E Diel, 1 Nëntor 2026

Administrata dhe qeveria, në efiçencë të plotë deri në mandatimin e kabinetit të ri

28-06-2013 / Gazeta 55

Shefi i ekzekutivit kërkon përkushtimin e administratës shtetërore, për të vijuar punën normalisht deri në muajin shtator, kohë kur edhe realizohet kalimi i pushteteve, pas betimit të kabinetit të ri. Duke vlerësuar punën e punonjësve të administratës dhe përkushtimin  e tyre gjatë kësaj periudhe, Kryeministri Berisha ftoi ministrat që këtë mesazh tua përcjellin punonjësve të tyre në takime direkte me ta

Kryeministri Sali Berisha kërkon eficencë dhe mobilizim të plotë të administratës dhe qeverisë që drejton, deri në mandatimin e kabinetit të ri. Shefi i ekzekutivit vlerësoi se administrata është një pasuri e madhe kombëtare dhe duhet ta tregojë veten, të funksionojë me kapacitet të plotë dhe përkushtim të madh deri në ditën që qeveria “Berisha” do kryesojë vendin. “Tani detyra jonë është që deri ditën që Parlamenti të votojë kabinetin e ri dhe të dekretohet tek presidenti, qeveria dhe administrata duhet të funksionojë me të gjitha kapacitetet. Pra çdo lloj demoralizimi është shumë i pandershëm, është shumë i padenjë, është i papranueshëm. Administrata e këtij vendi është një pasuri e madhe kombëtare dhe duhet ta tregojë veten, të funksionojë me kapacitet të plotë dhe përkushtim të madh deri në ditën që do të kryesojmë, deri në ditën që qeveria tjetër do të përzgjedhë mënyrën e organizimit dhe të motivimit të administratës”- u shpreh Berisha.
Kreu i qeverisë kërkoi nga anëtarët e kabinetit që të inkurajojnë punonjësit e administratës. “Jeni të lutur që këtë mesazh që unë kam për punonjësit e administratës të cilët i përgëzoj për punën e shkëlqyer që kanë bërë dhe bëjnë, do tua përcillni direkt në takim me ta. Ne i qëndrojmë projektit deri ditën e fundit, ditën e fundit vjen një drejtim i ri i ekzekutivit të vendit, i cili përcakton rregullat, normat, standardet, për të cilat ka të gjithë legjitimitetin e plotë për të vepruar sipas platformës së vet”- tha ai. Më tej, mbledhja e Këshillit të Ministrave vijoi sipas rendit të ditës, me miratimin e projektvendimit për kuotat e studentëve, për vitin e ri akademik. Kështu, 73% e maturantëve, 2% më shumë se një vit më parë, përfitojnë vende studimi me kohë të plotë në universitetet publike. “Është kënaqësi e veçantë të pohoj se 73 % e maturantëve përfitojnë vende studimi me kohë të plotë në universitetet publike. Këtu nuk janë llogaritur universitet private. Kjo është një rritje prej 2 %. Ky është numri më i lartë  29 mijë studentë”- tha kryeministri. Ndërkohë janë parashikuar kuotat për studentët nga lugina  e Preshevës, studentët nga Mali i Zi dhe Maqedonia, në degë të cilat nuk i kanë ose i kanë të kufizuara. “Do të flitet edhe me autoritetet vendore sigurisht ne do të hapim vende për ta, por sigurisht përkujdesja duhet të jetë për Preshevën dhe shqiptarët e Malit të Zi. Kjo është një arritje shumë e madhe. Në fushat e lidhura me IT, nga 29 mijë studente dhe studentë që do të pranohen gjatë vitit të ardhshëm akademik, fatmirësisht 15 % e tyre do të ketë në fushën e IT dhe kjo përbën një arritje të madhe, në mënyrë që të plotësohen sa më mirë nevojat për Shqipërinë dixhitale” - deklaroi më tej, kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›