21 janari, McIlwham: Drejtësi për të luftuar mosndëshkimin

Në prag të përvjetorit të demonstratës së 21 janarit Ambasadorja Britanike, Fiona McIlwham ka theksuar se është e rëndësishme të jepet drejtësi për viktimat dhe për familjarët e tyre. Në një deklaratë për shtyp Ambasadorja Britanike, i bën thirrje të gjitha autoriteteve shqiptare të bashkëpununojnë me prokuorinë për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes së 21 janarit.
“Janarin e kaluar, ministri ynë për Europën, David Lidington, bëri thirrje për një hetim penal të plotë të pavarur të ngjarjeve në Tiranë. Ky hetim vazhdon. Një proces i besueshëm do të marrë kohë, por ai nuk duhet me të vërtetë, nuk duhet të vonohet. Ne i bëjmë thirrje të gjitha autoriteteve shqiptare për të bashkëpunuar plotësisht me prokurorët per hetimin” ka theksuar McIlwham.
Sipas saj gjatë një procesi të gjatë dhe shpesh të dhimbshëm të zhvillimit demokratik drejtësia kërkon institucione profesionale të paanshme, të cilat besohen nga publiku se po veprojnë me paanshmëri, dhe ndiqen me kujdes nga media për tu siguruar se janë të drejtë.
“Vetëm disa javë më parë në Britani, dënimi i dy burrave pas 19 vjetësh për vrasjen raciste të një nxënësi, vërtetoi përsëri rolin thelbësor që luajnë presioni publik dhe presioni mediatik në shtyrjen përpara të reformave dhe për të siguruar se asnjë nuk qëndron mbi ligjin” ka shtuar ambasadorja.
Sipas saj Shqipëria ka tani një mundësi të ndërmarrë hapat e duhur drejt dhënies së drejtësisë për të gjithë dhe për të luftuar çdo sens mosndëshkimi. “Ne shpresojmë se autoritetet shqiptare do ta shfrytëzojne këtë mundësi" ka shtuar më tej McIlwham.