Berisha: Do realizojmë çdo reformë për integrimin- opozita të parashtrojë alternativa politike dhe jo të bllokojë propcesin

Gjatë një konference për shtyp ku prezantoi drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare për Investim e Zhvillim (AIDA), Eneida Guria, kreu i qeverisë Sali Berisha foli edhe mbi ngërçin politik të krijuar në vend. Ai i drejtoi thirrje publike opozitës duke i pohuar se ka ardhur koha që ajo të shpalosë alternativat e saj për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. “Qeveria ka ofruar shumë për opozitën, por ajo kërkon hetim pa fakte. Edi Rama bojkotoi parlamentin dhe ai u frikësua nga djegia e mandateve e kishte për qëllim bllokimin e vizave”- tha Berisha. Duke shtuar më pas se problemi qëndron tek kryetari i opozitës, pasi qeveria i vendosi standardet për zgjedhjet dhe do bëjë gjithçka për statusin kandidat. Sipas Berishës, pavarësisht lëshimeve që i bëri mazhoranca, opozita tha ai ka një problem madhor, dhe kjo është logjika e bunkerëve. “Rama, ky njeri që ditën e zgjedhjeve e quajti historike, kur nuk fitoi doli dhe tha se nuk e njihte rezultatin dhe Parlamentin. Më vonë, ky zotëri që bojkotoi Parlamentin, u betua e stërbetua se do të digjte mandatet, por nuk i dogji. Kjo, sepse një grup i vogël brenda PS tha se nuk i djegim mandatet. Dhe nëse ai bëri që të mos digjeshin mandatet, e bëri për interesin e tij dhe jo të vendit”, shtoi Berisha. Nga ana tjetër, gjatë prezantimit të Gurias, ai tha se drejtoresha e re e AIDA-s, ka mbrojtur gradën në Universitetin e Luizianës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka kryer me përgjegjësi detyrat e saj, duke i dhënë Shqipërisë një nga sukseset më të mëdha në fushën ekonomike e të biznesit. Berisha tha se agjensia ka disa drejtori, ku një prej tyre do jetë në shërbim të investitorëve dhe do nxisë strategjinë për investimet duke zhvilluar një strategji të kujdesit ndaj tyre. Ndërsa drejtoria e dytë është ajo e Eksportit e cila zhvillon punën për SME-të dhe eksportet. Berisha tha më pas se drejtoria e tretë është ajo e Inovacionit, e cila do të zhvillojë strategjinë e biznesit dhe atë për zhvillimin e teknologjisë; pa harruar as drejtorinë e tretë, atë të Marketingut, e cila do kujdeset për imazhin e vendit.
...