E Diel, 1 Nëntor 2026

Beqja: Rritja e pensioneve minimale

Për 100 mijë pensionistë të qytetit rritja prej 6.7 % në vit është rritja më e ulët e pensioneve në 17 vjetët e fundit. Ndërkohë që inflacioni i pensionistëve që prej muajit mars 2008 është rreth 6 %.

Kështu është shprehur sot përfaqësuesi i Selisë Rozë, Ilir Beqja. “Në fshat gjendja e pensionistëve mbetet skandaloze, megjithëse kryeministri mburret me një rritje të pensioneve të fshatit që vlen vetëm sa për të blerë bukë dhe paguar energjinë elektrike dhe ujin. Janë 48 mijë pensionistë në fshat, apo më shumë se 1/3 e tyre,  me pensione të pjesshme që akoma kanë të ardhura mujore më pak se 5 mijë lek”.

 Rritja prej 35 % në të tri vitet bashkë është vetëm për pensionistët në qytet që marrin pension minimal, sepse për 37 mijë pensionistë të tjerë në qytet që marrin pensione të pjesshëm, të ardhurat mujore nuk kalojnë akoma 10 mijë lekë në muaj.

“Qeveria e kryeministrit që vijon të rrëshqasë në drejtim të paditur nuk e llogariti dhe nuk e shpalli kurrë minimumin jetik. Partia Socialiste do ta bëjë këtë qysh në fillim të mandatit të saj. Kjo është nja nga detyrat e para të shtëpisë për një qeveri që mendon seriozisht për pensionistët” – tha Beqja.

Shtrenjtimi i ndjeshëm i jetesës tregon se edhe rritja e pensioneve në korrik 2008 nuk mjafton as për të kompensuar koston e disa elementeve bazë të jetesës së një familje pensionistësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›