2011-ta rikthehet fuqishem filmi shqiptar

”Do të jenë katër filma artistikë, 4-5 të tjerë të llojit dokumentar dhe po kaq me metrazh të shkurtër”, deklaroi Artan Minarolli, drejtori i Qëndrës Kombëtare të Kinematrografisë (QKK).
”Out of touch”, “Amnisti”, “Ballkan Pazar” dhe “Farmakon” do të jenë katër filmat me metrazh të gjatë që do të prezantohen në kinematë shqiptare gjatë vitit. Kalendarin e premierave do ta hapë në shkurt “Out of Touch”, i regjizorit Andi Deliana.
Ngjarjet do të zhvillohen brenda 24 orëve, në një situatë hipotetike. Ai do të sjellë koncepte të reja si estetikën kinematografike, përdorimin e teknologjive të reja, ndërsa ngjarjet do të prezantohen të ngjeshura dhe jo lineare.
”Stili është i veçantë sepse ndërthurret urban drama me humorin e zi. Do të ketë nota aksioni, lëvizshmëri, këndi i ri i kamerës, mënyra e montimit, përqasja me kuptime të caktuara, përshtatja. Do të jetë një film midis atij dokumentarit dhe aksionit”, deklaroi Deliana.
Një tjetër film i shumëpritur është “Amnisti” i Bujar Alimanit, që vë në qëndër njerëz të vegjël në shpirt, të cilët përshtjellohen nga drama të mëdha që kapërcejnë kufinjtë e ekzistencës. Morali kundër klisheve do të konturojë linjat e filmit.
Ballkan Pazar, premiera tjetër e shumëpritur është një krijim i Edmond Budinës, që rikthehet pas pesë vite të shkuara dhe ironizon me ngjarjen e zhvarrimit të eshtrave në fshatin Kosinë të Përmetit.
Komedia është një bashkëprodhim shqiptaro-italian. “Komedia mban një qëndrim neutral mbi fenomenin, mbi ekstremet e nacionalizmave që janë në Ballkan. Aktorët janë francezë, italianë, maqedonas dhe shqiptarë, ndërsa gjatë filmit përdoren gjashtë gjuhë të ndryshme”, thotë regjizori Budina.
I fundit që do të shfaqet gjatë vitit do të jetë filmi Farmakon, i regjizorit Joni Shehaj, një krijim që flet për një brez të ri, i cili nuk arrin të shkëputet dot nga tutela e një shoqërie të korruptuar.
”Do të jetë interesante paraqitja e aktores Olta Gizhari, Niko Kanxheri dhe Vaso Godës”, paralajëmëron Shehaj. “Kjo do të jetë edhe premiera në aktrim e Kastro Zizos, i cili është edhe personazhi kryesor”.