E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e ujit të bekuar dhe O gra, erdhi uji

Sot, 6 janar, është dita e ujit të bekuar. Çfarë simbolizon kjo festë? Sipas librave të shenjtë, 6 janari është dita e Shën Trinisë, kur Jezu Krishti, pasi mbushi 33 vjeç, u pagëzua në lumin Jordan, duke shpalosur tri fytyrat e lutjes së krishterë: Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë. Në këtë ditë, grupi i besimtarëve, i prirë nga priftërinjtë dhe një grup fëmijësh të veshur me petka tradicionale të kishës, që simbolizojnë engjëjt gjashtëkrahësh, dhe Kryqi i Shenjtë, nisen nga kisha drejt vendit ku do të hidhet kryqi. Edhe pse ujërat janë tepër të ftohta, në këtë ditë, besimtarët marrin guximin dhe zhyten për të gjetur kryqin. Personi i cili gjen kryqin, do të konsiderohet me fat gjatë gjithë vitit. Kjo ditë, sipas literaturës fetare kristiane, njihet si dita që zoti bekoi ujërat.

Le të shpresojmë që ky ujë i bekuar të spërkasë pak në trurin tonë, e ta shërojë atë. Ndryshe, si festë, le të na bëjë më të përgjegjshëm në përgjegjësinë tonë.

Nuk kemi faj deri diku, se anës lavamanit, se aty në banjo, apo edhe sipër në tarracë, kursejmë ujin e radhës. Ujëmbledhës hallexhinj ne shqiptarët. Më së pari jemi tharë nga trutë, e pastaj nga uji. Po mundin e nënave tona, që çohen në 3 të mëngjesit, për të mbushur ujë kush e mundon? Ndoshta sot nuk ka probleme të tilla rrotull Bllokut në Tiranë, por rrotull Shqipërisë po.

Mania e vënies së pompave, sigurisht edhe vjedhja e tyre, janë 2 dëshirat tona për ta çuar ujin më lart. Kësaj i thonë, “ta çofsha ujin përpjetë”. Çelësi i hapjes së pompës do jetë në atë familje që gjoja di të kujdeset, e që e hap dhe e mbyll kur të dojë ujin. “Hape ujin, çfarë shprehje shkallësh”. Ja, filloi sherri i shkallës. Hape pompën, mbylle pompën, u dogj pompa, çfarë zhurme bën pompa......

Ashtu si e mbledhim ujin, në festën gjithëpërfshirëse, dhe të konservuar mirë më erën e tij të bidonit, edhe për marrëdhënien tonë të varur me ujin e dritave, me dëshirën e mirë të fëmijëve për t’u bërë qull, me mbushjen plot të rrugëve tona, me mbytjen e fshatrave, me dëshirën për të shkuar te një çezmë afër apo larg pallatit e për të mbushur ujë; me ujin e çezmave me më shumë erë dhe të super klorizuar, le të shpresojmë se kjo ditë do të jetë më e mira për ne. Atje-këtu, sigurisht do të çajmë edhe ndonjë pus. Por, edhe kur e vjedhim ujin, shpresojmë për mirë në të. Se zgjaten zorrat nga tarraca në tarracë, se vjen makina e madhe bovillase për të shitur ujin, këtu fajin e kemi vetë ne.

Se politika “përton” të bëjë ujësjellësin në majë të kodrës së vogël e të pijë më pas gjithë fshati, dhe me të, të ujiten gjithë tokat. E çfarë të bëjnë tjetër shqiptarët? Cila është zgjidhja për ta! Të vazhdojnë të luten, t’i luten zotit, të cilin nuk e kanë besuar ndonjëherë, apo t’i luten festës së ujit të bidonit në vallen e tyre të shiut...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›