E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligjet, bojkoti paralizoi nismat kushtetuese

Mungesa e opozitës për më shumë se tre muaj në sallën e Kuvendit ka bërë që ligje të rëndësishme, të cilët kërkojnë një shumicë të cilësuar prej 84 votash, të mbeten në sirtarët e komisioneve parlamentare. Kështu, nisma të rëndësishme, siç është ajo për Gjykatën Administrative, zëvendësimi i dy anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kufizimi i imunitetit për deputetët dhe zyrtarët e lartë, amendimet e mëtejshme të Kodit Zgjedhor, granti i Sfidës së Mijëvjeçarit, si edhe nisma të tjera që rrjedhin nga Kushtetuta, nuk kanë mundur të gjejnë zbatim. Por, nga ana tjetër, mungesa e opozitës në sallën e Kuvendit nuk e ka penguar mazhorancën që të miratojë e vetme ato ligje që kërkojnë një shumicë të thjeshtë për t‘u miratuar. Nisur nga kjo, në sesionin e parë parlamentar të kësaj mazhorance arritën të miratoheshin 70 ligje, midis të cilave edhe disa nga nismat që janë kyç për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe procesin e liberalizimit të vizave.
Bojkoti
Jeta parlamentare në vend ka qenë e kufizuar, si pasojë e mungesës së gjatë të opozitës së drejtuar nga kryetari i PS-së, Edi Rama, në sallën e Kuvendit dhe në komisionet parlamentare. Kështu, mazhoranca, si pasojë e numrit të kufizuar të votave, nuk ka arritur dot që të miratojë nisma ligjore të cilat kërkojnë 3/5-n e deputetëve të Parlamentit. Nisur nga kjo, nisma të rëndësishme që lidhen me mirëfunksionimin e gjyqësorit, po kështu edhe me çështje që kanë një rëndësi të veçantë në procesin e integrimit të vendit dhe liberalizimin e vizave nuk kanë gjetur miratimin. Mazhoranca nuk ka mundur dot e vetme të miratojë projektligjin e Gjykatës Administrative, grantin e Sfidës së Mijëvjeçarit, anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kufizimin e imunitetit për deputetët, ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe nisma të tjera të rëndësishme që domosdoshmërisht kërkojnë edhe konsensusin e opozitës. Situata e ngrirë ka mbetur edhe në administratën publike, ku si pasojë e nevojës për 84 vota nuk kanë arritur të kalohet ndryshimet në ligjin për nëpunësin civil. Këto nisma të rëndësishme ligjore tashmë janë të mbartura për legjislaturën e ardhshme, me shpresën se opozita do të kthehet në Parlament dhe do të kontribuojë në miratimin e tyre.
Sesioni
Sesioni i parë i legjislaturës parlamentare XVIII, i cili nisi më 7 shtator të këtij viti, arriti të miratonte 70 ligje dhe 20 vendime. Në mbyllje të këtij sesioni, i cili u zhvillua i gjithi pa praninë e opozitës në sallë, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, theksoi se janë zhvilluar gjithsej 17 seanca plenare, në mbi 47 orë diskutime parlamentare. Sipas Topallit, ndonëse pa praninë e opozitës, Kuvendi me përgjegjësinë e institucionit përfaqësues të qytetarëve shqiptarë, përmbushi rolin e tij kushtetues, duke vazhduar më tej reformat e rëndësishme të vendit. Po kështu, Kryetarja e Kuvendit vuri në dukje faktin se i gjithë aktiviteti parlamentar i këtij sesioni ishte i hapur me median dhe publikun në një transparencë të plotë. Por, ndonëse faktit se jeta parlamentare ka vijuar të jetë aktive edhe pa opozitën në sallë, Kryetarja e Kuvendit dhe përfaqësuesit e tjerë të lartë të mazhorancës kanë bërë thirrje për kthimin e opozitës në Parlament dhe pjesëmarrjen e saj në nismat e rëndësishme, të cilat janë të domosdoshme në proceset integruese që po kalon vendi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›