E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani Angazhim i te gjithe aktoreve per forcimin e sistemit te drejtesise

“Të orientojmë drejtësinë drejt modeleve më të mira evropiane”, ka qenë ky mesazhi i Presidentit i Republikës Bujar Nishani në 15 vjetorin e shkollës së magjistraturës.

Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka kërkuar angazhimin e të gjithë aktorëve të sistemit të drejtësisë për konsolidimin e këtij sistemi.
Në adresimin që ai u bëri pjesëtarëve dhe shërbëtorëve të sistemit të drejtësisë, Nishani theksoi se kjo është një rrugë e mbushur me shumë sfida, që duhen përballuar dhe gjendur zgjidhje.

“Mesazhi për të gjithë ata që janë pjesë dhe shërbëtorë të këtij sistemi, që të bëhen pjesë e këtij sistemi, duke i uruar atyre një rrugë të mbarë, të gjatë të karrierës personale, rrugë e mbushur me shumë sfida që janë jo vetëm për ta, po për të gjithë shoqërinë dhe çdo qytetar të shoqërisë sonë. Për ata që janë shërbëtorë të drejtësisë ata kanë detyrën për tu përballur dhe gjetur zgjidhjen e këtyre sfidave”- tha ai.

Në fjalën e tij presidenti e konsideroi hap shumë të rëndësishëm reformimin sistemit gjyqësor.
“Ne kemi bërë një hap të rëndësishëm të ligjit të pushtetit gjyqësor, duke përcakuar mënyrën sesi do ushqehet me resurse njerëzore sistemi ynë i drejtësisë, duke vendosur kështu një eksperiencë evropiane në këtë fushë e cila ka ardhur duke u konsoliduar nga dita në ditë”- vijoi më tej kreu i shtetit.

Presidenti Nishani kërkoi forcimin e besimit në sistemin e drejtësisë, ndërkohë që inkurajoi gjeneratën e re të gjyqtarëve për të punuar me integritet dhe të marrin shembujt më pozitivë.

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë edhe ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu, ambasadori Ettore Sequi, ambasadori i OSBE-së Eugen Ëollfarth, ambasadorja franceze, ministri i drejtësisë Eduard Halimi etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›