E Diel, 1 Nëntor 2026

21 janari, Rama: Vendimi i gjykatës i tmerrshëm, Berisha përgjegjësi për ngjarjen

Shqipëria është vendi më i korruptuar në Europë sipas ‘Transparency International’. I ftuari im sot Edi Rama ka premtuar se do ta ndryshojë këtë gjë kur të bëhet kryeministër i vendit në shtator. 

Ai ka fituar vlerësim ndërkombëtar për transformimin e Tiranës kur ishte kryetar Bashkie dhe jo vetëm sepse ka lyer ndërtesat gri me ngjyra. Ai tani ka premtuar një “Rilindje” për të gjithë vendin. Pra a mundet një ish-artist të ketë sukses aty ku politikanët e mëparshëm kanë dështuar?

Sara Montague: Edi Rama mirëserdhët në Hard Talk.
Rama: Faleminiderit që më ftuat.

Sara Montague: Pse mendoni që ju do të jeni më i suksshëm në pastrimin e Shqipërisë, ndryshe nga politikanët e mëparshëm?
Rama: Kjo do të shihet por mendoj se është koha për një pastrim të vendit.

Sara Montague: Dhe po flasim për një vend me shumë probleme. sic e thashë ‘Transparency International’ thotë se vendi juaj është jo vetëm është më i korruptuari në Evropë, por edhe një nga më të varfrit. Si mendoni që do të zgjidhni këto sfida?
Rama: Është një vend që ka një reputacion të keq dhe jo totalisht të pamerituar. Por, në të njëjtën kohë është një vend me një potenciale të jashtëzakonshme dhe një sasi të madhe talentesh që jetojnë brenda dhe jashtë vendit. Thjesht për t’iu dhënë një shembull, pas zgjedhjeve kam bërë një thirrje ndaj të gjithë rinjve që janë të talentuar brenda dhe jashtë vendit dhe që duan ti bashkangjiten ekipin e ri për Shqipërinë dhe përgjigja ka qenë në mënyrë të pabesueshme pozitive. Tani kemi rreth 10 mijë njerëz që kanë dërguar aplikimet e tyre për ti shërbyer vendit. natyrisht që ky proces do të vijojë me konkurrim dhe disa procedura por përgjigja është e mirë dhe do të thotë që ka shpresë dhe dëshirë të madhe për të ndryshuar.

Sara Montague: Ju flisni për një imazh të tmerrshëm të vendit, që ju dikur e keni përshkruar si toka e prostitutave dhe emigrantëve të jashtëligjshëm. mendoni se ky është ende perceptimi i vendit?
Rama: Kjo është diçka që e kam thënë në vitet 90. 

Sara Montague: Në fakt e keni thënë në vitin 2003.
Rama: Mbase por ka qenë shumë kohë më parë ateherë kur ky stereotip i vazhdueshëm ishte tepër shqetësues për shqiptarët dhe për një popullsi që nuk e meriton të përshkruhet në këtë mënyrë. por në të njëjtën kohë nuk është një imazh edhe aq i pamerituar dhe kemi bërë pak për ta luftuar këtë imazh. Dhe në fakt nën vëzhgimin e BE-së për shkak të procesit drejt integrimit Evropian problemet kanë dalë në pah në mënyrë krejt të qartë dhe ne duhet të përballemi me to. 

Sara Montague: Dhe duhet ta theksojmë që vendi juaj ka kërkuar tre herë nga Komisioni Evropian që të konsiderohet si vend kandidat, thjesht si vend kandidat për në BE dhe jeni refuzuar për secilën këto aplikime. pra nuk keni futur dot as këmbën në këtë proces. kjo sepse reformat nuk kanë qenë të mjaftueshme.
Rama: Është e vërtet ashtu siç është e vërtet që një nga problemet kryesore mbase më shqetësuesi për komunitetin ndërkombëtar kanë qenë zgjedhjet, pra integriteti i procesit elektoral. dhe më në fund pas një kohe të gjatë dhe pas shumë përpjekjesh dhe shumë sakrificash do të thoja nga shqiptarët dhe opozita që kisha privilegjin të drejtoja arritëm që të kishim një proces zgjedhor normal.  ndaj mendoj se pasi e kaluam këtë test kemi arsye të jemi optimistë që të marrim një përgjigje pozitive për statusin kandidat.

