21 JANARI
Nuk kam asgjë për të thënë për 21 janarin. Kisha në plan të dilja në bulevard e të sillja ca mbresa. Dola në bulevard, bëmë një rrotullim antiorar me muzikë filmash dhe ikëm pimë kafe. Pra, asnjë mbresë. Si me thënë, bëmë qokën e rastit sa për të mos na thënë që ja, sbëtë asgjë për 21 Janarin dhe kaq.
21 Janari, nuk duhej të ishte kështu. Sepse, 21 Janari ka vendosur para 1 viti një piketë në memorien tonë kombëtare, dhe padyshim (lexohet padyshiiiiim) ka krijuar një standard të ri politik, demokratik e mbi të gjitha qytetar. Pas 21 Janarit, asgjë nuk mund të jetë ashtu siç ka qenë.
21 Janari i protestës
Mënyra se si ne protestojmë, nuk do të jetë më njësoj pas 21 Janarit. Kjo u pa dhe në xhiron në Bulevard, një vit më pas.
Na kanë bërë të besojmë që protestat paqësore na qenkan protesta me lule!! Në fakt protestat paqësore janë ato ku nuk thyhen xhamat. Por, protestat NUK mund të jenë me lule. Aq më tepër, siç thuhet në filma, kur në këtë vend lulet i hanë gomerët.
Indinjata, protesta, e drejta për të shprehur një pakënaqësi ka pankarta e parulla, ka britma e brohoritma, ka fjalime që ndezin turmën dhe njerëz që ngrenë grushtet përpjetë. Ka një kor të madh pakënaqësie që duhet të ngrihet deri në qiell. Askush, nuk mund të na e heqë të drejtën për të bërtitur të vërtetën tonë në rrugët e qytetit tonë. Por, 21 Janari na bëri të kuptojmë që edhe me duar në xhepa mund të të vrasin.
Të drejtën e protestës, realisht, jo vetëm na e kanë hequr, por, po na detyrojnë të dalim me muzikë filmash e me lule. Ngrijini lulet lart! sepse dhe standardi i ri i protestës, nuk është garantues. Edhe me lule, mund të të vrasin.
21 Janari i së vërtetës
Problemi im më i madh një vit pas 21 Janarit, është standardi që u krijua në marrëdhënie me të vërtetën. Ne si popull kemi shumë probleme në marrëdhënie me të vërtetën. Na pëlqen ajo e vërtetë që na vë ndërgjegjen në gjumë.
Mungesa e standardeve ndaj së vërtetës nis që nga metodologjia kriminal e raportimit në media, tek ai i bombardimit konstant me fabrikime mediatike në mënyrë konstante, tek zhdukja e dëshmitarëve e përkthimi sipas qejfit i çfarëdo raporti, e më pas tek mungesa e institucioneve të besueshme e me integritet, qofshin këto akademi shkencore a gjykata, e deri tek krijimi i dogmave popullore.
Sigurisht që nuk kemi shumë faj për këtë. 45 vitet e komunizmit me Ministritë e veta të së Vërtetës, e kanë bërë punën e vet.
Dhe ja ku jemi, më 21 Janar.
Dita e abuzimit më të madh me të vërtetën, nuk është as 2 Prilli, as gjyqi i Nanos, as Sudja, as Gërdeci as shitja e detit. Është kjo.
Në një vend ku e vërteta funksionon me stilin rëndësi ka ajo që them unë në televizor, jo ajo që di ti, 21 Janari është apoteoza. Simboli. Totemi.
Nuk do qe keq që 1 Prillin ta zhvendosim më 21 Janar.
21 Janari qytetar
Mënyra se si ne jetojmë si qytetarë, nuk do të jetë më njësoj pas 21 Janarit.
21 Janari ishte shëmtia jonë kombëtare. Ishte si të dilnim në pasqyrë e të shihnim se kush jemi. Ata që mbështetën pa ekuivok, madje me cinizëm vrasjen, ata që thanë mirë ua bënë, se shkulën pllakat e bulevardit nuk janë njerëz të huaj. Jemi ne. Në çdo familje tonën, jemi ndarë një matanë e një më kët anë. Secila familje shqiptare, ka njërin që thotë na vranë dhe tjetrin që thotë mirë jua bënë.
Prandaj jam i prirur ta besoj teorinë që qarkullon se po të kishin vazhduar protestat mund të kishim përfunduar në luftë civile. Sepse, gjysma jonë, do i binte gjysmës tjetër. E nuk e kam fjalën për gjysmat e Shqipërisë, por për çdo gjysmë, familjet, pallatet, shkollat, institucionet.
