21 janari deshmojne ekspertet mjeko-ligjore

Procesi gjyqësor i 21 janarit ku të akuzuar janë ish-shefi i gardës së republlikës Ndrea Prendi shoferi i tij Margarit Kume dhe gardisti Agim Llupo ka vijuar me marrjen e provave të palës mbrojtëse. Në seancën e radhës ishin thirrur nga Genc Gjokutaj, avokati i Ndrea Prendit për të dëshmuar ekspertët mjeko-ligjorë dhe balistikë, të cilat kanë bërë akt ekspertimet për vrasjen e Faik Myrtajt. Admir Sinamati dhe Elmaz Shaqiri ekspertët mjeko ligjorë do të duhet t’i përgjigjen pyetjeve të mbrojtjes lidhur me këndin e hyrjes së predhës në trupin e viktimës dhe çfarë përfaqëson ky kënd, drejtimi i predhës dhe nëse këto karakteristika përcaktonin apo jo, që plumbi në trupin e viktimës kishte hyrë poshtë-lart. Mbrojtja i ka kërkuar ekspertëve gjithashtu edhe nëse mund të bëhej përcaktimi i distancës së qitjes. Tre pyetjeve dy ekspertët mjeko ligjor kanë preferuar që t’i përgjigjen me shkrim dhe të konsultohen. Në të njëjtën linjë kanë qenë edhe ekspertët balistikë Shpëtim Huda dhe Nikolin Duraj, të cilët do t’iu përgjigjën me shkrim pyetjeve lidhur marrjen e provave materiale në vendin e ngjarjes, nëse armët e marra si prova janë marrë në mënyrë individuale apo jo dhe karakteristikat e përcaktuara në aktin e ekspertimin mjaftonin për të indenifikuar armët apo jo. Ndërsa mbrojtja ka hequr dorë nga pyetja e ekspertës Artemida Bushaj. Seanca gjyqësore është shtyrë për javën e ardhshme, ku pritet që ekspertët të japin detaje dhe të sqarojnë më shumë lidhur me akt ekspertimet e bëra.