2008 Ka qenë më i mirë apo më i keq për shqiptarët?
Një përrallë për të mirën e keqe dhe të keqen e mirë
Ka qenë padyshim një vit ngjarjesh me përmasa botërore: Shpallja e pavarësisë së Kosovës, kriza financiare në botë,zgjedhja e Barack Obamas President i SHBA-ve, lufta Gjeorgji-Rusi, etj.
Po për Shqipërinë? Ka qenë një vit më i mirë apo më i keq? Mund të zgjidhet qëndrimi (auto)ironik i P. Kullës: (secili e bën analizën duke parë veten dhe ata që njeh...). Mund të zgjidhet vështrimi historik dhe panshqiptar i Arbër Xhaferrit; ose apeli i mprehtë i përsëritur i A. Vehbiut mbi kombëtarizmin tonë primitiv dhe autoritar; pesimizmi i I. Totozanit ose satira e L. Dervishit. Cilado qoftë pika e vështrimit, në pyetje të tilla, përgjigjja do të mbetej gjithëherët e debatueshme.
Një mënyrë për të gjykuar janë sondazhet. Në “Shekulli online” (shekulli.com.al), prej tri javësh ka një sondazh pikërisht me këtë pyetje: “Ka qenë 2008-a një vit i mirë apo i keq për Shqipërinë?” (enkas është përdorur kufizimi “për Shqipërinë”, për të mos ndikuar gjykimin me ngjarjen e madhe të pavarësisë së Kosovës). Deri mbrëmë rreth orës 21.00 kur u shkrua kjo hyrje e shkurtër, numri i votuesve ishte 4250 dhe gjykimet “më i mirë” e “më i keq” ishin rrotë më rrotë, thuajse nga 50 për qind secila. Por edhe sondazhet on-line kanë dobësitë e tyre. Mundësia e manipulimit është e lartë. Në këto raste ka shpeshherë mobilizime militante. Pra, politika mund t’i fusë hundët edhe aty.
Më mirë apo më keq?
Tregojnë se dikur, në një fshat shumë të varfër, jetonte dikush në skamje të pazakontë. Përfytyroni: më i varfëri, i një fshati të varfër.
I mblidheshin mbrëmjeve fqinjët dhe i thoshin: “Oh, mjeri ti o njeri. Sa i varfër je, çfarë fat i keq...”
Dhe përgjigja e të skamurit ishte: “Po nuk i dihet, për mirë a për keq...”.
Një ditë prej ditësh kalon në atë fshat një karvan të kamurish. Kreu i karvanit ndalet dhe bën habi me mizerjen që sheh përreth. E pyet kalimtarin e parë: Cili është më i varfëri i këtij fshati? Dhe kalimtari i përgjigjet pa hezitim: “Oh, është filani..”
E thërret i kamuri të skamurin. I fal kalin e tij të bardhë. Një kalë i bardhë, i fuqishëm, në mes të asaj varfërie.. Një pasuri e vërtetë. Dhe fqinjët u rimblodhën mbrëmjes: “Oh, lum si ti o njeri. U bëre nga më i varfëri, më i pasuri i fshatit, oh çfarë fati paske pasur...”.
Dhe përgjigja e të skamurit ishte: “Po nuk i dihet, për mirë a për keq...”
Ca ditë më pas, djali i vetëm i fukarait, i hipën kalit të bardhë.Niset revan në pyll. Nuk i njihte shtigjet kali i falur. Shkon pa kontroll buzë humnerës dhe hidhet. Kali ngordh, djali i fukarait mbetet sakat.
Dhe fqinjët u rimblodhën mbrëmjes: “Oh, sa i mjerë paske qenë... Edhe njëherë që të ndriti fati, të mbeti djali sakat...”
Dhe përgjigja e të skamurit ishte: “Po nuk i dihet, për mirë a për keq...”.
Një javë ma pas, plas lufta. Vijnë e i mbledhin ushtarë gjithë djemtë e fshatit (askush nuk u kthye gjallë). Djalin e fukarait nuk e nganë. Atë ditë ishte në shtrat... Dhe përralla vazhdon pa fund.
Mësimi? Diçka që na duket e keqe sot, mund të jetë fillimi i diçkaje të mirë që ndodh nesër. Dhe diçka që na duket e mirë sot, mund të jetë veçse fillimi i së keqes që po vjen. Ne kurrë nuk mund ta dimë të ardhmen, apo jo?