E Shtunë, 31 Tetor 2026

21 janari, Apeli lë në 'arrest shtëpie' Prendin, shtyhet seanca për Llupon

TIRANË- Gjykata e Apelit lë në arrest shtëpie ish-komandantin e Gardës së Republikës Ndrea Prendin, duke mos ndryshuar masen e sigurisë të dhënë nga Gjykata e Tiranës. Prokuroria parlajmëron rekurs të vendimit në Gjykatën e Lartë si dhe ridërgimin e cështjes sërish në Gjykatën e Tiranës me prova të reja që implikojnë Prendin në vrasjen e protestuesit Faik Myrto.

Apeli ndërkohë ka prishur vendimin e Gjykatës së Tiranës për shoferin e Prendit Margarit Kume, duke e liruar nga arresti shtepiak dhe duke dhënë vetëm detyrim paraqitje

Po sot Gjykata e Tiranës shtyn për në dhjetë shkurt vendimin për ish gardistin Agim Llupo, nëse ai do qëndrojë dhe tre muaj në paraburgim sic kërkon Prokuroria apo do lihet i lirë sic kërkon pala mbrojtëse. Shtyrja e seancës sot pasi avokati Gëzim Veleshnja i caktuar nga gjykata nuk pranoi të vihej në mbrotje të Llupos.

APELI LË NË 'ARREST SHTËPIE' PRENDIN
Gjykata e Apelit lë në arrest shtëpie ish komandantin e Gardës Ndrea Prendit, i akuzuar për vrasjen e protestuesit Faik Myrtaj. Prokuroria kërkoi gjatë seancës së sotme ndryshimin e masës në 'arrest me burg'. Gjykata e Tiranës vendosi  pak ditë më parë masën ‘arrest shtëpie’.

Ndrea Prendi, me detyrë komandant i Gardës së Republikës u vu nën arrest shtëpiak pak ditë më parë, pasi nga hetimet 1-vjeçare për ngjarjet e dhunshme të 21 janarit, ai dyshohet të jetë qëlluar gjatë demonstratës dhe njëri prej plumbave të qitur nga pistoleta tip ‘Beretta’ e kalibrit 9 mm dhe me numër P52796Z, ka shkaktuar vdekjen e demonstruesit Faik Myrtaj.

AGIM LLUPO KËRKON LIRIMIN, GJYKATA SHTYN SEANCËN
Gjykata e Tiranës shtyhu sërish seancën ndaj gardistit Agim Llupo për qëndrimin e mëtejshëm ose jo të tij në qeli. Shtyrja e seancës u bë për shkak të mosparaqitjes së avokatit të ri të gardistit, i vetmi që ndodhet prapa hekurave për ngjarjet e dhunshme të 21 janarit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndaj të cilit rëndon akuza e vrasjes së demonstruesit Ziver Veizi.

Gjykatësi Shkëlqim Mustafa do të shqyrtojë dy kërkesat për të akuzuarin Llupo, në një tjetër seancë që pritet të zhvillohet në 10 prill. Kërkesat janë krejt të kundërta me njëra-tjetrën, Llupo që kërkon lirinë dhe prokuroria që kërkon zgjatjen e afatit për qëndrimin e të dyshuarit prapa hekurave.

Mëngjesin e djeshëm u zhvillua një seancë për shqyrtimin e kërkesës së prokurorisë për zgjatjen e afateve të paraburgimit për Llupon, ku ishte i pranishëm dhe vetë i pandehuri.

Ky i fundit kishte zgjedhur avokat Gëzim Veleshnjan, pas dorëheqjes së Genci Gjokutajt, i cili kishte marrë në mbrojtje ish-komandantin e Gardës Ndrea Prendi, ndaj të cilit rëndon akuza e vrasjes së demonstruesit Faik Myrtaj. Por zoti Veleshnja ka pohuar sot se nuk është në mbrojtje të të pandehurit Agim Llupo dhe për këtë arsye trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës.

APELI: SHOFERI I GARDËS, DETYRIM PARAQITJE
Apeli ka vendosur ndryshimin e masës së arrestit për Margarit Kume, shoferin e ish kryekomandantit të Gardës, Ndrea Prendi. Apeli ka ndryshuar vendimin e Gjykatës së Tiranës, e cila kishte vendosur masën ‘arrest me burg’ në masën detyrim paraqitjeje. Menjëherë pas përfundimit të seancës gjyqësore, avokati mbrojtës i Kumes deklaroi se klienti i tij nuk ka kryer asnjë vepër penale.

“Ai nuk ka kryer vepër penale, do hetohet, po nuk ka kryer ndonjë krim. Gjykata vendosi të ndryshoje vendimin e gjykatës së rrethit me detyrim paraqitjeje”, deklaroi avokati i Kumes.

Margarit Kume, shofer i ish-komandantit të Gardës, dhe Armando Kasa, specialist i IT-së në kryeministri, akuzohen për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës.
 (el.me/er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›