Rama: Nëse drejtësia s’flet drejt, populli më këmbë
25/05/2011 PS në pritje të vendimit të Kolegjit për rezultatin e Bashkisë së Tiranës
Partia Socialiste do të vendosë lidhur me aksionin e saj politik vetëm pasi Kolegji Zgjedhor të shprehet për rezultatin zgjedhor për Bashkinë e Tiranës. Ndërkohë që deri në një vendimmarrje të tillë, ligjvënësit socialistë do të vijojnë me bojkotin e komisioneve dhe seancave parlamentare. Nëse Kolegji do të lërë në fuqi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili shpalli fitues në këtë garë kandidatin demokrat Lulëzim Basha, atëherë kampi opozitar do të rimarrë organizimin e protestave qytetare. Ky ishte qëndrimi më i fundit i ardhur nga selia rozë, gjatë ditës së djeshme. Kështu, në një bashkëbisedim me gazetarët, kreu socialist Edi Rama bëri publik këtë vendim të partisë së drejtuar prej tij. Ndërsa deputetët e PS-së, në mbledhjen e zhvilluar dje në mesditë vendosën që të bojkotojnë institucionin e Kuvendit.
Qëndrimi
Partia Socialiste nuk do të njohë rezultatin e Komisionit Qendror Zgjedhor për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe do të ndjekë të gjitha rrugët demokratike e ligjore për ta kundërshtuar atë. Një vendim i tillë u bë publik dje nga vetë kryetari i Partisë Socialiste, njëkohësisht kandidat për një mandat të katërt në krye të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. “Nuk njohim rezultatin e nuk kemi për ta njohur, pasi është fryt i kanibalizmit elektoral të Saliut, që u materializua në KQZ e jemi të sigurt që do rrëzohet në tavolinën e drejtësisë”, vuri në dukje Rama gjatë fjalës së tij. Në vlerësimin e kreut socialist, kryeministri Berisha vodhi fitoren e PS në Tiranë dhe kjo u bë në shkeljen më brutale të Kushtetutës, Kodit Zgjedhor, të normës të etikës institucionale e çdo norme të moralit shoqëror. “Procesi i numërimit të votave në KQZ ishte një kanibalizëm elektoral, i cili është konsumuar edhe artimetikisht, që nuk përputhet asgjëkund me ligjin dhe votat e futura enkas për të ndryshuar rezultatin, nuk përputheshin asgjëkund me tabelat e votuesve”, u shpreh Rama, sa i takon një çështjeje të tillë.
Aksioni
“Nëse drejtësia nuk do bëjë drejtësi, atëherë populli do gjejë rrugën për të vënë drejtësi e ne do ta udhëheqim atë”, u shpreh Rama, duke informuar se momentalisht është radha e Kolegjit për të vënë drejtësi. Në rast se kjo nuk ndodh, i mbetet opozitës dhe qytetarëve të thonë fjalën e tyre. “S’ka shans që opozita të ndalet në rrugën e rivendosjes së demokracisë. Kontestimi ynë do përshkallëzohet nëse e drejta jonë nuk do të njihet ashtu siç është e drejtë ditën për diell, e parë nga të gjithë shqiptarët. Sigurisht ka kamikazë të oborrit të shtetit si banditët në KQZ, që mund ta përmbysin, por nuk ka juristë plepash që të mund ta vërë në dyshim”, nënvizoi Rama, lidhur me aksionin e ardhshëm të PS-së.
Ligjvënësit socialistë jashtë Kuvendit
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të bojkotojë punën në komisionet dhe seancat parlamentare. Ky ishte vendimi i marrë dje në mbledhjen që zhvilloi ky grupim gjatë mesditës. Burime pranë këtij takimi bënë me dije se në mbledhje ishte i pranishëm dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili u kërkoi deputetëve që të ndalin “armëpushimin” me shumicën qeverisëse dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve deri në marrjen e vendimit nga ana e Kolegjit Zgjedhor për Bashkinë e Tiranës. Kështu, mësohet se deri në një vendimmarrje të tillë, socialistët do të heqin dorë nga protestat dhe thirrjet për revolta qytetare. Por kjo strategji do të mbahet pezull, pasi, nëse do të kemi një vendim në disfavor të PS-së nga ana e Kolegjit, të tilla organizime do të përbëjnë dhe axhendën kryesore të kampit opozitar. Për këtë arsye, mësohet se kreu socialist i ka porositur deputetët që gjatë kësaj periudhe të vijojnë të mbajnë kontaktet me elektoratin e majtë. Ndërkohë që gjatë mbledhjes nuk kanë munguar dhe propozimet për radikalizim të qëndrimit.
Ja si lexohet vota e 8 majit nga PS
Kryetari i PS-së, Edi Rama, gjatë bashkëbisedimit të tij me gazetarët nuk harroi të ndalet dhe te deklarata e kundërshtarit të tij politik, lidhur me rezultatin e 8 majit. Kështu, në kundërpërgjigje të deklaratës së kryeministrit Berisha, i cili që shprehur se koalicioni i udhëhequr nga PD i kishte fituar zgjedhjet, Rama tha se zgjedhjet janë fituar nga koalicioni “Aleanca për të Ardhmen” dhe nga Partia Socialiste. “Kur themi këtë, i referohemi këndvështrimit që ka bota demokratike kur bën zgjedhje vendore dhe kur llogarit krejt ndryshe nga Saliu, që së fundmi ka përmbysur dhe aritmetikën, e jo më pastaj shifrat që kanë të bëjnë me standardet ekonomiko-shoqërore të vendit. Zgjedhjet i kemi fituar ne, sepse jemi mandatuar të qeverisim një pjesë dy a tri herë më të madhe sesa pjesa që do qeverisë të mandatuarit e kundërshtarëve”, vuri në dukje Rama. E parë në këtë linjë, kryetari i socialistëve u shpreh se “fiton forca që merr jo vetëm më shumë mandate, por dhe mandatet me peshën më të madhe në raport me qeverisjen e territorit”.
