2009, një vit i keq
Në një sondazh botuar dje, gazeta "Le Monde" i pyeste lexuesit e saj online se si ishte viti që lamë pas dhe përgjigjet ishin: i mirë 19.3%, i keq 50.7%, as i mirë as i keq 28.3% dhe abstenim 1.7%. Natyrisht ky është opinioni i lexuesve në të shumtën e rasteve francezë dhe nuk është opinioni i shqiptarëve për vitin që lamë pas. Nëse do të pyeteshin shqiptarët se si ishte viti që lamë pas, jam i sigurt që në masë do të jepnin një përgjigje se ishte një vit i keq. Unë vetë e kam ndier këtë perceptim thuajse në çdo vend dhe në çdo bashkëbisedim. Mirëpo që ta shpallësh të tillë vitin 2009 nuk do edhe shumë mund apo shumë analizë. Mjaft të marrim në vështrim krizën e rëndë politike ku jemi futur dhe do të duhet të bindemi se viti që lamë pas ishte një vit i keq për shqiptarët. Ky vit u vërtetoi edhe njëherë shqiptarëve se demokracia partitiste që atë kanë ndërtuar në këta vjet nuk është sistemi qeverisës që siguron liri për të gjithë, barazi, drejtësi shoqërore dhe zhvillim. Viti 2009 i bindi shqiptarët se ata morën këtë vit atë që meritojnë, morën dhuratë qeverisjen më të mbrapshtë të rajonit, sepse atë edhe e meritojnë. Shqiptarët do të duhet të pyesin veten si ka mundësi që atyre, prej njëqind vjetësh e këtej, iu shpifet gjithmonë një diktator? Si ka mundësi që, në krye të tyre vjen gjithmonë një njeri, i cili pasi i mashtron, i gënjen dhe edhe i vret, nis pastaj t‘i sundojë? Le të bëjmë pak histori. Siç dihet, Kryeministri i parë i Shqipërisë së pavarur, babai i mëvetësisë, Ismail bej Qemali, nuk ndenji as edhe një çerek mandati, por u përzu e vdiq në mërgim. Pas tij, Ahmet Zogu, pasi mori pushtetin e shpalli veten mbret në mënyrë që ta përjetësonte sundimin e tij. Në këtë rast nuk kam ndërmend të diskutoj për të mirat dhe cilësitë e mbretit shqiptar, të cilin Lufta e Dytë Botërore e largoi nga skena politike në mënyrë fatale. Pas tij erdhi komunizmi dhe diktatori Enver Hoxha, i cili qëndroi në pushtet përafërsisht 50 vjet. Pas tij ne zgjodhëm vetë dhe Perëndia, që i qofshim falë, na bëri peshqesh Sali Berishën që ka bërë deri tani rreth 20 vjet në pushtet dhe unë jam i sigurt se do të rrijë edhe aq sa të ketë frymë, sepse ne shqiptarët atë fat meritojmë dhe Perëndia, me të madh të saj, na e bën peshqesh sa herë që vendi mbetet bosh. Mirëpo viti 2009 ishte një vit i keq, sepse ky vit i ndau shqiptarët më dysh, ky vit vërtetoi edhe njëherë se demokracia partiake kur realizohet në vend të pazhvilluar e të prapambetur sidozot është Republika jonë, ky sistem nuk bëhet dhe nuk arrin që të jetë një qeverisje e mbarë për të gjithë. Ky model realizon demokraci, liri, mirëqenie, pasuri dhe të drejta pa fund për një pjesë, pra për mbështetësit e një partie dhe i shpall armiq, të humbur, të diskredituar, të shkatërruar palën tjetër. Ajo që ndodhi vitin që shkoi, kur Kryeministri shqiptar shpalli hapur planin e tij të veprimit, që do të thotë se kundërshtarët e tij politikë janë mafie, se biznesmenët që nuk e duan atë janë mafiozë është brenda logjikës së sistemit që është ndërtuar te ne. Sistemi ynë i demokracisë partiake, i aplikuar nga një njeri paranojak dhe komunist i pandreqshëm, është brenda logjikës së sendeve. Nëse do të rikthehemi pak prapa në kohë, do të vërejmë se edhe pas vitit 1997 socialistët që erdhën në pushtet gati e shkrinë gjithçka që ishte demokrate, qoftë ajo biznes, qoftë administratë. Mirëpo, pas tetë vjetësh, ne të gjithë prisnim që kjo të mos përsëritej me të njëjtin stil dhe me të njëjtin ritëm. Personalisht, një vit para se të vinte në pushtet Sali Berisha e pata ndier dhe e pata paralajmëruar se Shqipërisë po i vinte i njëjti regjim. Sot ne nuk duhet të çuditemi pse Kryeministri shqiptar është përfshirë në afera të rënda korruptive si ai vetë ashtu dhe fëmijët e