Sara Montague: Dhe kur mendoni se do të vijë kjo përgjigje? Këtë vit?
Rama: Po kështu mendoj. kam shumë besim se do të vendoset këtë dhjetor ose pranverën e ardhshme.

Sara Montague: Ka shumë shqetësime, jo vetëm korrupsioni që do ti prekim gjatë intervistës. Por, le të ndalemi tek zgjedhjet e fundit. ju flisni për sfidat brenda vendit por ndërkohë nuk është e qartë nëse publiku vërtet mendon se ju jeni njeriu i duhur për të udhëhequr vendin. sepse pas 8 vitesh në opozitë ju keni fituar vetëm një vend më shumë në parlament në këto zgjedhje në krahasim me zgjedhjet e kaluar. Në fakt është partneri juaj në koalicion Ilir Meta i LSI-së që ka dalë shumë mirë pas këtyre zgjedhjeve ndërsa qeveria e Sali Berisha u nxor jashtë loje. Ndërsa, LSI ka arritur të kapërcejë nga 4 në 16 vende në Parlament. Pra ky njeri, Ilir Meta që duhet të jemi qartë, ju keni zgjedhur të bashkë-qeverisni me të, ai ishte pjesë e qeverisë së kaluar dhe vetëm dy vjet më parë ju keni thënë që ai është shembulli i gjithçkaje të keqe në Shqipëri.
Rama: Është e vërtet që kemi pasur një të kaluar të vështirë sa i përket marrëdhënies tonë brenda familjes të së majtës. Partneri në koalicion është lideri i një partie që u nda nga PS disa vjet më parë.

Sara Montague: Dhe ai ka qenë rivali juaj dhe armiku juaj kryesor?
Rama: Po, por ne vendosem qe te bashkojmë të gjithë të majtën dhe të hyjmë së bashku në zgjedhje me një koalicion që pati sukses. Nuk do të bëj aritmetikat e vendeve në Parlament sepse kemi një sistem shumë të ndryshëm nga këtu. Por, mendoj që numri i votave që morëm secili dhe sëbashku është falë faktit qe shqiptarët panë një forcë të bashkuar që kërkon ndryshim.

Sara Montague: Dakord, por ndërkohë një nga arsyet që ju keni qenë ekstremisht kritik ndaj njëri tjetrit ka të bëjë me një ngjarje të disa viteve më parë, videoja që e shfaqte atë ndërsa dukej se diskutonte mbi një ryshfet dhe për influencën e tij ndaj kreut të Drejtësisë. Ishte në atë kohë kur ai ishte zëvendës/Kryeministër dhe ministër i Jashtëm. Ai ka mohuar gjithmonë që të ketë bërë ndonjë gjë të gabuar. Ndërkaq, Gjykata e Lartë rrëzoi akuzat por pas vendimit, ju jeni cituar nga media lokale të keni thënë që ky vendim ishte tallës për qytetarët shqiptar dhe që përbën një tjetër hap drejt një sistemi të padrejtë.
Rama: Është gjithçka e vërtet, por në të njëjtën kohë është po ashtu e vërtetë që duhet të ecim përpara dhe ti japim popullit shqiptar një alternativë për ndryshim që në fakt e bëmë dhe fituam zgjedhjet në bazë të “Programit për Rilindje” dhe tani ne jemi përballë testit dhe provimit nga populli shqiptar.

Sara Montague: E di që doni të ecni përpara dhe kjo është e rëndësishme por është shumë e rëndësishme që të përballen edhe ngjarje të rëndësishme në historinë e Shqipërisë, dhe ajo video shkaktoi shumë shqetësim. Pati protesta kundër korrupsionit ku 4 persona u vranë nga anëtarët e Gardës së Republikës që qëlluan nga zyra e Sali Berishës dhe dy prej atyre që qëlluan u paditën dhe u liruan këtë vit. Dhe ju e keni përshkruar si vendimin më barbar në Shqipërinë post komuniste dhe kjo është një deklaratë e vetëm që e keni bërë vetëm 2 vjet më parë. Ndaj është e vështirë që të mos përballeni me këto...
Rama: Nuk mendoj se më takon të sfidoj atë që kam deklaruar dy vjet më parë. Më takon të sfidoj problemet e vendit me këdo që është gati ta bëjë këtë dhe sic e thashë kemi marrë angazhime, dhe një prej angazhimeve është që të ndjekim me të gjithë vullnetin një proces që nxjerr para drejtësisë dhe të japë vendimin e duhur për të gjithë ata që ishin përgjegjës për ngjarjet e 21 Janarit.

