E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjenerali i dy ushtrive

Nga Ardian Vehbiu

Ka një pasazh, te Dimri i madh i Kadaresë, ku fshesaxhiu Rremë urinon mbi pemën simbolike që kish mbjellë Hrushovi gjatë vizitës së tij në Tiranë dhe, teksa e shoqërojnë në makinën e policisë, thërret: Poshtë Hrushovi! Meqë ishte koha kur Shqipëria po prishej përfundimisht me Bashkimin Sovjetik, kalimtarët nuk i jepnin dot dum kësaj skene meqë, në ato rrethana, logjika e donte që dikush të shoqërohej në polici po të thërriste Rroftë Hrushovi!, jo Poshtë Hrushovi!.

Ka edhe një koleksion anekdotash, pak shumë apokrife, për momentet e fundit të armiqve të Partisë dhe të popullit ish-bashkëpunëtorë të Enverit të zbuluar prej këtij vetë, të cilët kur iu komunikohej dënimi me vdekje ose edhe kur e shihnin veten para skuadrës së pushkatimit, thërrisnin: Rroftë shoku Enver!, kushedi ngaqë ashtu dëshironin vërtet, ose ngaqë shpresonin se Enveri nuk kish gisht në intrigat kundër tyre, ose ngaqë shpresonin për ndonjë ferman të faljes në sekondën e fundit, ose ngaqë kujtonin se, po të mbanin qëndrim të mirë gjatë pushkatimit, familjarëve të tyre do tua kursenin disi mundimet dhe përndjekjet.

Duke folur për raportin e udhëheqësit me popullin, në sistemet totalitare, Slavoj Zhizhek-u vëren se
Prova e besnikërisë së vërtetë ndaj një Lideri nuk është që dikush është gati të marrë plumbin ballit për të; përtej kësaj, dikush duhet të jetë gati të marrë plumbin ballit prej tij të pranojë që të braktiset, madje edhe të flijohet prej tij, nëse kjo u shërben qëllimeve eprore.
[Zizek, Slavoj, Welcome to the Desert of the Real, Verso 2002, f. 8-9, shënimi 5).

Hyn pastaj, në këtë mes, edhe e mirënjohura sindromë e Stokholmit, ose simpatia e viktimave për dhunuesit e tyre, të cilën urtësia popullore shqiptare e ka shprehur në mënyrën më koncize të mundshme: q*ja nënën, që të të thërrasë baba.
Të gjitha këto copëza faktesh dhe interpretimesh më vijnë në mend, kur u rikthehem ngjarjeve në Shqipërinë e verës dhe të vjeshtës së vitit 1990.

Ja si e përshkruan ministri i Brendshëm i asaj kohe, Hekuran Isai, në një mbledhje të Byrosë Politike, çfarë kishte ndodhur në Kavajë në mars të vitit 1990:

Kur u err, pranë Komitetit të Partisë, në mënyrë të heshtur erdhën qindra vetë. Shefi i policisë u ka thënë të shpërndaheshin se do ti lironin dhe ata të dy që ishin arrestuar dhe se nuk kishte të vdekur. Papritur shpërthyen gurët në drejtim të policisë, thyen xhamat. Në këtë kohë hidhet parulla Na lironi shokët, Liri-demokraci, Poshtë dinastia, Poshtë Nexhmija, Rroftë Ramiz Alia. Policia nuk veproi fare ndaj turmës. Turma doli në qytet, filluan të hidhnin përsëri parulla. Për çdo parullë përgjigjeshin me urra ose e shoqëronin me duartrokitje. Thyen xhamat e dyqaneve. E gjithë kjo zgjati 20-30 minuta, sa u ndezën drita, pastaj turma u shpërnda.

Si do ta kuptojmë një protestë haptazi kundër një regjimi totalitar, ku pjesëmarrësit brohorisin emrin e kreut të këtij regjimi dhe i shprehin atij haptazi dashurinë, simpatinë dhe mbështetjen e tyre, teksa përlesheshin me policinë (në Kavajë), u vinin zjarrin makinave të Komitetit të Partisë dhe mbeteshin deri të vrarë nga plumbat e forcave speciale (sampistëve)?

Dykorriksat, ata që shpërthyen oborret e ambasadave dhe më pas u larguan drejt Perëndimit në verë të vitit 1990, për të sanksionuar dhe pastaj kremtuar zbythjen e parë madhore të regjimit Alia para popullit të vet dhe botës mbarë, thërrisnin zakonisht Liri-Demokraci siç e kam dëgjuar edhe vetë, nga balloni i shtëpisë sime, relativisht afër rrugës Skënderbej; por ndonjëherë thuhej se dëgjohej edhe brohorima Ramiz Alia! Ramiz Alia!: ishte jeta që imitonte fshesaxhiun Rrem.

