E Diel, 1 Nëntor 2026

21 Janari, Akuza: 23 vjet burgNdrea Prendit, 25 Agim Llupos

TIRANE -Prokuroria kërkon dënimin me 23 vjet burg për ish shefin e gardës Ndrea Prendi dhe  25 vjet burg për Agim Llupon, ndërsa heq dorë nga akuzat për Margarit Kumen.  Në Gjykatën e Krimeve të Rënda prokuroria lexoi pretencën për të akuzuarit e vrasjeve të 4 protestuesve në demonstratën e 21 janarit 2011 para kryeministrisë dhe më ps gjykata i dha fjalën avokatit mbrojtës të Ndrea Prendit, Genc Gjokutaj.

Ziver Veizi, Hekuran Deda, Aleks Nika dhe Faik Myrtaj janë katër protestuesit, të cilët mbetën të vrarë ndërsa dhjetra u plagosën. Të pandehurit janë ish-komandanti i gardës Ndrea Prendi, shoferi i tij Margarit Kume dhe ish-gardisti Agim Llupo. Llupo është i vetmi që ndodhet në burg deri tani, pasi Prendi dhe Kume gjykohen nën masën e arrestit shtëpi. Në seancën e cila vazhdon janë të pranishëm dhe përfaqësues të ambasadës së SHBA dhe Avokatit të Popullit, përfaqësuesi i organit të akuzës, deklaroi se gardistët kanë qëlluar drejt turmës, e cila nuk  qëlloi me armë por dhunuan gardistët me mjete rrethanore. 4 viktimat u vranë jashtë  rrethimit, çka do të thotë se ata nuk përbënin asnjë rrezik.

DESHMIA E PRENDIT
Në orën 12:40 Ndrea Prendi mori fjalën para trupit gjykues duke thënë se ishin “provokua dhe dhunuar nga demonstruesit.”. "Ngushëlloj familjet për viktimat. Pasi dola nga spitali, natën e 21 janarit nga media mësova për viktimat."- tha Prendi.

PRETENCA E PROKURORISE
Sipas prokurorisë Prendi më 21 janar me pistoletë ka qenë prezent në sektorin verior të kryeministrisë, duke qëlluar me pistoletë. Ka vrarë e plagosur. Faik Myrtaj u vra nga Ndrea Prendi, ndërsa Ziver Veizi u qëllua nga Agim Llupo.

Gjatë leximit të pretencës thuhet se “ Nga predhat e gardës u vranë 3 shtetas, u plagosën 7, mes të cilëve Aleks Nika. Në oborrin e kryeministrisë u gjendën 500 predha ndërsa turma nuk qëlloi me armë. Prokuroria nënvizoi se të shtënat nga Agim Llupo dhe Ndrea Prendi ishin në shkelje me ligjin. Ndrea Prendi ndërroi tytat e pistoletave dhe dëmtoi majën e gjilpërës për të fshehur lidhjen me veprën kriminale. "

Lidhur me shoferin e Prendit thuhet se Margarit Kume ka marrë armatimin e Prendit dhe i ka transportuar. Kume nuk ka qëlluar dhe ka vepruar në besim për eprorin.

Prej dt.23 maj 2012 janë zhvilluar 38 seanca, ndërsa më 16 janar 2013 u mbyll shqyrtimi i provave dhe dëshmive dhe sot paraqiten konkluzionet përfundimtare të prokurorisë.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›