E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzekutohet në derë të shtëpisë i dënuari me leje

SHKODËR Ditën e sotme, 46-vjeçari do të kthehej në burgun e Lezhës, ku vuante dënimin për vrasjen që kishte bërë. Por hasmi e priste në derën e shtëpisë dhe e qëlloi duke e lënë të vdekur në vend. Astrit Kurmemaj, 46 vjeç, është vrarë me dy plumba pistolete pas koke, ndërsa po shkonte drejt shtëpisë së tij. Policia sapo ka marrë njoftimin ka kryer veprimet në vendin e ngjarjes, ndërsa forca të shumta të saj, të mbështetura dhe nga FNSH, kanë bërë kontrolle në banesat e familjes Muça, por pa mundur të gjejnë ndonjë provë, lidhur me vrasjen e djeshme.

Vrasja

Ekzekutimi ka ndodhur rreth orës 15:00 në lagjen Guerile, ku dhe familja Kurmemaj ka një pronë të veten. Astrit Kurmemaj, i dënuar për vrasje për motive gjakmarrjeje, ka qenë duke vuajtur dënimin në burgun e Shënkollit në Lezhë. Sipas burimeve nga policia lokale mësohet se ditën e premte, atij i është dhënë leje 5 ditore, një leje kjo që aplikohet për qëndrim të mirë në burg dhe të martën do paraqitej atje. Një fakt i tillë mendohet se është ditur dhe nga autorët, që ende janë të paidentifikuar, të cilët kanë ndjekur lëvizjet e 46-vjeçarit. Në momentin kur është qëlluar, ai ka qenë duke lëvizur në këmbë nëpër një rrugice që të çon drejt banesës së tij. Sipas policisë, ai është qëlluar me dy plumba pas kokës, nga distancë e afërt dhe nga prapa. Me vete viktima ka pasur një pistoletë, e cila i është gjetur në brez por duke qenë se është qëlluar befasisht dhe nuk i ka parë autorët, ai nuk ka mundur që reagojë. Vdekja e tij ka qenë e menjëhershme. Në kokë viktima ka pasur dhe një kapuç të zi leshi, që përdoret kur është ftohtë, por sipas policisë, duke qenë se këto ditë nuk ka pasur temperatura të ulta, kapuçin viktima mund ta ketë vënë dhe për të mos u njohur. Motivi i kësaj vrasjeje është gjakmarrja, por akoma nuk ka të dyshuar. Kjo pasi Astrit Kurmemaj po vuante dënimin për dy vrasje të ndodhura në vitin 1998 dhe 2003, e para për hakmarrje, pas një grindjeje të viktimës me një të afërm të tij dhe e dyta për gjakmarrje, pasi ishte vrarë vëllai i Astrit Kurmemës, Besnik Kurmema.

Vendimi e gjykatës

Astrit Kurmemaj është akuzuar fillimisht për vrasjen e Genc Muçës, ngjarje kjo e ndodhur më 12 tetor 1998. Prokuroria e Shkodrës, për shkak të mosidentifikimit të autorëve të krimit, më datë 28 gusht 2000 kishte vendosur pezullimin e çështjes, ndërsa më datë 21 tetor 2004, nga ana e prokurorisë së Rrethit Shkodër, ka nisur përsëri procedimi penal për këtë çështje dhe më 1 nëntor 2004 është bërë ndalimi i të

akuzuarit kryesor, 43-vjeçarit Astrit Kurmemaj, ndërsa së bashku me të është akuzuar për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës dhe vëllai i tij Agim Kurmemaj.

Gjykata e shkallës së parë në Shkodër, pas shqyrtimit të çështjes, me vendimin e saj nr. 270, datë 18 korrik 2007, e ka deklaruar të pafajshëm Astrit Kurmemajn, për vrasjen e Genc Muçës dhe e ka dënuar atë me 3 vjet burgim, duke e deklaruar fajtor për mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake dhe për mbajtje pa leje të armëve të ftohta.

