Presidenti i dardanëve
“Pavarësia është kompromis”, pati deklaruar presidenti Rugova, duke ua bërë me dije qarqeve ndërkombëtare se gjakimi i shqiptarëve ishte Shqipëria Etnike. Por për të qenë më kooperativë me bashkësinë ndërkombëtare jemi të gatshëm të pranojmë kompromisin, pra pavarësinë e Kosovës, e theksonte presidenti historik i dardanëve.
Ai propozonte që Kosovës t’i kthehej emërtimi i vjetër Dardani, emërtim aq të shpeshtë në fjalorin politik - e jo vetëm politik të Rugovës. Presidenti i dardanëve ishte dhe mbetet burrështetasi më këmbëngulës në parimet dhe idealet e veta. Dardania si emërtim dhe si përcaktim ishte shumë i afërt për Rugovën. E pati filluar me flamurin e Dardanisë, me interesimin e trashëgimisë materiale e shpirtërore, në kërkimin e rrënjëve të traditës, të cilat u bënë element mbizotërues në festat kombëtare, në theksimin me mburrje të rrënjëve tona dhe me inkuadrimin e këtyre elementeve në shtetin modern. Ishte vizionar që krijoi kornizat e shtetit të Dardanisë. I qetë, gjithherë i buzëqeshur, Rugova ishte burrështetasi më këmbëngulës dhe më i fortë moralisht që e patëm në Dardani. Ajo që u binte në sy edhe të huajve është qëndrimi i tij në dukje i brishtë, komunikues më të gjithë, i prirë që edhe nga kundërshtarët të bëjë miq, por i pathyeshëm në parimet për pavarësinë e Kosovës. Për realizimin e këtij projekti pati aq shumë sakrifica të shqiptarëve të Kosovës.
Hapësira e rrudhur e Dardanisë/Dikur një pjesë e pretendentëve për politikë të lartë të Kosovës, ishin dyshues për mundësinë e realizimi të pavarësisë. Më vonë ata dyshues të pashërueshëm ishin të gatshëm të marrin pjesë në grupet negociuese për finalizimin e pavarësisë. Dikur qeshnin me sarkazëm e mosbesim, duke mos e fshehur përshtypjen e tyre se puna e shtetit të Kosovës ishte si puna e ujit në havan, e rrah kot, se gjë s’pjellë nga kjo punë. Derisa Rugova shpalonte projektin e tij shkallë-shkallë, duke filluar me territorin e Dardanisë, gazetarët sharlatanë e të paarsimuar, shpesh edhe me kompleksin e inferioritetit ndaj serbit e përbuznin trashëgiminë dardane. Edhe më vonë kur presidenti synonte ta theksonte se jemi popull antik, pasardhës të ilirëve me traditë e kulturë shumë më të lartë se fqinjët, frymorët pro jugosllavë që mendonin se çdo gjë fillon nga koha e depërtimit të hordhive jugosllave në Kosovë, e përjetonin si blasfemi vënien në pah të përkatësisë etnike, duke e ndier veten keq. Madje, sa herë që presidenti e theksonte ndonjë moment nga jeta në Dardani, ata e banalizonin me togfjalëshin “dardhat turshi!”. Ata sikur e kishin ngarkesë përkatësinë e tyre kombëtare dhe nuk donin të jenë pasardhës të Dardanëve. S’ka dyshim se nuk ishin pasardhës të Dardanisë, por mbetën surrogat i konglomeratit të papërcaktuar. Ata donin të krijonin një komb surrogat me rrënjë të dala në sipërfaqe.
Pavarësisht nga fushata e medieve, pavarësisht nga sarkazmi i të shkombëtarizuarve e mercenarëve, presidenti Rugova vazhdonte të hulumtonte rrënjët në Dardaninë antike, duke theksuar elementet e shtetësisë që në këtë kohë. Një komb dhe një shtet me traditë mbi 2000-vjeçare, që kërkon hisen në familjen evropiane, sepse të këtij kontinenti jemi. Dardania kishte hapësirë gjeografike shumë më të madhe sesa që ka Kosova e sotme, por një pjesë e kësaj gjeografie është zhvatur nga fqinjët, sikurse që një pjesë e popullatës po ashtu është dëbuar nga pjesë të Dardanisë.
