E Diel, 1 Nëntor 2026

2013-a rrëzoi stigmën “na i vodhën votat”

28-06-2013 / Nga Kostaq Xoxa

Folja “stigmatizoj” përmbahet në standardin e gjuhës sonë. Por  emri gramatikor “stigma”, është lënë jashtë gjuhës sonë të njësuar. Veçse kjo fjala e dytë, që tregon një element konkret sipas fjalorëve etimologjikë, është nëna që ka jetësuar bijën ‘me stigmatizue’ (që të përdorim paskajoren, sipas mendimit të gjuhëtarit M. Elezi, në “Bunkerizimin e gjuhës”). ‘Stigma’, në të vërtetë, përcakton një pjesë metalike, e cila nxehej në prush  dhe u vulosej si një vulë e skuqur kriminelëve ordinerë, në një vend të dukshëm, për t’i ndëshkuar e për t’i turpëruar. Dënim mesjetar, që nuk përdoret sot. Folja stigmatizoj ka, kështu,  kuptimin figurativ të njollës së turpit. Por ne po përdorim ‘stigmën’, duke përfituar nga njëfarë lirie që u jepet shkrimeve të publicistikës, që këto të mos jenë në mënyrë të domosdoshme të pastra (puritane), sigurisht pa e tepruar me fjalët e huaja.
Pas zgjedhjeve të 2005-s, të cilat i pranoi, me një haré të brendshme të fshehur, si të drejta, të gjitha zgjedhjet pasardhëse, parlamentare apo vendore, E. Rama i cilësoi si të padrejta, me togfjalëshin “Na i vodhën votat”. Të  tria këto fjalë u bënë si një refren i bezdisshëm, sepse kurdoherë  ai ishte humbës. Në zgjedhjet e 2005-s, humbjen ia ngarkoi F. Nanos dhe llogaritë e anëtarit rishtar të PS-së, duke përfituar nga neni 28 i Statusit të PS-së, i dilnin joshëse për të vënë në dorë kreun e PS-së.
***
Kreu i PD-së, në fushatën zgjedhore të 23 qershorit deklaroi, si edhe në fushatat e zgjedhjeve të mëparshme, se zgjedhjet do të ishin të lira, të drejta e të ndershme. Në të gjitha debatet e mediave, që nënkupton edhe organet e shtypit, nuk ka asnjë prej tyre që ta vërë në dyshim këtë shpallje  publike të Dr. Berishës në këto zgjedhje. Zgjedhjet e tanishme treguan se PS-ja ka marrë votat e mëparshme, me disa plus-minuse të vogla. Në këtë pikëpamje, doktori ka realizuar njërin nga premtimet e tij më të rëndësishme, përderisa ato janë të pa kontestuara nga i gjithë spektri politik, duke nisur nga e majta i skajshme e djathtas. Nga ana tjetër, kryetari i njërës prej të katër partive komuniste (2 të PPSH-së dhe 2 të PKSH-së), e akuzoi publikisht kreun e PS-së se nuk ishte luajal, madje ishte kontradiktor në kuptimin se, ndonëse i kishte pranuar në koalicionin e tij, kishte kërkuar që votat t’i jepeshin 29-s, pra, partisë së E. Ramës. Arsyetimi i replikuesit kishte përbrenda kundërthënien e kryetarit pësëist që kishte i thirrur si figurantë dhe partinë e tyre ta trajtonte si parti-marionetë. Të njëjtën akuzë publike kishte bërë edhe ish-komunisti i ndjerë Hysni Milloshi, i cili kishte pas thënë troç: “Votat tona na i vodhi E. Rama, jo S. Berisha!”.
Kësisoj këto zgjedhje, në të cilat PS-ja nuk ka luajtur nga përfundimet zgjedhore të pas fitores së 2005-s, (për të cilat në atë kohë Edi Rama ishte shprehur se ‘e kishim me hak humbjen’ duke vargëzuar një zinxhir akuzash si korrupsionin, trafikun e qenieve njerëzore, bashkë me prostitucionin, e një vargan akuzash të tjera, akuza të cilat kishin një synim të caktuar).
Por le të mos harrojmë deduksionin thelbësor që nxirret nga zgjedhjet e tanishme, të pranuara në mënyrë të njëzëshme si të sakta, të lira, të ndershme: Si rrjedhojë na del evidente apo duket sheshit, (që të jemi brenda standardit, sipas V. Kokonës) se zgjedhjet e mëparshme nuk paskan qenë aspak të manipuluara, sipas Ramës, që e bëri stereotip atë përsëritjen gjer në gërryerje të timpanit se “na i vodhën votat”! E thënë ndryshe, na doli blof kjo thënie, përderisa në të njëjtin koalicion një parti tjetër (LSI-ja) ka katërfishuar votat!
Kështu, kur kryetari i koalicionit është larg, tepër larg dyfishimit, në krahasim me një parti tjetër të po atij koalicioni, blofi i “na i vodhën votat” na del qartësisht demagogjik. Është, pra, njëra nga stigmat e zakonshme të kryetarit të PS-së. Dhe kemi rastin, këtu, të përmendim edhe shumë nga stigmat e tjera, të cilat janë përnjollosje inatçore, por më tepër se kaq: Si nuk i tha goja këtij njeriu, qoftë edhe për reciprocitet, ta quajë kryetarin e PD-së si kundërshtar politik dhe jo si armik, duke e cilësuar kurdoherë ‘Saliu’ dhe jo Berisha, pa le z. Berisha! Dhe, meqë ithtarët e Ramës thuajse flasin në mënyrë të njëtrajtshme, të gjithë të tjerët, si në kor, përdorin stigmën “Saliu, Saliu!”