E Shtunë, 31 Tetor 2026

21 Janari, mbledhja për imunitetin e 3 deputetëve të PS

TIRANE-Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli mblodhi sot Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve për nisjen e procedurave për heqjen e imunitetit të 3 deputetëve socialistë. Mbledhja u karakterizua me debate ku nuk munguan akuzat e ndersjella Ruci-Topalli. Ne fund te mbledhjes u vendos qe te premten ora 10:00 ne Keshillin e Mandateve te paraqitet Tom Doshi, te shtunen dhe te henen, Taulant Balla dhe Besnik Bare.

Kryeparlamentarja deklaroi se mbledhja e sotme ka ardhur pas kërkesës së Prokurorisë për dhënien e autorizimit për procedim penal ndaj deputeteve Besnik Bare, Tom Doshi dhe Taulant Balla, të dyshuar si organizatorë të protestës së dhunshme të 21 janarit.

“Pas një viti dje pasdite ka ardhur në zyrat e Kuvendit kërkesa e Prokurorisë, ku kërkohet dhënia e autorizimit për procedim penal ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Besoj se edhe në këtë rast, që është shumë më i veçante se rastet e tjera, Kuvendi do t’i japë mundësi Prokurorisë për të bërë një hetim e gjithanshëm të asaj dite të zezë.”- deklaroi Topalli.
Kryetarja e Kuvendit propozoi që prej ditës së nesërme, në orën 11:00, të dëgjohet njëri nga 3 deputetët socialistë.

Një ditë më parë kryeprokurorija Ina Rama në kuadër të hetimeve për 21 Janarin, kërkoi hetimin ndaj 3 deputetëve me pretendimin se kanë stimuluar protestën e dhunshme.

“Ndaj është e nevojshme hetimi i disa deputetëve, të cilët gjatë protestës krijojnë dyshime se me vepimet e kryera kanë organizuar dhunë. Kështu Besnik Bare, Taulant Balla dhe Tom Doshi do hetohen për organizim dhe pjesmarrje në tubim të dhunshëm”,- bëri me dije dje kryeprokurorja Ina Rama.

Sipas rregullores parlamentare (neni 118) kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit i paraqiten kryetarit të Kuvendit nga Prokurori i Përgjithshëm.
Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni deputetin. Ky i fundit lajmërohet për kërkesën e bërë dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha në të cilën Këshilli për Rregulloren do të fillojë shqyrtimin e kërkesës.
Deputeti ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes. Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda 4 javëve, harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera 21 janari, Bare: Deputetët e PS, rol konstruktiv në demonstratë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›