Ndërsa vëllanë e tij, Agim Kurmemaj e ka deklaruar të pafajshëm, për akuzat e ngritura ndaj tij dhe ka shuar masën e sigurisë së detyrimit për paraqitje, që ishte caktuar ndaj tij. Pas apelimit të bërë nga Prokuroria e Shkodrës, Gjykata e apelit në Shkodër ka bërë shqyrtimin e çështjes dhe ka vendosur ndryshimin e vendimit të shkallës së parë. Nga trupi gjykues i apelit të Shkodrës, i kryesuar nga gjyqtarja Edlira Petri, në vitin 2008 është vendosur deklarimi fajtor i Astrit Kurmemajt, për vrasjen e Genc Muçës dhe dënimin e tij me 15 vjet burgim.

Djana Kolaj

Si nisi gjakmarrja mes fiseve Kurmemaj e Muça

Historia e gjakmarrjes e fisit Kurmemës ka nisur kur më 7 nëntor 2002, në rrugën “Bujar Beshanaku“ vritet me armë zjarri Besnik Kurmemaj, vëllai i Astritit, dhe motiv është gjakmarrja ndërsa autori është Flamur Muça, vëllai i Genc Muçës, për të cilën u deklarua fajtor Astrit Kurmemaj. Më 14 prill 2003, në rrugën në të majtë të shkollës “Ndre Mjeda” në Shkodër, vritet me armë zjarri Luan Muça, kushëri i parë i viktimës Genc Muça (djali i xhaxhasë). Dyshimet ranë mbi Astrit Kurmemajn dhe familjet Muça e Kurmemaj, dhe pse ishin baraz me nga një të vrarë, nuk kishin pranuar të pajtoheshin ndërsa vrasja e Luan Muçës e ashpërsonte konfliktin mes tyre. Lidhur me vrasjen e Luan Muçës, pas disa etapa gjyqësore në Tiranë, te Gjykata e Krimeve të Rënda dhe në Shkodër. Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër, me vendimin nr. 91 datë 20 shkurt 2009, e deklaron fajtor Astrit Kurmemajn, për vrasjen për gjakmarrje të Luan Muçës dhe e dënon atë me 21 vjet burgim, por përfiton nga aplikimi i nenit 406 që zbret 1/3 e dënimit dhe dënohet me 14 vjet burgim. Për dy vrasjet e deklaruara fajtor, Astrit Kurmemaj para gjykatës nuk e kishte pranuar asnjëherë fajësinë. Kapja nga policia e Astrit Kurmemës është bërë nga Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me Renan më 31 tetor 2004, në banesën e tij. Përveç dy vrasjeve të kushërinjve Muça, Astrit Kurmemaj ka qenë i dyshuar dhe për dy vjedhje dhe një tjetër vrasje, e cila nuk është dokumentuar asnjëherë. Që nga kjo kohë, Astrit Kurmemaj ka qenë në burg, ndonëse vazhdimisht i jepej leje për sjellje korrekte dhe ai ka respektuar gjithnjë afatet e lejeve të dhëna. Familja Kurmemaj dhe ajo Muça vazhdojnë të jenë në hasmëri.

Drejtoria e Burgjeve: Leja është dhënë sipas ligjit

Sipas burimeve zyrtare nga drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, mësohet se leja që i është dhënë 46-vjeçarit, Astrit Kurmemaj, është dhënë sipas ligjit dhe nuk ka pasur shkelje nga ana e burgut të Lezhës, ku vuante dënimin i dënuari. Po të njëjtat burime kanë saktësuar se leja e dhënë për të, quhet leje shpërblyese që jepet për të dënuarit, të cilët kanë kryer gjysmën e dënimit. Po kështu, kjo lloj leje iu jepet edhe personave të cilët kanë pasur sjellje të mirë në burg, si dhe nuk kanë marrë vërejtje gjatë 4-5 muajve të fundit, iu jepet 5 ditë leje. Gjatë kësaj leje, i dënuari nuk është i shoqëruar nga policia dhe kthehet në vendin e vuajtjes së dënimit, sipas orareve dhe datës së përcaktuar më parë. Edhe burime nga drejtoria e Policisë së Shkodrës, bëjnë me dije se ndonëse vazhdimisht i jepej leje për sjellje korrekte dhe ai ka respektuar gjithnjë afatet e lejeve të dhëna.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›