tij, ministrat e tij dhe farefisi i tyre. Nuk duhet të çuditemi aspak. Ne këtë fat meritojmë dhe ky vend kështu është zënë. Më vjen keq ta them, por ky vend është ngritur mbi malin me urrejtje dhe jo mbi mirëkuptimin, ndaj Sali Berisha, ashtu si Enver Hoxha para tij, e di mirë se shqiptari e duron të keqen, se pushteti është mënyra e vetme për të legjitimuar gjithë babëzinë dhe makutërinë. Ndoshta Kryeministri ynë nuk do që ta besojë, por jam i sigurt që thellë e ndien që këtë vend nuk e ka trashëguar askush. Nexhmije Hoxha po i shtyn ditët e pleqërisë diku në periferi të Tiranës, në një shtëpi që dikur ka qenë ambient për të mbarështuar shpezë. Fatos Nano është "arratisur" nga ky vend dhe jeton në Vjenë. Sot ai është thuajse një askush, sepse kurrkush nuk ka nevojë për mendimet e tij. Mirëpo viti që po lëmë pas ishte një vit i keq, sepse ai na bindi edhe njëherë se ne nuk dimë dhe nuk duam të ndryshojmë. Kulmi i abuzimit me pushtetin ishte veçanërisht festa e 8 dhjetorit, në të cilën qeveria dhe Kryeministri, pa iu dridhur qerpiku fare, fusin dorën në paratë e shqiptarëve, pra në xhepat tanë, dhe harxhojnë një miliard lekë për të bërë postera e reklama, pra një miliard lekë për një ditë. Nuk ka shtet në botë që bën këtë shpenzim. Mirëpo ne jemi një vend karikaturë, ku demokracia është vetëm fasada, sepse pas saj në këtë vend gjëllijnë luzma e shtetarëve turkoshakë që nuk njohin ligjin, që bëjnë me kazanë e tyre çfarë të duan. Në konceptin e shtetarëve shqiptarë shteti është një çiflig personal, që qeveriset nga i pari i qeverisë dhe nga sejmenët e tij. Qytetarëve u thuhet se po bëhen rrugë, se vendi po zhvillohet, por asnjë prej nesh nuk ka të drejtë të pyesë se sa kushton një metër rrugë, sa lekë prishen nga qeveria për investimet publike. Me paratë tona qeveria mund të bëjë ç‘të dojë. Në fillim ajo zgjedh firmat që do të prokurojnë këto para dhe pastaj nis puna. Nëse dikush dyshon pse punët nuk mbarohen, pse lekët vidhen, ai shpallet armik i demokracisë dhe punist e mafioz. Në diktaturë dhe në vendet e pazhvilluara gëzimi kolektiv, festa popullore është një shenjë e harmonisë së madhe mes qiellit e tokës. Gjëja e parë që bën një qeveri turkoshake është të gjejë sheshin dhe në këtë pikë arkitektura mongolite e sheshit tonë, e atij sheshi që ka oshtirë nga thirrmat për Enver Hoxhën, është vendi ideal ku lideri do t‘u shfaqet masave dhe turmat porositen që të vijnë nga çdo cep i atdheut. Mitologjia e mitingjeve, sipas specialistëve të komunikimit, është e lidhur veç të tjerash edhe me shenjueshmërinë e arenës. Turmat mblidhen në miting dhe kanë nevojë të eksitohen. Lideri i tyre është ai që i nxit, që i eksiton, që i motivon dhe për çfarë? Që të urrejnë palën tjetër. Në qoftë se në një arenë gladiatorësh turma e eksituar bërtet që i munduri të vritet, këtu në një miting turma e eksituar nga fjalët e liderit kërkon që të shqyejë palën tjetër, komunistët, mafiozët, punistët. Ndaj festa e 8 dhjetorit dhe miliardat e lekëve që u harxhuan për të, i shërbyen Kryeministrit tonë që të eksitojë turmat e tij për të urryer palën tjetër, që të mbushen me vrer dhe me urrejtje për gjysmën tjetër të popullsisë. Në këtë rast duhet të bëjmë dallimin mes protestës dhe mitingjeve festive.
E kështu viti që po lëmë pas ishte një vit i keq, sepse në këtë vit ne mësuam se do të vazhdojmë të qeverisemi si një vend në krizë të vazhdueshme. Në këtë vit ne mësuam përfundimisht se mandati i dytë që merr cilado qeveri në këta 19 vjet është fatal. Qeveritarët tanë mendojnë që në mandatin e parë të vjedhin, në atë të dytin edhe të bëjnë ndonjë punë. Kështu, mandati i dytë i socialistëve, nëse e mbani mend, ishte fatal për ne. I tillë është edhe ky mandat i dytë që Berisha e mori me dhunë. Ndaj viti që po lëmë pas ishte një vit i keq.