2012-a, fillimi i ri për shekullin e shqiptarëve

Në takimin e parë të 2012-s, kryeministri Sali Berisha bën thirrje për një fillim të ri, jo vetëm ekonomik, por së pari shpirtëror e mbarëkombëtar
Berisha: “Në 100 vjetorin e Pavarësisë, Shqipëria pranë BE-së dhe me President në lartësinë e detyrës”
Kryeministri Sali Berisha drejtoi dje mbledhjen e Qeverisë, të parën për vitin 2012-ë. Vend të rëndësishëm në fjalën e shefit të ekzekutivit para anëtarëve të kabinetit qeveritar, zunë reformat si miratimi i ligjeve me shumicë të cilësuar, plotësimi i kuadrit ligjor të Kodit Zgjedhor, zgjedhja e Presidentit si dhe organizimi i ceremonive festive për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Berisha u ndal posaçërisht në procesin e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit, duke deklaruar dhe njëherë se gara do jetë në përputhje me Kushtetutën.
Sipas kryeministrit, çdo përpjekje për t’i kushtëzuar Shqipërisë dëshira suplementare, është e destinuar të dështojë. “Ky është viti i zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Ju garantoj se do të zgjidhet kryekëput dhe tërësisht në përputhje me Kushtetutën e vendit, por çdo përpjekje për ti imponuar Shqipërisë, për t’i kushtëzuar asaj, dëshira suplementare, në raport me Kushtetutën, do të pësojë dështimet që kanë pësuar të tjerat. Uroj që të bëjmë përpjekje të mëdha për t’i dhënë vendit një President në lartësinë e detyrave, në lartësinë e Kushtetutës dhe të ligjeve të vendit, me integritet të plotë”, u shpreh Berisha.
Duke e cilësuar procesin e reformave si element jetik për integrimin e vendit, kryeministri i përsëriti thirrjen opozitës që t’i përmbahet marrëveshjes së arritur mes dy palëve, për miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe ndryshimet ligjore në Kodin Zgjedhor. Kreu i qeverisë kujtoi se politika e pengut e ushtruar nga opozita gjatë 2 viteve edhe pse zgjati, dështoi. “Në radhë të parë unë dua të garantoj opozitën se jemi të vendosur ti qëndrojmë marrëveshjes që arritëm pikë për pikë, sikundër theksoj dhe dua të theksoj se askush dhe për asgjë, nuk do të mund të marrë peng ecurinë e këtij vendi. Politika e pengut zgjati, por dështoi. Një vend i lirë nuk mund të merret peng kurrë. Një vend i lirë me besim tek liria, me besim tek ligji dhe kushtetuta e tij demokratike nuk mund të merret peng nga askush. Ndaj dhe ne qëndrojmë të vendosur dhe të hapur për një bashkëpunim të hapur dhe të sinqertë, në interesin më të mirë të vendit, sikundër qëndrojmë të vendosur për zbatimin me rigorozitet të ligjeve dhe të Kushtetutës së këtij vendi. Uroj dhe dëshiroj që ato ligje që presin të votohen, me tre të pestat, siç është marrëveshja, uroj dhe dëshiroj dhe jam i vendosur të bëj çdo gjë për reformë elektorale të suksesshme”, u shpreh Berisha.
100 vjetori i Pavarësisë
Kryeministri Berisha e nisi fjalën e tij me një urim për vitin e ri. “Uroj një vit plot shëndet gëzim, suksese dhe mbarësi. Falënderim për punën që ka bërë administrata. Nisim këtë vit, vitin jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë më të qartë, të më vendosur më optimistë, më të sigurt se kurrë. Siguroj qytetarët se do të bëj gjithçka për ta kthyer këtë vit në vitin e merituar të Shqipërisë, në 100 vjetorin e Pavarësisë së saj”, u shpreh Berisha.
Ndërsa e ka cilësuar viti 2012 si vitin jubilar të kombit tonë, shefi i qeverisë theksoi se ky vit duhet të shndërrohet në vitin e vizionit dhe të një fillimi të ri.
“Ndaj dhe është shumë normale që çdo gjë, gjithçka, në veprimtarinë tonë, ne duhet ta vështrojmë, të shqyrtojmë në këtë kontekst. Ky vit duhet të jetë viti i themelit të 100 viteve që vijojnë, i vizonit të Shqipërisë, për 100 vitet e ardhshme. Ky vit duhet të jetë një vit, në të cilin qytetarët shqiptarë të ndihen më krenarë se kurrë, më të vlerësuar se kurrë, në historinë e tyre, të ndihen krenarë me ato që kanë realizuar ata vetë, paraardhësit e tyre, të ndihen krenare me vizionin që mbështesin dhe të ardhmen që janë të vendosur të ndërtojnë në integrimin e Shqipërisë në BE”, tha kryeministri.
