako.
Projekti nuk mbyllet këtu. Mbeten edhe 50 orë për t'iu shtuar filmave dokumentarë shqiptarë, dhe ka të ngjarë të ketë një rinovim të bashkëpunimit mes dy arkivave.
Histori
Instituti Luce me seli në Romë është institucioni më i vjetër publik i krijuar me qëllim shpërndarjen e prodhimit kinematografik. I krijuar më 1924, do të shndërrohej në instrument propagande për regjimin fashist dhe do të përfshihej në prodhimin dhe shpërndarjen e filmit dhe dokumentarëve të destinuar për sallat e kinemave.
"L'Unione Cinematografica Educativa", shkurt "Luce", do të themelohej nga Benito Mussolini me qëllim propagandën. Më 1936 "Luce" del nga varësia e drejtpërdrejtë e kreut të qeverisë dhe kalon në varësi të Ministrisë së Shtypit dhe Propagandës. Po këtë vit pranë tij vihet guri i themelit i Cinecitta dhe i Qendrës Eksperimentale Kinematografie.
Pas luftës së dytë botërore Instituti Luce merret me prodhimin e dokumentarëve dhe filmave artistikë (regjisorë si Pupi Avati, Marco Bellocchio, Claude Chabrol, Ermanno Olmi, Ettore Scola).
Arkivi Historik Luce është një nga pak arkivat kinematografikë në botë që vë në dispozicion përmes internetit trashëgiminë filmike. Ai përmban 12.000 kinoditarë, 9.000 dokumentarë dhe 3.000.000 imazhe. Seria e dokumentarëe përfshin ata që janë prodhuar nga Instituti Luce që prej vitit 1924 deri në vitet '60, përfshi ata që janë shpërndarë nga vetë instituti.