E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kafsha politike” e së majtës

28-06-2013 / Feti Zeneli

Sokrati thotë: “Jeta që nuk kalon duke menduar për veten, nuk ia vlen të jetohet!”. Natyrisht, këtu nuk bëhet fjalë për një deklarim të rëndomtë pragmatik për jetën individuale, po për një koncept të gjerë politiko-shoqëror, duke u nisur nga “këshilla” filozofike: “Njih vetveten!” Është filozofia ajo, që na jep mundësinë të njohim thelbin tonë, kryesisht si njerëz politik. Ndaj filozofi i lashtë grek, në këtë rast, nuk ka kërkuar përgjigje për pyetjen se: “kush është ai vetë, si Sokrat”, pasi çdo njeri e di mjaft mirë një gjë të tillë. Për Sokratin, që të njohësh veten, do të thotë të njohësh thelbin tënd njerëzor në mënyrë filozofike. Aristoteli, i cili përmes mësuesit të tij - Platonit, vazhdon linjën filozofike të Sokratit, në parim e pranon këtë zgjidhje të “enigmës së Delfit”, me njërën nga fjalitë më të cituara në filozofi: “Njeriu është kafshë politike!”... Duke mos u zgjatur më tej me retorika e citime të kësaj natyre, gjë për të cilat duhet thënë, se jo të gjithë njerëzit kanë qejf t’i dëgjojnë, po kthehemi në realitetin shqiptar të këtyre ditëve të fundit, ku konstatojmë “maviosjen” e Shqipërisë nga krye-“kafsha politike” e LSI-së. Rezultati elektoral i Lëvizjes Socialiste për Integrim po e lë për ditë të tëra pa përgjigje, pyetjen: “Si ka mundësi që e majta të fitojë kaq thellë ndaj së djathtës?”, duke përfshirë këtu edhe vetë fituesit e këtyre zgjedhjeve. Por “enigma e Delfit” tonë nuk është kaq e vështirë për t’u gjetur, nëse i referohemi konceptit filozofik “Njih vetveten!” të Ilir Metës. Duke filluar nga 2005-a e në vazhdim, ai ka patur gjithë kohën e mjaftueshme për ta bërë, me shumë përgjegjësi e llogari, një gjë të tillë, sidomos këto 4 vitet e fundit, kur ishte pjesë e kabinetit qeveritar të të djathtëve, të cilën e shfrytëzoi mjeshtërisht për të “inatosur skrapallisht” dhe “ndërkombëtarisht” edhe shumë demokratë anë e mbanë Shqipërisë, kryesisht në administratë. Ata që s’i ka inatosur “me shpërthime” i ka joshur me premtime, pa shumë zhurmë e fjalë, duke krijuar modelin e “zgjedhësit të ri” shqiptar, ashtu siç ka qënë ai i “njeriut të ri”, që s’do t’ia dijë shumë për moral e filozofi. Nuk e kam fjalën për ndryshimin e bindjeve, “si mbreti-gratë”, po për shpërfilljen e parimeve, duke e justifikuar gjithçka me sloganin e vjetër komunist: “në emër të popullit” apo e thënë ndryshe; në emër të interesave të përgjithshme. Duke parë jo dhe aq rezultatin, se sa mënyrën se si u arrit ky rezultat, me vjen të thërras me tërë fuqinë që kam: “Sa padrejtësi bëhen në emrin tënd, o popull!” nga politikanët që arrijnë të njohin mirë “vetveten”, si dhe të futen ty në thellësi të “vetvetes”, për të të prekur “telat e zemrës” dhe për të ndërruar vendin e “barkusheve” të saj nga e djathta në të majtë. Natyrisht një proces i tillë nuk quhet “operim” por transformin apo “denatyrim”, pasi në këtë mënyrë të shndërrojnë nga njeri “prej vërteti” në një “kadavër” rrëmeti!? Të të bënin “kukull”, qoftë edhe sa “Gishto” dhe “Gishtëza”, duhej të ishe mjaft i lumtur, se do argëtoheshe duke luajtur mbi “...supet dhe shpinë e pushtetit...”. Siç dihet nga përralla, “...Gishtos i pëlqente të luante e të bënte shaka. Shpesh ngjitej në supet apo shpinën e babait dhe fillonte e shëtiste sikur të kishte kodra e lëndina”. Por “babai”, në këtë rast, je ti vetë, o popull!? Mbi “...supet dhe shpinën...” tënde erdhi e majta në pushtet, jo dhe aq për të qeverisur, se sa për t’u engledisur. Se qeverisjen mirë e pate; çfarë të të bënte më shumë ajo?! -Rrugë europiane, lëvizje shengeniane, rroga e pensione të majme, reforma të papara; pra, gjithçka për të ecur me dinjitet përpara. Vetë e konfirmove me votë mazhorancën qeverisëse të viteve ’09-’13; plotë 73 deputetë. “Opozitën e bashkuar” të Ramës e lë me “orën e prishur(saktë)” të 2009-ës, në shifrën e 65 deputetëve. Ishte “kafsha politike” e LSI-së që e çoi këtë numër në mbi 80, pasi i katërfishoi mandatet e mëparshme, duke njohur mirë jo dhe aq “vetveten” e saj, por edhe “të vetët” në të djathtë!? Natyrisht qëllimi në këtë rast, më shumë se sa për të “dëmtuar” të djathtën ishte për të “reformuar” të majtën; pra duke njohur “vetveten”!?... Vërtet, si ka ndodhur që për situatën e krijuar të citohet ky absurditet me “kafshën politike”, pa kurrfarë interpretimi? Krejt e thjesht: askush nuk e ka parë tekstin burimor. Sepse, nëse do e kishte parë dikush, do ta vërente se kjo fjali përfundon kështu: “...dhe ai që arrin ta jetojë vetë jetën, ai është ose zot ose bishë”. E përkthyer në mënyrë korrekte, fjalia e Aristotelit do të dukej kështu: “Njeriu është qenie shoqërore, që jeton “...në bashkësi”, ndërsa ai që mund të jetojë vetë është zot ose bishë.” Mesazhi i Aristotelit është i qartë! Njerëzit që arrijnë ta njohin veten me ndihmën e filozofisë, duhet ta jetojnë jetën e tyre në bashkësi me njerëzit e tjerë! “Zota nuk jemi, bisha nuk mund të bëhemi!”... Të jetuarit me patjetër në një bashkësi me njerëz të tjerë, për Niçen nuk është bekim, por mallkim. Në një letër drejtuar Lu Andreas Salomes, ai shkruan: “Të gjitha vuajtjet tona burojnë prej asaj se ne nuk mund të jetojmë vetë.” Kësaj i bashkohet edhe Sartri me aforizmin e famshëm: “Ferri – ai është të tjerët!” ...

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›