2011-a nis për Kosovën me njohjen e pavarësisë nga shteti i 73-të, Katari
04-01-2011 / Gazeta 55
Katari është shteti i parë që e ka njohur pavarësinë e Kosovës për vitin 2011. Lajmi konfirmohet nga Ambasada e Kosovës në Neë York, e cila ka njoftuar se ka pranuar letrat kredenciale për njohjen zyrtare të Kosovës. Ky shtet arab i kishte premtuar njohjen muaj më parë edhe kryeministrit në largim të Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë vizitës së këtij të fundit në këtë shtet.
Me këtë njohje janë gjithsej 73 shtete që kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur. Shteti i fundit që e njohu Kosovën, ishte Tuvalu, në nëntor të vitit të kaluar. Shteti i Katarit shtrihet në Gadishullin Arabik dhe kufizohet me Arabinë Saudite. Ka më shumë se 1.5 milion banorë dhe ka zhvillim të madh ekonomik dhe udhëhiqet nga emirët.