E Shtunë, 31 Tetor 2026

21 janari Berisha Po pengohet hetimi

Kryeministri Sali Berisha në fjalën e mbajtur në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, ka deklaruar se po bëhen përpjekje për të penguar hetimin e 21 janarit.

Ai ka theksuar se qeveria ka vendosur bashkëpunimin me Prokurorinë që prej ardhjes së ekspertëve amerikanë, në ndihmë të hetimit.

Duke deklaruar se një nga viktimat ishte vrarë nga një plumb rikoshet, kryeministri ka kërkuar zbardhjen e tre vrasjeve të tjera.

“Po bëhet gjithçka për të penguar një proçes jetik dhe vendimtar për vendin, hetimin e pavarur të ‘ngjarjes së bulevardit’. Pas ardhjes së prokurorit të SHBA-ve, qeveria ka vendosur bashkëpunim të plotë dhe total me institucionin e Prokurorisë së këtij vendi. Natyrisht qeveria mbetet për një hetim të besueshëm, të plotë, të pavarur dhe të gjithanshëm”, është shprehur Berisha.

“Çdo ditë botohen në media dosjet sekrete të hetimit. Fabrikojnë në media akuza të trilluara, siç është gjoja fshehja e serverit të Gardës së Republikës. Ka gjashtë ditë që kjo qeveri i është përgjigjur çdo kërkese të ardhur, kjo edhe në dijeni të ekipit që erdhi për të kontribuar në këtë hetim. Por janë konstatuar shkelje të tjera të rënda të proçedurës dhe marrëveshjeve të bëra. Qeveria është e interesuar më shumë se kushdo tjetër për hetim të plotë dhe të gjithanshëm të rrethanave në të cilat humbën jetën katër qytetarë”, tha Berisha.

“Mirë njeri që ishte nga rikosheti, siç e botojnë vetë në media, po të tjerët. Kush ishte dora e zezë? Kush ishin rrethanat? Është kjo pjesë e skenarit se unë do kaloja mbi kufoma? Hetimi do të jetë i plotë për çdo gjë. Askush s’mund të pengojë këtë proçes jetim dhe nuk mund ta parandalojë atë. Ftoj të gjithë qytetarët të kontribuojnë në hetimin e kësaj ngjarjeje. Shpreh mirënjohjen për qindra dokumenta të sjella”, theksoi kryeministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›