Sara Montague: Por, ky njeri që keni zgjedhur të bashkë-qeverisni ju keni besim se është ‘i pastër’ dhe ‘Rilindja e Shqipërisë’ do të mund të bëhet edhe me të?
Rama: Sërish po jua them. Besoj fort se kur përballesh me korrupsionin dhe problemet e thella të krijuara nga korrupsioni duhet te kemi parasysh që është sistemi që korrupton njerëzit dhe jo e kundërta. Besoj se te luftosh korrupsionin ka të bëjë me modernizimin e sistemit dhe ta bësh gjithnjë më pak të mundur për njerëzit që të përfitojnë nga një sistem i prishur.

Sara Montague: Pra Ilir Meta edhe pse ishte ne qeveri në atë kohë nuk ka përgjegjësi për këtë?
Rama: Jo vrasjet kanë përgjegjësi të qartë që duhet të zgjidhen nga Gjykata.

Sara Montague: Lidhur me vrasjet, ju keni thënë që garantoj të gjithë që ngjarja e 21 Janarit 2011 nuk do të harrohet pa një proces gjyqësor të drejtë. Një nga gjërat që thatë është se do të ketë një proces publik pas zgjedhjeve. A po propozoni që Sali Berisha të dalë para gjyqit?
Rama: Jo thjesht po them që këto ngjarje nuk mund te harrohen dhe nuk mund te gjykohen në mënyrën e vjetër, ku jemi mësuar të shohim procese që transformohen në farse. Do të marrim të gjitha masat që mundemi për të siguruar ndihmën e nevojshme për familjet e viktimave, ndihmën reale që procesi të jetë i pavarur. Procesi po vazhdon dhe mendoj se është shtyrë për një datë, nuk e di.

Sara Montague: Dhe pavarësisht gjithckaje keni thënë në atë kohë, ‘Sali Berisha nuk do të dalë para gjyqit”?
Rama: Kjo nuk ka të bëjë me atë që dua dhe që mendoj unë, por ka të bëjë me një proces të Drejtësisë. Kur kam folur për Sali Berishën kam thënë që ai ka gjithë përgjegjësinë politike dhe morale për ngjarjen. Procesi gjyqësor duhet të vazhdojë.

Sara Montague: Ju besoni se gjyqi i tij u bë diten e zgjedhjeve dhe me kaq mbaroi?
Rama: Jo procesi po vazhdon thjesht është shtyrë për një datë të caktuar. Do të merren të gjitha masat që ky proces të mos transformohet në një tjetër farsë.

Sara Montague: Zhvendosemi tek korrupsioni që është një prej shqetësimeve me të mëdha për BE, por edhe shumë shqiptarë. Një nga gjërat që njeriu që do të keni në qeveri Ilir Meta, ka thënë për ju dikur se ‘e keni shndërruar Tiranën në një lavatriçe të madhe për të pastruar paratë e pista. Sa të ‘pastra’ janë duart tuaja në këtë sistem ku ju thoni që i bën të gjithë të korruptuar?
Rama: Ne jetojmë në një civilizim ku është akuzuesi që duhet ti vërtetojë akuzën dhe jo ata që janë të akuzuar. Ndaj thjesht them që kemi lënë pas një proces politik që kishte të bënte me shumë me akuza dhe pretendime, një lloj politike të vjetër që dua të lë pas dhe që edhe shqiptarët duan ta lënë pas. Është koha të kalojmë në një nivel tjetër. Dhe zgjedhjet ishin prova që sapo kaluam tek ky nivel duke folur se si mund të ecim përpara tregoi që njerëzit zgjodhën alternativën për të lënë gjithcka pas.