Rugova me një biografi të pasur politike, letrare e intelektuale, personalitet karizmatik që rrezatonte besim e entuziazëm ndër shqiptarët, ishte arsye e mjaftueshme dhe provokim i vazhdueshëm bashkëbisedimi për medie. Në bisedat private apo në ato publike ai ishte i lehtë në komunikim me të gjithë. Por një pjesë e propozimeve të presidentit u komentuan me zjarrmi e në mënyra nga më të ndryshmet. Me debate u prit propozimi i presidentit për Flamurin e Dardanisë, himnin dhe simbolet presidenciale, këto elemente të shtetësisë të cilat tashmë ishin të gatshme. Megjithatë flamuri e himni bën jetë aktive gjatë gjithë fushatës zgjedhore nëpër të gjitha qendrat më të mëdha e të vogla të Kosovës, ku u shpalua Flamuri i Dardanisë dhe ku u intonua himni “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë”.
Me vetë faktin se me këto simbole Rugova e udhëhoqi fushatën zgjedhore më 2001 dhe më 2003, dëshmoi se shumica e shqiptarëve i tumir propozimet e tij. Respekti e entuziazmi me të cilën u pritën promovimet e këtyre elementeve të rëndësishme që e bëjnë një shtet, në një mënyrë apo tjetër ishin edhe një lloj fushate ku krahas promovimit të programit të LDK-së, përkatësisht prezantimit të presidentit Rugova, u bë fushatë për simbolet e shtetit.
Ora-rojë e shqiptarëve/Derisa shtypi i majtë dhe estabilishmentit politik, po ashtu i majtë që politikën e kishin mësuar nëpër fshatra të humbura apo dhoma me tym të diasporës, shkumëzonin kundër këtyre propozimeve, shtypi i matur dhe ai i djathtë, natyrisht e tumirën këtë gjë. Disa udhëhoqën fushatën kundër këtyre simboleve pa ofruar asgjë për kundër argument, pos dëshpërimit të tyre pse këtë gjë e kishte bërë Rugova e jo dikush nga të përkëdhelurit e tyre. Çdo sukses të Rugovës e të Kosovës e përjetonin dështim të tyre. Në Shqipëri propozimi i paraqitur nga presidenti Rugova në pjesën më të madhe u tumir. Ajo që ishte e rëndësishme u tumir nga të gjitha personalitetet relevante politike e shtetërore. Kryeministri Sali Berisha, mbreti Leka Zogu, etj e mbështeten idenë e presidentin Rugova duke e vënë në pah se askush nuk të pranon, me flamur, himn e simbole të tjera të një shteti tjetër. Pra e theksonin se Kosova duhet të ketë simbolet e veta shtetërore, nëse pretendon të pranohet në OKB dhe ta ketë flamurin në Nju-Jork e organizmat e tjera ndërkombëtare. Këto i kishte parashikuar presidenti Rugova. Më vonë flamuri i Kosovës u bë më imponim, ashtu sikurse u bë edhe himni, pa asnjë ngjyrim kombëtar. Vdekja e Rugovës na rrëqeth jo vetëm pse humbëm një personalitet të madh, më të madhin që e patëm në Kosovë, por na rrëqeth kur mendoj për të ardhmen e Kosovës, për negociatat, për integrimin në BE, për ata që do të bisedojnë në emër të tij, apo në vend të tij. Hija e tij dhe oguri i mirë i presidentit Rugova edhe një kohë të gjatë do ta mbrojë Kosovën dhe shqiptarët e Kosovës. Ai do të jetë ora e mirë e shqiptarëve dhe frymëzimi për sakrifica e maturi. Është fatkeqësi që ai nuk është më për ta gëzuar, sikurse që është fatkeqësi që nuk ishte ai për të vazhduar integrimet në BE.