. Duke lexuar artikullin tërheqës dhe me ndjeshmëri “Dorëheqja e një burri shteti”, më vjen të pyes: - A janë tipare të një burri shteti ballafaqime me këto shprehje përçmuese, veçanërisht në fushatë zgjedhore? Në f. 12 të ‘Refleksioneve’ Rama bën fjalë për proceset e para demokratike dhe flet me respekt për një mbledhje ku kishte parë atë që e quante ‘doktor Berisha’. Në atë kohë Rama tregon se doktorin “e njihte nga një intervistë e tij, e botuar në “Drita”, ku jepeshin parametrat e lules së intelektualit...”.  Kush i ndryshoi të dy gishtat e demokracisë, në grusht në ballë: Dr. Berisha, apo E. Rama? Latinët thonë: “O tempora, o mores”, për inkoherentët. Duke vazhduar me stigmat, përmendim frazën “Doktori i Byrosë Politike”, në faqen 336 të “Kurbanit”. Nexhmije Hoxha ka shkruar se Berisha nuk ka qenë mjek në Klinikën e Udhëheqësve. Kush duhet besuar?
Një tjetër stigmë akoma: Tirani Zogu I! Me prapavijë që, t’i ngrenë sërish statujën Enverit, që kishte vrarë pa gjyq njerëz të pafajshëm, përveç nacionalistëve (flasim për ata që luftuan okupatorin si ballistë, zogistë, socialdemokratë), që morën pjesë edhe në Mukjen e dështuar nga  dora jugosllave, me anë të emisarëve të Titos, që kishte shpallur se do të bënte referendum për statusin e Kosovës. Zogu s’kishte bërë krime të tilla. Kufijtë i kishte të hapura, pra, s’mund të flitej për krime për thyerje kufijsh. Kishte pluralizëm publicistik. Diplomati i madh i kohës, Aleksandër Lesona, e kishte cilësuar si irredentist. Por nuk ka shurdh më të madh se ai që nuk dëshiron të dëgjojë. Akuzat pse iku më 7 prill (që të mos bëhej bashkëpunëtor i pushtuesve), i ka sqaruar Gunnar Riebsi dhe nuk mund të shpjegohen me antishqiptarin Galeaco Çiano, që u vra nga aleatët e vet si tradhtar...
Stigma të tilla janë me dhjetëra, në të dy librat e Ramës: Në atë të nxjerrë nga vetë ai jashtë qarkullimit; si edhé në atë tjetrin, “Kurbanin”, që do të pësojë fatin e të parit, për shkak të pishmanllëqeve të panumërta, që e komprometojnë atë, qoftë edhe në aleancën e vet. Po e mbyllim me f. 69 të “Kurbanit”, kur flet për atë që ai e quan “Paranoja e Ilir Metës”. Ai e portretizon I. Metën si “fëmijë të pasigurt brenda vetes, i luhatur, i dhënë pas shërbëtorëve, i paaftë për të bashkëjetuar me sfidantët e mendimeve, me tekat e veta, lehtësisht i manipulueshëm nga servilët që ia mbushin veshët me lavde për gjenialitetin e tij, me thashetheme dashakëqija për çdo njeri që s’e ka për zemër dhe marrin në këmbim të besnikërisë shpërblime bujare për të cilat Ilir Meta ishte një mjeshtër i lindur, që në rrugëtimin e tij u bë një ngashënjyes i madh kokë më kokë njerëzish të të gjitha kategorive, nga deputetë, anëtarë forumesh qendrore a politikanë lokalë, te profesorë, doktorë shkencash, oficerë policie, biznesmenë, botues, gazetarë, të reja të dollandërdisura e të rinj naivë ëndërrimtarë, e deri te kriminelë të rangut më të parë e rrugaçë të dorës më të fundit, me pare, ofiqe a ndere materialisht të prekshme në radhë të parë, sigurisht, por jo domosdoshmërisht, edhe me premtime e betime që di t’i bëjë me një talent a shtrirje  të rrallë nuk e di, sepse i beson shumë sinqerisht vetë kur i thotë, pavarësisht se po aq sinqerisht e di fare mirë  brenda vetes që s’do t’i mbajë kurrë” (Periudhë kilometrike!).
Meqë periudha pasuese është edhe më e gjatë akoma, po e riprodhoj këtë të dytën me shumë shkurtime. Rama flet për teoritë e konspiracionit, për rrugëzgjidhjet e tij të gabuara dhe “hyri thellë e më thellë në një varësie plotësisht të sëmurë me paranë dhe me pushtetin gjenerator parash që riprodhojnë pushtet për të rigjeneruar para”. Shkon më tej për “mësimin e të gjitha hileve, siç e sintetizon paq Ndre Legisi, e më pas rrokopujë barra fatale e një pushteti për të cilin nuk ishte i përgatitur dhe që e lëshoi i turpëruar publikisht nën goditjet e paturpshme të Fatos Nanos, duke mos e gjetur dot më paskëtaj një arsye më të fortë sesa shkatërrimin e PS-së për të qëndruar në politikë dhe duke e kthyer politikën në arsyen e forcës, pasurimit, shantazhimit, njësimi me dreqin  e të birin, pa ia dalë më të ndalonte për të marrë frymë (siç na u zu fryma edhe neve!) e pa dashur t’ia dinte as për shtresat e njëpasnjëshme të pisllëkut e të budallallëqeve që e frynë kacek, duke e ndihmuar të llokoçitej mbi sipërfaqen e llumit të pushtetit me çmimin e asfiksimit...”
Fraza të turbullta, me shprehje të tejzgjatura, me përmbajtje të paqartë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›