21 Janari na tregoi se në këtë vend disa janë qytetarë të gatshëm për të duartrokitur vrasësit. Edhe për ti votuar.
21 Janari i politikës
Një lider që pohon më çuan sms që do të më vrisnin dhe një tjetër që thotë më bënë puç nuk do të mund të jenë kurrë si më parë, as njëri e as tjetri. Secili, do të jetë më keq, në stilin e tij. Dhe kurrë më bashkë, qoftë dhe për arsye madhore kombëtare.
Sigurisht, ne kemi raste kur viktima e xhelati janë bashkuar për interesa të ngushta përfitimi më vonë, por, kjo nuk ka të bëjë me politikën por me pazaret.
Nuk jam unë, smë përket mua, e as që dua ti tregoj opozitës se çfarë duhet të bëjë. Unë, nuk jam opozita.
Opozita e ka bërë të qartë që nuk ka në plan më të ndjekë rrugën e protestave. Secili e bën luftën sipas mjeteve që ka.
Por, unë mund të pretendoj që secili të zërë vendin që i takon. Secili, në karrigen dhe tavolinën që i takon. Ata që nuk janë për në rrugë, le të rrinë në zyrë. Meqë ishte e dielë, le të rrinë në kafe. Qokat nuk kanë kuptim!
Të paktën, shyqyr që nuk kishin stërmunduar njerëz nga rrethet. Çkuptim do të kishte të sillnim njerëz me autobusë, vetëm për të bërë një xhiro në këmbë?
Çkuptim ka ti sjellësh deri në Tiranë me kosto kohe e parash, vetëm që të dukemi shumë? Kujt i bëhet vonë në këtë vend se sa shumë je?
Pas 21 Janarit, politika nuk ka për të qenë më njësoj.
21 Janari i Shqipërisë
Pas 21 Janarit, Shqipëria nuk është më njësoj.
Më 28 janar, një vit më parë, lumi i mbi 100 mijë njerëzve i reduktuar në 6 mijë nga burizanët e pushtetit dhe në 300 mijë nga burizanët kundër pushtetit deshi të na thoshte diçka. Që, ka një Shqipëri të ndjeshme. Ka ca njerëz që nuk mund ta lënë të kalojë si pa të keq një ekzekutim në mes të bulevardit. Ka njerëz që akoma besojnë se jemi të barabartë, në të mirë e në të keq, në këtë vend.
Ata njerëz nuk kishin asnjë arsye për të dalë më 21 të këtij viti për qokë. E bënë qokën një herë, më 28 janar, para një viti.
Ka akoma një Shqipëri të mirë, edhe pse ata që e thonin dikur, e harruan shumë shpejt.
21 Janari na bëri të kuptojmë që ky atdhe nuk është i të tërëve ne. KY ATDHE, ËSHTË I ATYRE TË TJERËVE.
21 Janari im
Pas 21 Janarit, kalendari nuk mund të jetë më ai që ishte.
Unë nuk e mbaja mend se kur paska qenë Kongresi i Lushnjës, a me 21 a me 28. Ndjesë atyre që mund të jenë lidhur personalisht me atë ngjarje, por mua nuk bëhet vonë për Kongresin e Lushnjës.
Mua nuk më kanë prekur as ri-inskenimi i Konferencës së Pezës me festa tekno, festë që u harrua sapo u ndërrua kreu i Bashkisë.
Kam mundur të vë re që të vetmet data të rëndësishme për ne janë Viti i Ri festa e të ngrënit e të pirit, Shën Valentini festa e seksit, 28 Nëntori festa më e vjetër e festuar.
Festat e tjera, kanë vlerë për sa kohë mund të bëjmë pushim apo parti në pub.
21 Janarin e shkruaj me të madhe si të ishte një datë e veçantë, sepse unë, nuk jam më i njëjti pas 21 Janarit.
Çdo vend ka revolucionin e vet, thotë një tekst i Jovanottit. Për të shmangur keqkuptimet, kur kaq shumë njerëz mezi presin rastin, revolucioni im nuk është me gijotina mbretërish e as me djegie Rajshtagu.
Revolucioni im, është i brendshëm.
21 Janari, besoj se do të mbahet mend gjatë. Ai vuri një standard të shëmtuar për qytetarinë, të vërtetën, politikën dhe lirinë, por pas 21 Janarit, asnjë prej nesh nuk do jetë më njësoj.
Pavarësisht se politika do të mundohet ta përdorë si datë, opozita si kapital, pushteti si kërcënim, 21 Janari ka hyrë tashmë në kalendarin tonë kombëtar.
Prandaj, më vjen turp ta festoj me një xhiro në bulevard.
Pak Gërdec, sa për finale
I kam thënë vetes dhe e përsëris herë pas here, se unë nuk e harroj Gërdecin. Nuk e harroj, se po ta harroj do ishte sikur çifutët të harronin kampet e përqendrimit. Sot, pas vetëm 4 vitesh, vetë