Tabloja do të përsëritej, njëlloj paradoksale, me protestat historike të dhjetorit, kur studentët e lëvizjes që do të çonte në themelimin e Partisë Demokratike si forca e parë politike opozitare në vend, thërrisnin me ngazëllim emrin e Ramiz Alisë, në atë kohë ishte ende shefi i regjimit totalitar, i zgjedhur në atë post nga vetë patriarku Enver.

Të duam shumë! i thanë Ramiz Alisë nga salla, gjatë takimit të tij me studentët e protestës në dhjetor 1990. Edhe unë ju dua, iu përgjigj ai. Revolucion më idilik nuk ka bërë vaki ndonjëherë në botë.

Në fakt, mbështetja e protestës së dhjetorit për Ramiz Alinë është e dokumentuar mirë; çfarë mungon ende, është një shpjegim i kënaqshëm i paradoksit.

Në atë kohë Alia mendohej, nga opinioni publik, si njeriu që po përpiqej të reformonte regjimin, për tua përshtatur rrethanave të reja. Edhe masat, dhe elita e përfytyronin atë si forcë relativisht pozitive, në kundërvënie me konservatorët enveristë, të udhëhequr nga Nexhmija.

Juve jeni pionier i demokracisë, i thotë Arben Imami Ramiz Alisë, në takimin e këtij me studentët, një kopje të zbardhur të të cilit, të cilën shtypi e ka nxjerrë nga libri i fundit me kujtime i ish-kryeministrit A. Meksi

Sa i përgjigjet realitetit ky cilësim i Imamit, ende nuk e dimë. Edhe sikur Alia të jetë vënë në ballë të reformave politike brenda regjimit, nuk dimë nëse ai e bënte këtë ngase e kish kuptuar që totalitarizmit komunist në Shqipëri i kish ardhur fundi, apo për arsye taktike, ose për të shpëtuar çfarë mund të shpëtohej nga strukturat dhe hierarkitë ekzistuese.

Megjithatë, dhe pavarësisht nga synimet e vërteta të Ramiz Alisë, mund të supozohet se studentët e Dhjetorit i ofruan atij haptazi përkrahje, ngaqë menduan se, për atë moment, mbështetja për Alinë ishte taktika më e arsyeshme që duhej të ndiqnin.

E megjithatë, përfytyroni një lëvizje që synon të krijojë një parti të re politike, të parën pas dyzet e kusur vjetësh totalitarizëm monopartiak në Shqipëri; dhe që, megjithatë, kujdeset deri në imtësitë më të vogla, që krejt veprimi i saj politik të zhvillohet me emrin e Ramiz Alisë në gojë, që ishte kreu i krahut tjetër, atij kundërshtar.

Mirënjohja jonë e madhe padyshim shkon së pari te Presidenti, shoku Ramiz Alia, i cili po me atë mençuri dhe guxim që udhëhoqi njësitë e mëdha të ushtrisë në betejat çlirimtare, udhëhoqi vendin tonë në betejat e reja të demokratizimit të Shqipërisë...
[... për të vazhduar]

Dua gjithashtu dhe ju ftoj gjithashtu të brohorasim edhe njëherë për Presidentin Ramiz Alia (zëra: Rroftë Ramiz Alia, Rroftë Ramiz Alia), duke shpresuar se, duke besue se do të krijojë të gjitha kushtet e mundësitë për arritjen e plotë të demokracisë në vendin tonë.

- tha kreu i ardhshëm i PD-së, Sali Berisha, në mitingun e madh të 12 dhjetorit, që shpalli edhe themelimin e forcës së parë opozitare në Shqipërinë e Pasluftës, po ai që pak vite më pas do të ishte instrumental në dënimin e Ramiz Alisë me burg.

Një tjetër arsye, për këtë lektisje pas kreut të regjimit komunist të Tiranës, mund të ketë qenë frika; frika nga aparati represiv i pushtetit, nga repartet speciale të MPB-së, nga Sigurimi i Shtetit, nga të gjitha ato forca të errëta që ishin gati të dilnin në shesh dhe tu këputnin studentëve kokën si të zogut. Ramiz Alia, për meritë të tij ose të forcave që kishin përgatitur, prej vitesh, figurën e tij për opinion, këqyrej si i distancuar nga krahu i armatosur dhe represiv i regjimit; si i butë dhe liberal nga natyra; si njeri me të cilin mund të flitej.

Por mund të ketë qenë edhe frika, e ngulitur thellë në pavetëdijen e çdo qytetari të shtetit totalitar, se duke u ngritur kundër rendit të sendeve, po sfidonte perënditë duke iu ekspozuar ashtu rrufeve. Lavdërimi i Ramiz Alisë, dalja në protestë me emrin e tij në gojë, përgjërimet për dashuri nga sallat dhe sheshet, ishin gati-gati si një lloj formule namatisëse ose vetëmashtrimi ngushëllues, për ti siguruar pjesëmarrësit në protestë se, t

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›