21 janari, gardistët: Nuk na urdhëroi askush, qëlluam duke zbatuar ligjin
Nuk na ka dhënë askush urdhër as të qëllonim, as të mos qëllonim, ne kemi zbatuar vetëm ligjin. Kjo ka qenë kryefjalë e dëshmive të gardistëve për gjyqin e 21 janarit. Sipas gardistëve Renis Tahi, Ilir Duraku, Përparim Bashukaj, ata në demonstratën e 21 janari përpara Kryeministrisë nuk kanë qëlluar në drejtim të turmës, por vetëm në ajër dhe se nuk ka qenë asnjë nga eprorët e tyre që i ka urdhëruar të zbrazin armët.
Madje në dëshminë e tij para togave të zeza të Gjykatës së Tiranës, gardisti Ilir Duraku ka deklaruar se ish komandanti i gardës, Ndrea Prendi, i ka kërkuar që të mos qëllonte. Ndërkohë që gardisti tjetër, Renis Tahiri, i cili në demonstratën e 21 janarit ka qenë i pozicionuar tek dera e Kryeministrisë, kujton në dëshminë e tij se ka qëlluar në ajër dhe se në një moment gardiisti tashmë i arrestuar, Agim Llupo i ka kërkuar armën e tij, pasi e tija ishte e bllokuar.
Agimi më kërkoi armën time sepse e tija ishte e bllokuar, unë kam qenë te dera e Kryeministrisë dhe kam shkuar të furgoni, kam lënë aty armën e tij dhe kam marrë një tjetër dhe ia kam dhënë, ka treguar para togave të zeza të gjykatës së kryeqytetit gardisti Tahiri, raporton Ora News.
Ndërsa gardisti tjetër, Përparim Bashkaj vë sërish theksin se kanë qëlluar në ajër duke zbatuar ligjin, por ndër të tjera sqaron se turma, e cila po i drejtohej derës së Kryeministrisë, nuk ishte normale.
Që në momentin që mbërritën në Kryeministri, ata nuk mu dukën si njerëz normalë, por si të dehur që nisën më pas të na qëllonin, ka vijuar dëshminë gardisti tjetër.
Ndërkohë që seanca e radhës është në datën 12 shtator, pas pushimeve verore. Çështja e 21 janarit ka vetëm një të arrestuar në burg, gardistin Agim Llupo, por të akuzuar ka edhe gardistë të tjerë mes tyre ish komandanti i Gardës, Ndrea Prendi. Ata akuzohen për vrasjen e katër demonstruesve, Faik Myrto, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Aleks Nika.