Sipas kreut të qeverisë, do të bëhet një përpjekje të madhe për një vështrim të qytetëruar të të gjitha zhvillimeve nga 1870-1912.
“Të bëjmë një përpjekje të madhe për të nxjerrë ne pah të vërtetat e mëdha kombëtare të më shumë se 100 viteve e fundit, një përpjekje të madhe për një vështrim të qytetëruar të të gjitha zhvillimeve të këtij vendi, nga vitet ‘870 deri në vitin 1912, një përpjekje të madhe për ta shndërruar këtë vit në një stacion të ri, të madh për vizionin e 100 vjeçarit të ardhshëm të Shqipërisë. Uroj dhe shpresoj që ky vit të frymëzojë çdo shqiptar për një fillim të ri në qëndrimet e tij ndaj të shkuarës, ndaj të sotmes, ndaj vendit. E them këtë, sepse asnjë komb nuk e ka historinë tij pa dritëhije. Edhe ne shqiptarët nuk e kemi të tillë. Kjo është historia, por merita është që të vërtetat të thuhen dhe që ato të thuhen në një mënyrë të qytetëruar. Merita është që të dalin jashtë të gjitha skemave te demonizimeve dhe të pasqyrojnë realitetet ashtu siç ka qenë. Natyrisht kur them demonizimet, jo më pak të pavlefshme janë hyjnizimet. Kështu që stadi i zhvillimit të kombit shqiptar, shndërrimi i tij në komb urban, 100 vjetori i Shqipërisë, e bëjnë të domosdoshme të pasqyrohen të gjitha këto, me një qëndrim të ri të shqiptarëve ndaj vetes së tyre dhe kur them ndaj vetes së tyre e them me bindjen me të madhe sepse shqiptarët kanë nevojë për një rivlerësim të vetes së tyre sepse kanë bërë shumë, sepse kanë arritur shumë. Ka një të vërtetë që, në qoftë se nuk përfill veten tënde, askush nuk ka pse të të përfillë. Kombet janë si individët. Në një kohë lirie, dhe ky është një fat i madh, janë të lirë zërat, të cilët kanë pasion patologjik të nxijnë dhe të shajnë çdo ditë. Dhe ata kanë pasur dhe do të kenë të drejtë ta bëjnë këtë sepse një vend i lirë nuk bën censurë. Është fatkeqësi, por ky pasion ekziston tek një pjesë e vogël e shqiptarëve, të cilët duan të nxijnë me çdo kusht realitetin. Sa e sa herë e kanë përmendur fjalën ‘krizë’ gjatë këtyre 5 viteve për këtë vend, i cili ka meritën e jashtëzakonshme se nuk e njohu krizën. Këtij vendi, ka fatkëqij, që çdo rekord të zi janë të gatshëm t’ia veshin dhe ky vend del në historinë demokracisë me rekordet më të zeza, sepse pati fatin të sundohej nga diktatori më i pashembullt, më mizor, i pas Luftës së Dytë Botërore. Në një drekë me Presidentin Gorbaçov po i tregoja se në këtë vend, numërohen 830 gra të ekzekutuara. Ai u rrëqeth. Po i tregoja se si diktatori porosiste që ‘të përshëndetej me një plumb pas qafe Zai Fundo’ dhe këtë e shkruante me dorën e tij. Bashkëbiseduesi më thotë se këtë nuk e ka bërë asnjë diktator. Ata vërtetë kanë kryer të gjitha barbaritë, por me dorën e tyre nuk i kanë shënuar. Të gjitha këto, sigurisht që kanë hedhur baltë mbi ne. Barbaria që u krye ndaj institucioneve të kultit ishte unike në rruzullin tokësor. Ishte lëndim, fyerje, poshtërim maksimal për vendin, por ishte gjithashtu një lëndim për të gjithë besimtarët e Zotit kudo që ata ishin”, deklaroi Berisha. Por përkundrejt këtij qëndrimi, kryeministri Berisha vlerësoi se, “asnjë komb në histori nuk ka dalë nga varfëria si ne, e të zhvillohet si ne. Zhvillimet e shqiptarëve në liri janë zhvillime ndër më të jashtëzakonshmet e një kombi të lirë, ndaj edhe shqiptarët kanë njëmijë e një arsye për të qenë krenarë, për të vlerësuar veten e tyre, për të nderuar vendin e tyre. Asnjë komb në histori nuk ka dalë më shpejt nga varfëria siç ka dalë kombi shqiptar. Asnjë komb nuk po ecën me shpejtësi të madhe drejt niveleve te larta të zhvillimit, siç po ecin shqiptarët. Ndaj dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që të këtë vit ta shndërrojmë në vitin e vizionit të 100 viteve që vijnë, ta shndërrojmë vitin e një fillimi të ri për shqiptarët dhe për Shqipërinë”, tha më tej ai.
...