E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dimri i fundit i qeverisë

Qeveria e kryeministrit Sali Berisha e mandatuar në shtator 2005, ka hyrë në vitin e tretë të mbajtjes së pushtetit Ekzekutiv dhe dimri i ardhshëm do të jetë i fundit për të. Zgjedhjet e rregullta parlamentare mendohet të bëhen në mesin e vitit 2009.
Në vendin më të varfër të Europës, prej ardhjes në pushtet të koalicionit të djathtë, ka mbizotëruar stanjacioni ekonomik, ulje e rritjes ekonomike nga 6 e vitit 2005 në 5 e vitit që kaloi dhe shumë indekse të tjerë kanë shënuar hapa prapa, përfshirë edhe shkallën e lartë të korrupsionit, ekonomisë informale dhe uljes së varfërisë. Aspekti më trishtues është fakti se opinioni publik dhe partitë opozitare janë pajtuar me frymën "shtyje ta shtyjmë", ndërsa vendit i duhet shumë punë dhe shumë reforma për të mos mbetur në bisht të vendeve ballkanike.
Në ditën e katërt të dimrit të fundit në pushtet, kryeministri i vendit nuk gaboi për të rifreskuar programin e hershëm që kishte qeveria e tij në shtator 2005, por shpalli programin e vitit 2008, i cili ka një emërues të përbashkët: privatizimin e atyre sektorëve strategjikë, që ende janë nën pronësinë e shtetit, siç janë KESH, ARMO, apo INSIG-u. Dhe ky privatizim me goditje të përqëndruar bëhet një vit, pasi sipas listës së prezatuar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, janë bërë vetëm gjashtë miratime privatizimesh që janë ish-prona të ministrive si shtëpi rinie, hotele të vogla, oficina, depo ndërmarrjesh bujqësore apo ish-zyra të vjetra drejtorish nëpër rrethe.
Z.Berisha është shquar për prezantimin e projekteve ambicioze, por që deri më sot kanë mbetur në letër, sepse ai është kryeministri i nismës "Shqipëria 1 euro", furnizimit të Durrësit me ujë të pijshëm nga shkripëzimi i ujit të detit Adriatik apo së fundi i centralit atomik. Por kur vjen puna për pronësimin e ekonomisë publike, qeveeritarët kanë treguar se nguten, sigurisht për të patur edhe ata pjesën e tyre në pasurinë publike të ndërtuar me mundin dhe gjakun e shqiptarëve. Shembulli i freskët është qeverisja e kaluar e Fatos Nanos. Ajo arriti të bënte privatizimin e të vetmes bankë shtetërore të nivelit të dytë, e cila kishte mbetur në duart e shtetit. Ish-Banka e Kursimeve iu shit një kompanie austriake me përvojë të çmuar në tregun bankar, por me një çmim të konsideruar të ulët për asetet dhe depozitat që ajo kishte grumbulluar në vite, pasi ishte banka me depozitat më të mëdha të shqiptarëve.
Publikisht ish-kryeministri Nano dhe stafi i tij morën vetëm nga pesë rroga shpërblim për këtë privatizim, i cili u dënua shumë ashpër nga ish-opozita e atëhershme e z.Berisha, por dyshohet se kishte patur ndonjë pazar për ta ulur aq shumë vlerën e privatizimit. Në maj 2005, dy muaj para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, qeveria e z.Nano firmosi marrëveshjen e shitjes së kompanisë së vetme të telefonisë fikse në vend, Albtelekom, për turqit e firmës "Calik-Enerji", e cila nuk kishte përvojë në menaxhimin e telekomunikacionit. Çmimi prej rreth 120 milionë eurosh u konsiderua qesharak për kompaninë, që kishte monopolin e telefonisë fikse, ndërlidhjes dhe që do të fuste edhe operatorin e tretë celular në vend. Opozita e dënoi këtë transaksion qeveritar dhe anulimi ishte pjesë e programit qeverisës të z.Berisha. në programin e qeverisë 2005-2009 thuhet tesktualisht se: "Qeveria uk e njeh aktin e privatizimit të Albtelecom si një akt i kryer ne kushtet e mungesës së plotë të transparencës mbi këtë proces. Qeveria do të angazhojë ekspertë të pavarur ndërkombëtarë për të vlerësuar këtë proces dhe marrjen e një vendimi përfundimtar bazuar në këtë vlerësim të paanshëm".
Saga e Albtelekomit vijoi dy vjet, qeveria angazhoi edhe kompaninë audituese për të vlerësuar privatizimin, duke paguar edhe disa dhjetra mijë euro, por nuk arriti ta anulojë privatizimin, megjithëse kompani të tjera perëndimore, me përvojë në telekomunikacion paraqitën oferta më të mira për buxhetin e shtetit shqiptar. Qeveria nuk arriti ndërkohë të mbante as premtimin për rritjen e shkallës së penetrimit të telefonisë fikse për abonentët familjarë në 90, kur aktualisht vazhdon të jetë rreth 30 për qind, ose në vendet e fundit në Europë.
Qeveritë janë sprovuar për të telendisur kompanitë e synuara për privatizimin në ndërmarrje që mezi mbahen në këmbë, që nuk japin por marrin fonde të konsiderueshme nga buxheti i shtetit. Shembulli më i qartë është KESH-i, kompania shtetërore që ka monopolin për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike në vend. Ajo ka performancën më të keqe se në vitin 1997, sipas specialistëve, megjithëse qindra milionë euro janë shpenzuar për ndërtimin e stacioneve, rehabilitimin e rrjetit dhe modernizimin e agregatëve nëpër HEC-e. Qeveria kërkon të privatizojë shpërndarjen e energjisë, pikën më të dobët të koorporatës, e cila nuk arrin të faturojë dhe të arkëtojë pagesën e energjisë elektrike në shumë zona të vendit. Niveli i faturimit është shumë i ulët, dhe në vend të saj përdoret fatura afrofe, ndërsa humbjet në rrjet shkojnë deri në 50 për qind.
Shembulli tjetër është INSIG-u kompania e vetme shtetërore privazimi të cilës është nisur që në vitin 2000. Zyrtarisht thuhet se "INSIG mbetet shoqëria më e fuqishme në tregun e Sigurimeve në kushtet e një konkurence të plotë dhe me një shtrirje rajonale ne territorin e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë", por ajo e ka humbur pozicionin lider në treg, falë edhe allishverisheve shtetërore. Nuk është çudi që entet shtetërore të preferojnë sigurimin te kompanitë private, në kurriz të kompanisë shtetërore.
Katandisja e kokoshit një thelë e pasurisë publike të Shqipërisë, është një proces që ka nisur prej shkatërrimit të ekonomisë 100 për qind shtetërore të trashëguar nga sistemi komunist. Shumë vende ish-komuniste, arritën, falë menaxhimit të kujdesshëm ti shndërronin privatizimet, në mjete monetare për të shtuar investimet në sektorë jetikë vendit, si në shëndetësi, arsim dhe infrastrukturë, ndërsa ndërmarrjet e privatizuara janë shndërruar në promotorë të zhvillimit ekonomik. Kjo nuk ka ndodhur në Shqipëri, sepse ato që duhet të merrnin qytetarët i morën zyrtarët mbi dhe nën dorë. Kësaj nuk mund t'i shpëtojë as qeverisja aktuale shqiptare, e cila është renditura si qeverisja e tretë më e korruptuar në ranglistën botërore për vitin 2007, por edhe për faktin se 2008-a, ky vit privatizimesh të mëdha është i fundit, i qeverisë Berisha, në rrugën për të dalë në opozitë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›