21 janari, Gjykata e Lartë lë të lirë pjesëtarin e grupit të zjarrit
Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë për rikthimin në burg të gardistit Gazmend Ahmetaj, njëri prej pjesëtarëve të “grupit të zjarrit”, i cili qëlloi mbi protestuesit para kryeministrisë më 21 janar. Aktualisht, Ahmetaj dhe dy gardistë të tjerë po ndiqen në gjendje të lirë për vrasjen e katër protestuesve të 21 janarit.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit dhe të rrëzojë kërkesën e prokurorisë për mungesë provash. Gjykata e Shkallës së Parë kishte caktuar më 7 shkurt 2011 masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 30-ditor, por pas ankimimit të gardistëve, u vendos që ata të ndiqeshin në gjendje të lirë.
I vetmi nga “grupi i zjarrit” që ndodhet aktualisht në burg është gardisti Agim Llupo, i akuzuar për vrasjen e Ziver Veizit gjatë protestës së 21 janarit, ku mbetën të vrarë edhe Hekuran Deda, Aleks Nika dhe Faik Myrtaj.