E Diel, 1 Nëntor 2026

21 janari, efektivët e gardës kanë përdorur edhe pistoleta

TIRANË- Efektivët e gardës gjatë demonstratës së 21 janarit krahas automatikëve "MP-5" të kalibrit 9 mm kanë përdorur dhe pistoleta. Lajmi konfirmohet nga burime të prokurorisë, por edhe nga pamjet filmike të rregjistruara nga operatorët e Neës24 ditën e demostratës.
Në video duket qartë se njeri prej gardistëve brenda oborrit të kryeministrisë mban në dorën e tij të djathtë një pistoletë ndryshe nga automatikët që mbajnë kolegët e tij. Përdorimi i pistoletave gjatë demostratës ka bërë që prokuroria t’i drejtohet sërish komandës qëndrore të Gardës së Republikës, duke sekuestruar 32 pistoleta të kalibrit 9 mm. 

Sipas prokurorisë këto pistoleta, ditën e demonstratës së 21 janarit kanë qenë në brezat e efektivëve të njësisë speciale të Gardës së Republikës. Prokuroria po heton për këto pistoleta dhe rezultati i këtij hetimi mund të zbardhe enigmën e 14 gëzhojave të 21 janarit, të cilat nuk rezultonin të shkrepura nga automatiket "MP-5", megjithëse ishin të kalibrit 9 mm. Pistoletat pritet t'i nënshtrohen ekspertimit balistik e krahasues me 14 gëzhojat e gjetura në pjesën veriore të oborrit të kryeministrisë bashkë me 117 gëzhoja të nxjerra nga armët e "grupit të zjarrit", mes të cilëve gardistët Agim Llupo, Gazmend Ahmetaj, Mark Nikolli dhe Sadik Çelaj.

Po këto pistoleta pritet të krahasohen edhe me predhën e gjetur në trupin e viktimës Faik Myrto, për të cilin ekspertët e Policisë Shkencore deri më tani nuk kanë zbuluar se nga cila armë ka ardhur. Gjithashtu, këto pistoleta do ti nënshtrohen ekspertizës edhe përsa i përket predhës që i është hequr nga koka viktimës Aleks Nika, i cili humbi jetën në një spital të Turqisë. 

Nga verifikimet e deritanishme dhe armët e sekuestruara ka rezultuar se protetuesi Ziver Veizi është qëlluar nga arma aotomatik mp5 e gardistit Agim Llupo,i cili ndodhet në arrest ndëkohë qe nuk ka një përgjigje se me cfarë arme u vranë 3 protestueseit e tjerë. Gjykata e apelit ndërkaq ka liruar gardistet e tjerë të arrestuar fillimisht me urdhër të prokurorisë. 

(e.m/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›