E Shtunë, 31 Tetor 2026

21 janari, FBI nuk flet për vrasje me dashje, Ina Rama gënjen Eva Gjura

Deputeti i Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli, ka akuzuar dje ashpër kryeprokuroren Ina Rama se po bashkëpunon me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, për të shpëtuar përgjegjësit e 21 janarit dhe se po spekulon me ekspertizën e FBI-së. Gjatë një deklarate për shtyp, deputeti Kadilli është shprehur se në asnjë rresht ekspertët e FBI-së dhe asnjë ekspertizë tjetër nuk është shprehur se ato kanë qenë vrasje me dashje, por të shtëna vdekjeprurëse. Kadilli tha se “pas një viti, në intervistën e saj ‘shoqja e bulevardit’ apo Prokurorja e Përgjithshme, akuzoi Gardistët për vrasje me dashje dhe spekuloi me ekspertizën e ardhur nga FBI-ja”. Duke dashur të sqarojë të gjithë shqiptarët, Kadilli është shprehur se “në ekspertizën e FBI-së dhe në asnjë ekspertizë tjetër, në asnjë germë dhe asnjë rresht, nuk bëhet fjalë për vrasje me dashje, por për të shtëna vdekjeprurëse, ndërsa akuza e prokurores është formuluar nga Edi Rama në kryesinë e Partisë Socialiste, në një tentativë të pashpresë të tyre për t’i shpëtuar përgjegjësisë për 21 Janarin”. Për mazhorancën, kryeprokurorja Ina Rama po mashtron përsa i përket 21 janarit dhe ajo vazhdimisht po dëshmon se është bashkautore për hir të mandatit të dytë, në përpjekjen e Edi Ramës për të përmbysur me dhunë pushtetin e dalë nga vota e lirë, më 21 Janar 2011. “Unë nuk do të ndalem në trillimet dhe mashtrimet e saj, sepse për shqyrtimin e tyre ekzistojnë të gjitha mundësitë, por dua t’i rikujtoj shqiptarëve sot, se me datën 22 Janar, në orën 4 të mëngjesit, Edi Rama, që kërkonte në mënyrë ultimative arrestimin e horrave të Gardës, e heronjve që mbrojtën Kushtetutën dhe ligjet e vendit, duke i cilësuar si persona shoqërisht të rrezikshëm, ekzaktësisht siç shprehet kryeprokurorja publikisht dhe në akuzë, u deklaroi shqiptarëve se drejtori i Përgjithshëm i Policisë i ka thënë në telefon Prokurores së Përgjithshme se nuk do të ekzekutojë vendimet, pasi aty ka lapsus, duke dëshmuar kështu bashkërendimin e ngushtë midis tyre”, është shprehur deputeti i PD-së në daljen e tij publike, duke kundërshtuar deklaratat e bëra nga kryeprokurorja në emisionin “Opinion”. Kryeprokurorja është një nga personat e parë që mazhoranca akuzoi si bashkorganizatore me presidentin dhe kryesocialistin Rama, për organizimin e grushtit të shtetit më 21 janar, me synim marrjen e pushtetit me dhunë. Akuzë, e cila, sipas mazhorancës, u provua edhe më vonë, sepse një vit më pas, kryeprokurorja u mundua të prishë provat dhe jo të japë kontributin e saj për hetimin e ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›