Sara Montague: Ju thoni që e ka fajin sistemi. Pra nëse e vendosni një nënpunës civil në Gjermani nuk do të korruptohet, por nëse vendosni një gjerman në Shqipëri pas pak muajsh do të bëhen të korruptuar. Pra nuk e kanë fajin njerëzit, por sistemi. Por, ju jeni gjithashtu pjesë e këtij sistemi, pra jeni edhe ju i korruptuar?
Rama: Jo po them dicka krejt tjetër. Kam treguar duke drejtuar për 11 vjet Bashkinë e Tiranës dhe kam treguar se duke modernizuar sistemin e administrimin mund të luftosh korrupsionin dhe shpresoj që gjithë vlerësimi që kam marrë ndërkombëtarisht ka qenë një provë që kjo gjë ka funksionuar.

Sara Montague: Ndërkaq në raportin e fundit te Transparency International, Shqipëria ka rënë nga vendi i 95 tek 113,  në vitet e fundit.
Rama: Ky është një vlerësim për qeverisjen dhe unë nuk kam qenë kurrë në qeveri.

Sara Montague: Pra është i gjithë sistemi shqiptar? Na e shpjegoni se pse për çdo lloj shërbimi duhet të paguash para në Shqipëri?
Rama: Po e vërtet. Por, ka eksperienca shumë të rëndësishme të të tjerëve që korrupsioni nuk është ndëshkimi i Zotit dhe do të vazhdojë përjetësisht, por është dicka që mund të luftohet dhe mund të mposhtet. Më lejoni t’u jap një shembull. Ne kemi një problem të madh në menaxhimin e doganave dhe në mbledhjen e taksave ku ka shumë korrupsion ndaj dhe po punojmë për të ngritur një procedure të re dhe kemi kërkuar ndihmë nga organizmat ndërkombëtare sic është “Krown Agents” agjencia britanike që arritur histori suksesi në Bullgari, Ukrainë, Slloveni dhe Maqedoni duke transformuar doganat shumë të korruptuara bullgare që ishin në atë kohë në dogana që funksionojnë normalisht.

Sara Montague: Po si janë doganat tani? Sa te pastra janë?
Rama: Janë të korruptuara dhe kjo është ajo që po ju them. Ju më pyetet se cfarë do të bëj dhe ju dhashë një shembull.  Ka dhe shumë shembuj të tjerë. Duhet vetëm të gjejmë mënyrën për të bërë reforma në sistemin shëndetësor për ta shndërruar nga një sistem i shkatërruar në një sistem funksional. 

Sara Montague: Po përsa i përket gjyqësorit, sepse analistët thonë se një nga gjërat që do të duhet të bëni është që të spastroni shërbimin civil, të hiqni qafe ata njerëz që kanë pozicione të larta dhe njerëzit thonë se kjo do të ndodhë edhe me policinë. Pra a do të bëni një spastrim të përgjithshëm brenda qeverisë dhe administratës së Shqipërisë?
Rama: Jo nuk është e nevojshme ta bëjmë këtë. Unë besoj fort se ka njerëz shumë të vlefshëm edhe brenda këtij sistemi te prishur dhe sic e thashë ajo që duhet të bëjmë është të transforomojmë sistemin. Ne nuk jemi në pozicionin për të shpikur ndonjë gjë. Duhet thjesht të ndjekim historitë e suksesit jashtë. Ka shumë të tilla jashtë edhe në raste të vështira dhe më të vështira se Shqipëria që tregojnë se korrupsioni mund të mposhtet dhe ne do ta mundim. Natyrisht nevojiten reforma të thella dhe vullnet të fortë, por ne i kemi te dyja, kemi platformën për reforma dhe kemi vullnetin e mirë.

Sara Montague: Ndërkaq, ju keni edhe një ekonomi në vështirësi, jo në recension sepse ka shume vende në recension, por ju keni probleme serioze që e kanë bërë menaxheren e Bankës Botërore për Shqipërinë, Ksenya Lvovsky të thotë që financat tuaja janë në atë gjendje saqë do t’iu duhet ti drejtoheni FMN për para. Do ta bëni këtë?
Rama: Ne jemi tani duke pritur për një program të vecantë të FMN dhe BB që do ti bejë një vlerësim stabilitetit të sektorit tone financiar. Kemi inkurajuar edhe Guvernatorin e Shqipërisë që të vijojë më tej me këtë gjë. Dhe ky program do të përfundojë shpresoj përpara se të mbërrijmë te buxheti i ri. Është një program që të jep realitetin e sektorit financiar si dhe sugjerime , dhe në të njëjtën kohë do të diskutojmë në detaje për mundësitë që do të na sjellë ardhja e FMN-së në vend. 