Apeli i kryetarit Rama për ndërkombëtarët
Shtyrja e vizitës së presidentit të KE-së, Jose Manuel Barroso, në Tiranën zyrtare u vlerësua nga kreu i PS-së, Edi Rama, si një “sinjal i fortë e aspak ogurmirë për Shqipërinë”. Për këtë arsye, kryetari i opozitës ripërsëriti dhe gjatë fjalës së tij të djeshme apelin për ndërkombëtarët. “Të ndërhyjnë edhe më me forcë për të shpëtuar një proces që rrezikon ta fusë Shqipërinë në qorrsokak”, u shpreh Rama. Ndërkohë Rama falënderoi vëzhguesit e ODHIR-it dhe shefin e misionit Jonathah Stonestreet në emër të të gjithë shqiptarëve, pasi sipas tij, në raportin e këtij misioni u la e shkruar në të bardhë me të zezë ajo njollë që ka tashmë regjimi i vjedhjes së votës. “Shpreh falënderimin më të sinqertë për ambasadorët e trojkës në Shqipëri, ambasadorin amerikan Aleksandër Arvizu, atë të BE-së Ettore Sequi dhe të OSBE-së Eugen Volfart, të cilët i qëndruan shumë afër procesit dhe luajtën një rol kyç në transparencën dhe integritetin e votave në sytë e të gjithë shqiptarëve”, nënvizoi Rama gjatë fjalës së tij, lidhur me procesin zgjedhor të 8 majit.
PD i kundërpërgjigjet Ramës
Tabaku: Kanibalizëm është refuzimi për të lexuar votën e qytetarit
Partia Demokratike iu kundërpërgjigj dje deklaratës së ardhur nga kreu socialist Edi Rama. Referuar etiketimeve që ky i fundit i bëri vendimit të KQZ-së për Bashkinë e Tiranës, kandidatja demokrate për këshillin bashkiak të kryqytetit, Jorida Tabaku, akuzoi se kreu Rama nuk dëshiron të dëgjohet zëri i qytetarëve, sepse nuk i pëlqen ajo që ata kanë thënë. “Gara në këto zgjedhje ishte shumë e ngushtë dhe rrjedhimisht lind pyetja: A duhet të numërohet çdo votë dhe a duhet të dëgjohet zëri i çdo qytetari? Edi Rama që në fillim është investuar fort që të krijojë paqartësi mbi këtë çështje, sepse ai do të fshehë faktin se nuk donte që çdo votë të numërohej. Ai nuk do që të dëgjohet zëri i çdo qytetari, sepse atij nuk i pëlqejnë ato çka qytetarët kanë për të thënë”, u shpreh Tabaku. Sipas saj, kryetari i PS-së, pasi është përpjekur që të ndalojë numërimin e çdo vote, po përpiqet të dëmtojë institucionet demokratike, në vend që të pranojë publikisht se për të këto vota nuk kanë vlerë. Gjithashtu, në vijim të kundërpërgjigjes ndaj kreut të socialistëve, Tabaku vuri në dukje se “nuk është kanibalizëm të përfshish në proces çdo votë, por është kanibalizëm të thuash se votat e disa qytetarëve nuk kanë vlerë. Kanibalizëm është të akuzosh pa fund dhe pa baza duke hedhur baltë dhe dyshime mbi një proces që ishte më transparenti deri më tani”. Njëkohësisht, në po këtë linjë, kandidatja demokrate e cilësoi si kanibalizëm përdorimin e një gjuhe kërcënuese, bllokimin e rrugëve dhe rrethimin e institucioneve në përpjekje për t’i dëmtuar ato dhe imazhin e vendit. “Pse pa asnjë bazë e asnjë fakt, Edi Rama thotë se është e paligjshme të numërohet çdo votë, kur Kushtetuta jonë garanton se çdo votë është e barabartë? Pse Edi Rama shpik histori absurde për administrimin e kutive, kur siguria e tyre është e vërtetuar (ato janë të vulosura dhe u hapën drejtpërsëdrejti në televizion), në vend që ta pranojë faktin se ai mendon që këto vota nuk kanë vlerë? Përse Edi Rama thotë se do të përdorë çdo opsion ligjor dhe, nëse nuk ndryshohet rezultati dhe nëse ai nuk shpallet fitues, ai nuk do ta pranojë rezultatin, në vend që ta pranojë faktin se ai mendon që këto vota nuk kanë vlerë?”, vuri në dukje Tabaku. Gjithashtu ajo kërkoi që “Edi Rama duhet të mbajë konferencë për shtyp dhe t’i përgjigjet pyetjes më të madhe që kanë qytetarët në mendje: përse Edi Rama do që të përjashtojë votat e qytetarëve?”.