Sara Montague: Ajo ka folur për progamin tuaj ambicioz duke thënë se është i tillë, por se nuk ka hapësirë fiskale për investime të mëdha. Ndërsa shkalla e gjërave që ju doni të bëni si krijimi i mbi 300 mijë vendeve të punës, heqja e taksës së sheshtë dhe vendosja e taksës progresive duke bërë që të përfitojnë 95 % e njerëzve. Është e vështirë të shohësh se si do të mund ta përballoni këtë gjë?
Rama: Ndaj jam zgjedhur për të bërë gjëra të vështira, ndryshe nuk do më kishin zgjedhur.

Sara Montague: Po ku do ti gjeni paratë?
Rama: Është vërtet e vështirë por jo e pamundur sepse ashtu sic po insistoni dhe jo pa arsye, na duhet të mundim korrupsionin. dhe korrupsioni bashkë me evazionin fiskal marrin një sasi të konsiderueshme parashë dhe rikthimi i të paktën 50 apo 60 % e këtyre parave do të në japë një sasi parash për të bërë këto ndryshime.

Sara Montague: Pra ajo që po thoni se ndryshimet në taksa dhe sistemin shëndetësor falas do të vijnë në këtë mënyrë?
Rama: Ky është përkthim fjalë për fjalë. Kur unë flas për sistem shëndetësor falas, e kam fjalën falas për popullin dhe jo për shtetin sepse kjo gjë nuk ekziston.  Pra ne kemi një sistem në Shqipëri që është praktikisht i shkatërruar bazuar në sigurimet shoqërore dhe në fakt një numër të madh njerëzish që janë jashtë këtij sistemi sepse nuk mund të paguajnë sigurimet shoqërore sepse janë të papunë.

Sara Montague: Megjithatë kjo janë gjëra që kushtojnë para dhe po thoni që këto para do të vijnë nga lufta kundër korrupsionit?
Rama: Është një nga mënyrat për t’iu përgjigjur kësaj çështje, por ndërkohë pastrimi i korrupsionit do të thotë më gjithashtu mjedis më i mirë për investimet dhe më shumë investime. Sërish po jua them, ne nuk jemi zgjedhur për të shpikur vullnetin, ne thjesht duhet të ndjekim shembullin e vendeve të suksesshme që të luftojmë korrupsionin dhe të ecim përpara.

Sara Montague: Dhe ju jeni këshilluar për këtë nga ish kryeministri i Britanisë Toni Bler?
Rama: Po kemi nisur të diskutojmë.

Sara Montague: Për cfarë po diskutoni?
Rama: Kemi nisur të diskutojmë për mënyrën se si ai mund të na ndihmojë në kryerjen e gjithë këtij operacioni dhe në identifikimin e prioriteteve, dhe të ecim përpara bazuar në këto prioritete, të mos humbasim fokusin dhe të kryejmë reformat.

Sara Montague: Dhe për ta kthyer Shqipërinë në cfarë? Qëparë folëm për tokën e prostitutave dhe emigrantëve të jashtëligjshëm. Si duhet të jetë sipas jush perceptimi i Shqipërisë?
Rama: Një vend i këndshëm, normal dhe një vend mesdhetar shumë tërheqës. i vogël por një vend funksional. dhe kjo është absolutisht e mundur. sepse sic e thashë ne kemi një shtet që nuk funksion por kemi njerëz që kur vihen në kushte pune mund të bëjnë gjëra të mëdha sic kanë bërë këtu, në Itali, Greqi. pra janë të njëjtit njerëz, të njëjtit shqiptarë. që kur janë këto ata respektojnë rregullat por kur janë në Shqipëri përpiqen ti evitojnë. sepse rregullat janë shkruar por nuk zbatohen.

Sara Montague: Edi Rama faleminderit që ishit në Hard Talk.
Rama: Faleminiderit juve. 

(Intervista e kreut  të PS, Edi Rama, njëherësh kryeministri i zgjedhur , gazetaren e emisionit “Hard Talk” Sara Montague në BBC)
(Përktheu:Eriona Rusi)
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›